Karashëngjergji, ME PLOT HISTORI

  • 12 October 2017 - 18:17
Karashëngjergji, ME PLOT HISTORI

Trashëgimia që na la Shtjefën Gjegjovi - Kryeziu është e pasur dhe shumëplanëshe: studime shkencore e krijimtari letrare. Letërkëmbimi falë përkujdesjes së vetë Gjeçovit pjesërisht është ruajtur, një pjesë humbi e u seleksionua në kushtet që dihen. "Kjo trashëgimi është e rëndësishme për periudhën e historisë së popullit shqiptar dhe për ndriçimin shumë- planësh të Gjeçovit në të gjitha fushat ku kontribuoi", thekson prof. dr. Nexhat Çoçaj. "Nga hulumtimet sistematike të bëra në vitet e fundit është arritur të mblidhet letërkëmbimi i plotë që njihet dhe ka dalë nga dora e Gjeçovit (vetëm letrat që ka nisur ai) dhe besojmë se lexuesi në një të ardhme të afërt do të ketë mundësinë të gjykojë vetë mbi rëndësinë dokumentare, historike e shkencore që ky zhanër i penës së janjevasit të madh i sjell historisë e shkencës albanologjike në vështrimin lokal, kombëtar e shkencës evropiane", tregon Çoçaj.

Image

 

Edhe të huajt të interesuar për festat pagane

Karashëngjergji, që frymon rrëzë Pashtrikut plak, duket se ka plotë e përplot histori të moçme. Prof. Engjëll Kajtazi nga Karashëngjergji tregon se fshati ka 170 shtëpi dhe me mbi 1 mijë banor. Shton se banorët e këtij fshati e ruajnë krenarinë për Anton Pashkun e Shtejfën Gjeçovin. Ai pastaj tregon se atje ende vazhdojnë të ruhen ritet edhe për shkak të emrit karakteristik që ka ku fshat. "Dita e Shën Gjergjit në Krashëngjergj nuk është si në shumë vende të tjera më 5 maj, por kjo festë shënohet në natën e 22 prillit, ku ndizet zjarri i madh dhe fillon dita e verës, dita që lidhet në aspektin e trashëgimisë pagane si një nga festat që erdhi përsëri", shprehet ai. Të huajt thonë se këto festa i ndeshin vetëm në Shqipëri, të paktën në atë formë që festohet këtu. "Kjo ia rrit vlerat e saj në raport me të huajt, sepse kthehet në një moment tërheqjeje për ta, pra për turizëm trashëgimor. Kur kurbetçinjtë zymjanë tregojnë për këtë traditë i nxisin shumë të huajt që të marrin pjesë në këtë festë pagane", është shprehur ai.

Image

 

Lutjet për shërimin e të sëmurëve

Kajtazi është shprehur për "Kosova Sot" se në këtë fshat kjo traditë është shumë shekullore. Ai thotë se edhe mesha e Ditës së verës në kishën e Shën Gjergjit është një lloj sanatoriumi për shumë shërime popullore për mbarë Hasin e jo vetën të këtij fshati. "Sepse, lutja në këtë kishe supozohet se ishte për të rejat të gjejnë fatin më të mirë. Për të sëmurit lutej për shërim dhe mbi të gjitha ajo kishe shërbente si një vend për plleshmëri", është shprehur Kajtazi. Ai thotë se kjo meshë edhe sot e kësaj dite e ka ruajtur traditën. "Flitej dhe thuhej se kjo është ndër pikat e para që secila lutje është bërë në gjuhën shqipe. Prandaj, kjo jep për të kuptuar edhe për rëndësinë e madhe që ka pasur ardhja e Shtjefën Gjeçovit në Zym, pastaj mbledhja e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Kjo tregon se nga ky vend i lashtë ilir ka pasur edhe në kohën e paganizmit një traditë të lashtë zymjane e hasjane", është shprehur ai.

(Kosova Sot)