Qarri: Anashkalimi i krimeve të Serbisë

  • 13 October 2017 - 16:04
Qarri: Anashkalimi i krimeve të Serbisë

Analisti politik Gani Qarri thotë se ka kohë që edhe eksperti i çështjeve ballkanike në Universitetin Kingston të Londrës, Marko Hoare, pati deklaruar hapur se "Gjykata e Hagës" u krijua nga shkaku i dështimit të Perëndimit dhe komunitetit ndërkombëtar për parandalimin e luftimeve dhe vendosjen e paqes në Ballkan, ndaj dhe u ideua nga ta, një gjykatë, si ajo e Hagës, për "arsyetimin" e mosveprimit kur duhej të këtij komuniteti dhe që të paktën të dënohen autorët e krimeve. "Ngjashëm ndodhi edhe me Kosovën, madje, ne që nga pas lufta kishim praninë e bashkësisë ndërkombëtare në vend, kishim UNMIK-un dhe EULEX-in gjatë gjithë kohës këtu, por nuk u veprua asnjëherë, as kur duhej dhe as si duhej, ndaj si alternativë e mosveprimit të tyre për parandalimin e krimeve në vend, nga këta u shpik Kopja e gjykatës së lartcekur, apo "Gjykata Speciale", e cila, përveç vonesave në aktivizim, nuk premton as jep shpresë të madhe për drejtësi, qoftë edhe të vonuar, por të një- mendët. E, për aq më keq, edhe shkak i lindjes së saj nuk u bënë krimet e Serbisë në Kosovë, të cilat i di e gjithë bota, por pretendimet e të ashtuquajturit të dërguar të Këshillit të Evropës, senatorit Dick Marty, dhe supozimet e pavërtetuara të tij- kinse për trafikim organesh nga pjesëtarët e UÇK-së, duke lënë anash me cinizëm dhe duke mos marrë qëllimshëm parasysh krimet më të rënda të kryera nga soldateska pushtuese serbe mbi shqiptarët në vendin e tyre, të cilat e tronditën gjithë opinionin ndërkombëtar dhe u bënë shkak që detyroi SHBA-në dhe NATO-n të intervenonin për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga shfarosja", u shpreh ai. "Kryeprokurori i saj David Schvendiman, në një konferencë shtypi mbajtur në Hagë më 15 shtator të këtij viti, deklaroi se hetimet mund të përfshijnë edhe personalitete të larta politike, fakt që tani ka filluar t'i trembë dhe t'i frikësojë pa masë udhëheqësit kryesorë dhe pothuajse sundimtarët standardë të shtetit, të mësuar vetëm të urdhërojnë dhe të sundojnë, që nga pas lufta e këndej në këtë vend", tha Qarri për "Kosova Sot". "Kjo Gjykatë do të duhej që nga fillimi t'i hetonte të gjitha krimet pa dallim kombësie, e jo vetëm ato si të para ëndërr, në një natë të errët e të pagjumë nga Dick Marti, të pavërtetuara asnjëherë në terren, në vend se pikësëpari t'i ndjekë dhe t'i gjykojë kriminelët e njohur për krimet e vërtetuara, të kryera hapur dhe ditën për diell nga soldateska dhe hordhitë pushtuese kriminele serbe, mbi shqiptarët në shtëpitë dhe oborret e veta në Kosovë, ku më se 13 mijë burra, gra, fëmijë e pleq u vranë e masakruan dhe mbi 22 mijë femra, gra e vajza, edhe minore, u përdhunuan me plan cinik dhe në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë, krime për të cilat nuk u akuzua, as dënua askush nga kriminelët serbë, deri më tani", vijoi më tutje ai. Qarri thotë se veprimet e njëanshme të Gjykatës nuk do ta pastronin as skenën politike kosovare nga kriminelët dhe oligarkia mafioze që tash e sa vite me metodat e veprimit e tyre janë shndërruar në kancer të shoqërisë dhe penguesit kryesorë të funksionimit të ligjit dhe të shtetndërtimit të Kosovës.

(Kosova Sot)