Baraliu: Reforma, e domosdoshme

  • 12 October 2017 - 16:29
Baraliu: Reforma, e domosdoshme

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka veçuar se në radhë të parë vlen të theksohet se avokatia është një segment, një komponentë jashtëzakonisht e rëndësishme e drejtësisë, paçka se është një profesion dhe veprimtari gjegjësisht dhe parësisht private, por është e rregulluar me ligj të veçantë mbi avokatinë. Sipas tij, ajo si e tillë në Kosovë ndan fatin me sistemin e drejtësisë dhe vlerësimi e perceptimi mund të jetë nga opinioni publik përafërsisht i njëjtë me segmentet e tjera të sistemit të drejtësisë dhe gjyqësisë, pra në këtë rast institucionet gjyqësore, prokuroriale, të hetimeve."Edhe në avokati do duhej shikuar ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për avokati, që njerëzit, të cilët eventualisht, siç ekziston perceptimi i opinionit publik se ka korrupsion dhe luajnë rol herë- herë në segmente të caktuara eksponentë të avokatisë, rol të dyfishtë ku në njërën anë e mbrojnë njërën palë ligjërisht, ndërkaq në anën tjetër edhe nga pala tjetër bëjnë aranzhmane, pra edhe bien nën ndikime të ndryshme, ose në aranzhmane të ndryshme me segmente të caktuara të institucioneve të drejtësisë", ka potencuar ai. "Prandaj, do të duhej domosdoshmërisht që të ketë një reformë, të ketë një kontroll të shtetit, pavarësisht se është më tepër profesion i pavarur dhe me ligjin për avokatinë të rregullohen edhe mekanizma të tjerë që eliminojnë ose përforcojnë kontrollin e shtetit dhe lëvizjet pozitive në kuptim të reformimit për t'iu shmangur fenomeneve dhe sjelljeve të padenja, anti- ligjore ose korruptive të eksponentëve të caktuar të këtij profesioni", spikati për gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar, Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)