Oligarkët, në panik nga Specialja

  • 13 October 2017 - 07:52
Oligarkët, në panik nga Specialja

Analistët politikë, pas aktualizimit të fundit të temës së Gjykatës Speciale, po konstatojnë se i ka kapur paniku liderët dhe politikanët e të gjitha niveleve, se do të mund të gjinden në listën e të akuzuarve. Frikësimi i tyre vjen edhe për faktin se ata presin që, nëse jo në raundin e parë të arrestimeve, në atë të pas një viti, në vjeshtën e vitit 2018, do të ketë edhe figura të nivelit shumë të lartë politik! Është çështje javësh kur Gjykata Speciale, e ngritur në Hagë dhe që pretendon se do t'i zbardhë krimet e supozuara se kinse janë kryer nga udhëheqës të lartë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë, do të nisë punën me akuzat e para. Informacionet që vijnë nga ndërkombëtarët vënë në pah se në raundin e arrestimeve, në vjeshtën e vitit 2018, do të ketë edhe figura me pozita shumë të larta politike e shtetërore. Prandaj, sipas analistëve, është kjo arsyeja që pikërisht tani, kur kanë marrë këtë informacion, se mund të rrezikohen edhe vetë dhe të dalin në bankën e të akuzuarve, po kërcënojnë deri edhe me demonstrata të qytetarëve. Sipas analistëve, megjithatë, Gjykata Speciale nuk do të arrijë që t`ia japë atë grushtin përfundimtar edhe krimit dhe mafisë kriminale në Kosove, por ka rrezik se do të veprojnë, siç ka bërë e vepruar EULEX-i, duke injoruar apo edhe duke u shitur lëndë mafio-oligarkëve të korporatokracisë kosovare kriminale të lidhur kriminalisht me krerët aktualë të shtetit, pasi karakteri i kësaj Gjykate më shumë është politik sesa i ndonjë gjendjeje faktike për të ndërmarrë edhe veprime praktike në forcim të rendit e ligjit.

Image

 

Rrugës së EULEX-it

Analisti Florim Zeqa thotë se vetë fakti i krijimit të një Gjykate të njëanshme (vetëm për shqiptarët), për fatin e keq të miratuar në Kuvendin e Kosovës, flet qartë për degradimin e skajshëm dhe papërgjegjësinë ekstreme të politikanëve kosovarë. "E ashtuquajtura "Gjykatë Speciale", e cila do të trajtojë vetëm krimet e supozuara të pjesë- tarëve të UÇK-së, tregon qartë tendencën e bashkësisë ndërkombëtare për barazimin e viktimës me xhelatin! Pavarësisht faktit se cilët "peshq", të mëdhenj apo të vegjël do të bien të parët në "grepin" e Gjykatës Speciale, do të dëmtohet imazhi i Kosovës në botë, si dhe do të lëndohet lufta e drejtë dhe e pastër çlirimtare", theksoi ai. "Bazuar në dështimet e deritanishme të drejtë- sisë ndërkombëtare (EULEX) dhe drejtësinë selektive të Gjykatës së Hagës, as Gjykata Speciale nuk pritet të prodhojë diçka pozitive sa i përket krimit dhe mafisë kriminale në Kosovë. Edhe ajo do të veprojë njëjtë, siç ka vepruar EULEX-i, duke injoruar dhe duke shitur lëndë mafio-oligarkëve të korporatokracisë kosovare kriminale, të lidhur me krerët aktualë të shtetit dhe liderët e partive politike", tha analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot".

Image

 

