Qindra miliona euro "firojnë" në xhepat e të korruptuarve

  • 13 October 2017 - 07:58
Qindra miliona euro

Duke parë lidhjen e ngushtë të oligarkisë kriminale ekonomike me politikën në nivelet e larta të institucioneve të shtetit dhe interesat e ngushta të përfitimeve klienteliste afatgjata, analistët politikë dhe njohësit e fushës së ekonomisë konsiderojnë se nisur nga këto fakte del që të jetë pikërisht tenderomania e inkriminuar që e ka shkatërruar Kosovën përmes krimit të organizuar, ku çdo vit rreth 700 milionë euro e më shumë, para të tatim paguesve shpenzohen, në fakt keqshpenzohen, në tenderë për investime kapitale, mallra dhe shpenzime kot së koti. Këto fonde çdo vit kalojnë nëpër duart e zyrtarëve të inkriminuar e të kapur të prokurimit, nga nëntoka dhe pushtetarët e lidhur me nëntokën, si në nivelin komunal po ashtu edhe në atë qendror, dhe një përqindje e madhe e këtij 700 milionëshi çdo vit po ashtu përfundon në xhepat e kontot e politikanëve, zyrtarëve të prokurimit dhe nëntokës së krimit, pa llogaritur paratë që zhvaten përmes homologimit të Devollëve, që për 10 vjet e kanë tejzhvatur popullsinë në Kosovë, pastaj 'Z. MOBILE' si produkt i krimit të organizuar, ku pa asnjë investim fitohen qindra miliona për nëntokën e shumë të tjera.

Image

 

Tenderi anulohet nëse nuk fitojnë të afërmit e pushtetit

Analisti për çështje të politikave ekonomike, Mustafë Kadrijaj, tha për "Kosova Sot" se është një e keqe e madhe që po i ndodh Kosovës me këtë mentalitet keqqeverisës. "Me keqardhje më duhet të them dhe konstatojmë së bashku se tenderomania dhe korrupsioni më nuk janë dukuri, por sistem që për ekonominë e Kosovës është shkatërrim", theksoi ai. Kadrijaj thotë për "Kosova Sot" se deri në këtë gjendje ka ardhur vendi për shkak se së pari mendohet se kujt t'i jepet tenderi, sa është përfitimi i dikujt nga përqindja në atë tender, se sa është interesi kombëtar dhe i komunitetit të caktuar, ku do të realizohet ai apo ky projekt. "Sa për dëshmi, shumë tenderë anulohen vetëm pse kompania e afërt me pushtetin nuk është dalë mirë me letra kështu që gjejnë argumente nga balta dhe vrima ligjore që të anulojnë tenderin dhe si rezultat i kësaj dukurie, që tanimë është sistem, shumë komuna kanë edhe suficit buxhetor, vetëm pse janë vonuar me procesin e tenderimit", vijoi më tutje ai."Për të dalë nga gjendje e pashpresë, ka vetëm një rrugë, e ajo është ngritja e vetëdijes tek qytetari, e që testi më i mirë është edhe tash në këto zgjedhje lokale, që të mendojnë mirë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm dhe përfaqësuesi i ardhshëm në komunën ku jeton", u shpreh Kadrijaj për "Kosova Sot".

Image

 

Pasanikët u bënë me fondet publike

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se tenderomania është forma dhe mjeti kryesor i zhvatjes dhe i keqpërdorimit, si dhe të kriminalitetit në Kosovë, i cili ka zënë vend shumë të theksuar në jetën ekonomike të shtetit tonë."Nuk ka vend, nivel, deri edhe në shkolla dhe në ambulanca, në çerdhe, madje edhe në letër, që tenderizmi nuk është mjet i vjedhjes. Në këtë kontekst është futur në jetën biznesore tenderizmi si formë e fitimit", theksoi ai. "Me tenderë janë bërë politikanët, biznesmenët, elementët e afërt me pushtetin janë shndërruar në njerëz më të pasur në vend. Çdo tender thuhet nëpër kanalet joformale se nuk mund të kalon pa dhënë përqindje të veçantë ose pa i rritur çmimet që sendin e blerë e bëjnë me çmim astronomik në krahasim me çmimin e tregut. Nga ky aspekt mendoj se shuma prej 700 milionëve mbase është e vogël. Unë nuk kam fakte se sa është ajo, por kur të merren për bazë nivelet e korrupsionit me tenderizëm, kemi një situatë shumë më të rëndë në fushën biznesore, në treg dhe në çështjet e tjera ekonomike", tha profesor Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