Lufta brenda llojit prodhoi Tribunalin

Analisti Ymret Reshiti vlerëson se frika e disa politikanëve kosovarë nga Gjykata Speciale është më se evidente. "Nëse jo për "krimet" të cilat nuk i kanë kryer, ata kanë frikë për kohën të cilën mund ta kalojnë si të akuzuar, sepse do të ndahen nga luksi dhe sundimi i tyre mafioz mbi Kosovën", thotë ai. Reshiti potencon se sa i takon formatit të Gjykatës Speciale, ai është i dizajnuar nga ndërkombëtarët, por sikur të ishin pyetur qytetarët e Kosovës, jemi të sigurt që qytetarët do të kishin kërkuar një Gjykatë tjetër Speciale, për gjykimin e të korruptuarve dhe krimit të politikanëve dhe pushtetarëve. "Edhe pse kishte mundësi që kjo Gjykatë të mos krijohej, por "lufta në mes llojit" e mafisë politike nxiti më të fortët e grupit që të mbështesë idenë e formimit të Gjykatës Speciale, në mënyrë që të "eliminojnë konkurrencën" brenda llojit. Deklarata zhgënjyese dhe akuzuese e Hashim Thaçit ndaj miqve ndërkombëtarë për disa "premtime të dhëna ", më së miri flet se "disa punë janë kryer me porosi në dëme të Kosovës" . A mos është njëra nga ato punë edhe formimi i Gjykatës Speciale? Hashim Thaçi, si njeriu kryesor dhe politikisht më i fuqishëm në Kosovë, bëri presion te bashkëpartiakët e tij dhe te partnerët e koalicionit qeverisës që të votojnë formimin e Gjykatës Speciale. Shtrohet pyetja, çfarë i kanë premtuar Thaçit miqtë ndërkombëtarë? Çfarë i kanë kërkuar miqtë ndërkombëtarë Thaçit që të bëjë? Pse tani Thaçi ka kaq zhgënjim ndaj miqve të tij? A mos Thaçi ka informacion se, edhe përkundër punëve që i kreu në kurriz të Kosovës me "porosi" të miqve ndërkombëtarë , nuk ka arritur ta heqë as emrin e tij nga lista e të akuzuarve të Gjykatës Speciale ?!", pyet Reshiti. "Qytetarët duhet të kenë kujdes, të mos bien pre e kurtheve, që mund të ngritë mafia politike kosovare për të shkaktuar trazira në Kosovë, emrat e të cilëve gjenden në listat e të akuzuarve të Gjykatës. Qytetarët nuk duhet që të marrim pjesë në ndonjë proteste apo demonstratë të organizuar nga kushdo qoftë, kundër arrestimeve të Gjykatës Speciale", tha Ymret Reshiti për "Kosova Sot".

Image

 

Anashkalimi i krimeve të Serbisë

Analisti politik Gani Qarri thotë se ka kohë që edhe eksperti i çështjeve ballkanike në Universitetin Kingston të Londrës, Marko Hoare, pati deklaruar hapur se "Gjykata e Hagës" u krijua nga shkaku i dështimit të Perëndimit dhe komunitetit ndërkombëtar për parandalimin e luftimeve dhe vendosjen e paqes në Ballkan, ndaj dhe u ideua nga ta, një gjykatë, si ajo e Hagës, për "arsyetimin" e mosveprimit kur duhej të këtij komuniteti dhe që të paktën të dënohen autorët e krimeve. "Ngjashëm ndodhi edhe me Kosovën, madje, ne që nga pas lufta kishim praninë e bashkësisë ndërkombëtare në vend, kishim UNMIK-un dhe EULEX-in gjatë gjithë kohës këtu, por nuk u veprua asnjëherë, as kur duhej dhe as si duhej, ndaj si alternativë e mosveprimit të tyre për parandalimin e krimeve në vend, nga këta u shpik Kopja e gjykatës së lartcekur, apo "Gjykata Speciale", e cila, përveç vonesave në aktivizim, nuk premton as jep shpresë të madhe për drejtësi, qoftë edhe të vonuar, por të një- mendët. E, për aq më keq, edhe shkak i lindjes së saj nuk u bënë krimet e Serbisë në Kosovë, të cilat i di e gjithë bota, por pretendimet e të ashtuquajturit të dërguar të Këshillit të Evropës, senatorit Dick Marty, dhe supozimet e pavërtetuara të tij- kinse për trafikim organesh nga pjesëtarët e UÇK-së, duke lënë anash me cinizëm dhe duke mos marrë qëllimshëm parasysh krimet më të rënda të kryera nga soldateska pushtuese serbe mbi shqiptarët në vendin e tyre, të cilat e tronditën gjithë opinionin ndërkombëtar dhe u bënë shkak që detyroi SHBA-në dhe NATO-n të intervenonin për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga shfarosja", u shpreh ai. "Kryeprokurori i saj David Schvendiman, në një konferencë shtypi mbajtur në Hagë më 15 shtator të këtij viti, deklaroi se hetimet mund të përfshijnë edhe personalitete të larta politike, fakt që tani ka filluar t'i trembë dhe t'i frikësojë pa masë udhëheqësit kryesorë dhe pothuajse sundimtarët standardë të shtetit, të mësuar vetëm të urdhërojnë dhe të sundojnë, që nga pas lufta e këndej në këtë vend", tha Qarri për "Kosova Sot". "Kjo Gjykatë do të duhej që nga fillimi t'i hetonte të gjitha krimet pa dallim kombësie, e jo vetëm ato si të para ëndërr, në një natë të errët e të pagjumë nga Dick Marti, të pavërtetuara asnjëherë në terren, në vend se pikësëpari t'i ndjekë dhe t'i gjykojë kriminelët e njohur për krimet e vërtetuara, të kryera hapur dhe ditën për diell nga soldateska dhe hordhitë pushtuese kriminele serbe, mbi shqiptarët në shtëpitë dhe oborret e veta në Kosovë, ku më se 13 mijë burra, gra, fëmijë e pleq u vranë e masakruan dhe mbi 22 mijë femra, gra e vajza, edhe minore, u përdhunuan me plan cinik dhe në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë, krime për të cilat nuk u akuzua, as dënua askush nga kriminelët serbë, deri më tani", vijoi më tutje ai. Qarri thotë se veprimet e njëanshme të Gjykatës nuk do ta pastronin as skenën politike kosovare nga kriminelët dhe oligarkia mafioze që tash e sa vite me metodat e veprimit e tyre janë shndërruar në kancer të shoqërisë dhe penguesit kryesorë të funksionimit të ligjit dhe të shtetndërtimit të Kosovës

Image

 

Të goditen krerët e krimit

Sipas Ragip Guraziut, do të ishte dështim i madh i faktorit ndërkombëtar, nëse me fillimin e këtij procesi nuk merret edhe me "peshqit" e mëdhenj të krimit dhe të korrupsionit. "Gjykata Speciale konsideroj se nuk do të jetë as UNMIK, as EULEX, por do jetë''një dritë në fund të tunelit'', shpresa e fundit për qytetarët e Kosovës. Kjo Gjykatë, që po besoj shumë, do të godasë krerët e krimit, qofshin ata edhe bosët e sotëm, të cilët janë mësuar me xhipa dhe xhepat plot euro, e tani mu këta do të shihet se si do t'ia dalin prapa grilave, e që unë nuk e di! Mirëpo, qytetarët e Kosovës i kanë humbur shpresat se mos edhe kjo Gjykatë Speciale për Kosovën, mos vallë do të veprojë si UNMIK-u e EULEX-i,por unë jam shumë i bindur që jo", ka theksuar ai. "Kjo Gjykatë shpresoj se do të punojë, do të veprojë si duhet dhe do të godasë aty ku duhet, qofshin ata edhe ish-komandantët e UÇK-së etj., të përfshirë në shkelje të ligjit, por jo t'i akuzojë ata të pafajshmit, por duhet të veprojë paanshëm, për të ndarë njëherë e përgjithmonë shapin nga sheqeri, se boll më pritëm që 18 vjet", ka vlerësuar Guraziu për "Kosova Sot".

Tendencat destabilizuese nuk përjashtohen

Në pastrimin e skenës politike, nga Gjykata Speciale, prej bosëve të krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk beson analisti Skënder Mulliqi. Ai thotë se mandati dhe fushëveprimi i kësaj Gjykate është i përshkruar saktë dhe nuk do të ketë devijime, derisa punët e tjera u mbeten qytetarëve dhe institucioneve tona të drejtësisë. "Arrestimet sigurisht se ka mundësi të përcillen më tendenca destabilizuese, por zor që do të lejohen nga bashkësia ndërkombëtare, duke ditur investimet e mëdha, të cilat janë bërë në Kosovë. Se kjo klasë e ka dhënë provimin më shumë për të keq, këtu nuk ka asnjë dyshim. Largimi i tyre nga skena politike ishte dashur të bëhet me votën e lirë, e jo që dikush nga jashtë ta bëjë këtë punë", ka theksuar ai. "Puna e Gjykatës nuk do të përfundojë në afat të shkurtër kohor , ajo do të zgjatë duket me vite, dhe prejudikimet se çka do të ndodhë gjate asaj kohe nuk janë shumë të preferueshme", potencoi Mulliqi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)