 

Prokurimi, vatër dallaveresh

Edhe analisti politik Hidajet Ahmeti thotë se imazhi i shtetit të Kosovës, në këto vitet e pas shpalljes së pavarësisë, është duke u rrezikuar seriozisht nga lidershipi qeveritar, për shkak të dështimit të vazhdueshëm në realizimin e premtimeve për luftimin e krimit dhe korrupsionit e në favor të interesit qytetar dhe ndërtimit të shtetit."Ndërtimi i substancës së shtetit brenda logjikës së mbrapshtë dhe frymës së krimit, korrupsionit, kontrabandës domosdo prodhon një realitet të hidhur në arenën ndërkombëtare. Zyra e Prokurimit Publik është transformuar në vatër të dallavereve, keqpërdorimeve, korrupsionit e në favor të klientëve të vegjël njerëzish. Gjykoj se Prokuroria e Shtetit duhet të thotë fjalën e vet, duke vepruar e funksionuar brenda mandatit kushtetues dhe ligjor", u shpreh Ahmeti. Sipas tij, as që mund të pritet ndonjë përmirësim në këtë drejtim, pasi që, sipas tij , krimi e korrupsioni nuk mund të luftohet nga brenda, pasi që logjikisht i bie se kjo klasë politike duhet ta luftojë veten e praktikisht kjo nuk mund të ndodh."Zgjidhjen e problemeve të shtetit e shoh në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, duke qenë efikas, efektiv, transparent", theksoi Ahmeti për "Kosova Sot".

Image

 

Investimet kapitale u keqpërdorën

Edhe njohësi tjetër i fushës së ekonomisë, Xhevdet Neziraj, pohon se vetëm pavarësia e Kosovës është e pamjaftueshme për të arritur mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit, derisa nuk po instalohet si duhet shteti ligjor dhe derisa shpërdoruesit e aseteve publike dhe të parave të qytetarëve janë në institucionet e Republikës."Të gjitha keqpërdorimet dhe korrupsioni galopant janë bërë e po bëhen nëpërmes tenderëve, në emër të investimeve kapitale, dhe nuk është e rastësishme që si në nivelin lokal dhe në atë qendror zënë vend kryesisht investimet në infrastrukturën rrugore, sepse në këto raste po ka mundësi të keqpërdorimeve të mëdha të parasë publike, e ku çmimet për ndërtimin e rrugëve janë të nivelit evropian, ndërsa kualiteti i tyre nuk është në shumë raste as i nivelit ballkanik dhe kjo tregon më së miri keqpërdorimin e mjeteve publike, sepse rrugët tona qëndrojnë sa një mandat zgjedhor, pra cilësia e tyre është e dobët", potencoi Xhevdet Neziraj. Ai thotë se tani ka shpresë se Qeveria e re do të përfundojë edhe procesin e privatizimit si dhe do të përplotësojë dhe ndryshon edhe Ligjin e Prokurimit Publik, që prokurimi t'i nënshtrohet një transparence të plotë, duke filluar që nga fazat e vlerësimit e deri te vendimet përfundimtare dhe ankesat në Organin Shqyrtues Prokurimit Publik.

Kurdisjet mafioze të procedurave ligjore

Analisti Ali Hertica konsideron se mund të bëhen përmirësime në bazën ligjore, sepse nga kjo të korruptuarit po shfrytëzojnë disa zbrazësi ligjore, përmes së cilave manipulohen tenderët."Procedurat e Prokurimit Publik duket se janë në përgjithësi konform Ligjit të prokurimit, mirëpo zbrazëtirat që shfrytëzohen më së shumti janë ato të përpilimit të specifikave teknike, për t'i përshtatur kriteret për një produkt apo furnitor të caktuar nga ajo që quhet nëntoka, ku i mbushin gjepat me miliona nga kjo tenderomani e një tipi klasik të plaçkitjes dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit, nëpërmes skenarit të përgatitur mirë të vjedhjes nga liderët e lartë politikë dhe lidhjet kriminale të nëntokës", është shprehur ai."Të gjitha këto kurdisje të tenderomanisë ndodhin në fazën e vlerësimit teknik, ku vlerësohet shuma totale e ofertës, e shpesh mungojnë çmime për pozicione, apo ofertohen dhe pranohen çmime tejet të larta për artikujt e konsumit të shpeshtë, si dhe jepen çmime jonormale të ulëta për produkte të konsumit të rrallë, me qëllim të manipulimit të vlerës totale të ofertës", tha Ali Hertica.

(Kosova Sot)