"Devollët" dyshohen për krimin me mafinë e grurit rus!

  • 13 October 2017 - 07:46

Kompania "M-Sillosi", që është në pronësi të Shkëlqim Devollit, dyshohet se po vazhdon të importojë grurë nga Rusia, por edhe nga republikat e tjera të ishBashkimit Sovjetik, për fabrikat e miellit, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Me këtë rast autoritetet e Serbisë po e shfrytëzojnë këtë në bazë të marrëveshjes për tregtinë e lirë me vendet e rajonit dhe marrëveshjen preferenciale që ka me tregtinë me Rusinë, duke e sjellë grurin serb dhe atë rus në Kosovë, ndërsa dyshohet se ky grurë është kancerogjen. Sipas raportit të Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së në mes tjerash thuhet se kompanitë serbe që eksportojnë grurë kanë ulur çmimin enkas për tregun e Kosovës dhe ai sillet rreth 15 e bile edhe 13 centë për një kilogram. Analistët ndërkaq thonë se edhe pse u bë më shumë se një vit që kur edhe raporti amerikan alarmoi për këto dallavere dhe paligjshmëri, rrezikshmëri të shëndetit të qytetarëve, sipas tyre as Dogana, as AVUK-u, as Prokuroria Speciale e Shtetit nuk bënë asgjë për të ndërprerë këto paligjshmëri. Analistët pyesin se a janë në dijeni Doganat e Kosovës dhe AVUK-u se Qeveria e Serbisë po manipulon me grurin rus duke e etiketuar e deklaruar pas importimit se është prodhim serb dhe të njëjtin po ua shet më lirë bizneseve kosovareve dhe atë kryesisht dhe vetëm përmes Devollëve të inkriminuar. Analistët thonë se me këto veprime po gjunjëzohen fabrikat për prodhimin e miellit në Kosovë dhe Shqipëri, si pasojë që vjen nga importi i grurit serb me çmim tejet të lirë. Ata me të drejtë pyesin se si po tolerohet e lejohet që të helmohen qytetarët tanë?! Analistët ndërkaq dyshojnë se edhe Prokuroria Speciale e Shtetit ka frikë që të merret me ndriçimin e hetimin e këtyre veprimeve në masë të vëllezërve të inkriminuar Devolli, duke dyshuar se prapa tyre po qëndrojnë figura të larta politike deri në majat e shtetit.

Image

 

Heshtje kriminale e institucioneve përgjegjëse të shtetit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), thotë për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë informa cion, por në bazë të punës së tyre të deritashme të AVUK-ut krerët e tyre kanë dëshmuar se nuk janë në nivel të detyrës dhe deri më tash nuk kemi parë asnjë masë që kanë ndërmarrë ata në atë drejtim ndaj njerëzve dhe kompanive që po e rrezikojnë në masë shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa për heshtjen e Prokurorisë së Shtetit deputeti Hoti thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovën e pasluftës deri më tash ka qenë i dështuar dhe si i tillë ai vazhdon që të jetë ende, por shpresojmë se me qeverinë e re më puna e këtij dikasteri nuk do të jetë kësisoj dhe se do të ketë përmirësime rrënjësore , nga e para . Ndërsa analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se në asnjë mënyrë nuk është për t'u habitur nga heshtja e institucioneve tona, sidomos ajo e AVUK-ut dhe Doganave të Kosovës, por edhe të Prokurorisë së Shtetit. "Kjo heshtje e këtyre institucioneve na tregon qartë se AVUK-u, Doganat dhe Prokuroria e Shtetit po kanë frikë që të merren me zbardhjen e kësaj çështje, duke dëshmuar se institucionet më relevante të shtetit janë të kapura nga mafio-bizneset kriminale në vend, ndaj edhe heshtja e tyre është një tregues se ka dyshime të mëdha se prapa përkrahjes së tyre qëndrojnë figurat më të larta politike të shtetit", potencoi ai për gazetën.

Image

 

KOSOVA KA DËSHTUAR PËRBALLË DEVOLLËVE TË INKRIMINUAR

Analisti Faton Mehmeti thotë për "Kosova Sot" se është skandaloze se si helmohen qytetarët e Kosovës me grurë që importohet përmes Serbisë në Kosovë."Është po ashtu e vërtetë që kompanitë serbe që eksportojnë grurë kanë ulur çmimin enkas për tregun e Kosovës dhe ai sillet rreth 15 e bile edhe 13 centë, për faktin se ky grurë nuk është fare për njerëz, por për kafshë. Këtë të keqe të madhe po e shkaktojnë Devollët e inkriminuar , të cilët jo vetëm që duhet të arrestohen, por edhe të futen në burg për të gjitha këto skandale që i kanë shkaktuar vetëm e vetëm që të pasurohen duke shkaktuar dëme të pariparueshme për vendin e qytetarët", u shpreh ai. "Kosova ka dështuar plotësisht përballë Devollëve të inkriminuar, të cilët e kanë kapur shtetin në duart e tyre dhe po bëjnë çfarë të duan me të. Derisa kanë vendosur njerëz të tyre për oficerë të lartë në Doganat e Kosovës, ata e kanë të hapur rrugën që të importojnë çfarë të duan në Kosovë edhe atë pa paguar as doganë dhe asgjë tjetër. Serbia po bën zullumin më të madh me grurin që po eksporton në Kosovë përmes Devollëve po i arrijnë qëllimet e tyre për të helmuar qytetarët e Kosovës", vijoi më tutje Mehmeti. Ai thotë se edhe vetë Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka paralajmëruar për këtë skandal kriminal , duke alarmuar për cilësinë e dobët që ky grurë posedon, e i cili po futet dhe po shitet si miell human për njerëz."Ndaj fabrikat e miellit në Kosovë e Shqipëri po falimentojnë nga konkurrenca e pandershme që Devollët u bëjnë me grurin serb", potencoi analisti Mehmeti. Ai pyet se si ka mundësi që gruri që vjen nga Serbia është më i liri se në Kosovë, kur në gjendjen normale edhe me dogana ai do të kapte shifra edhe më të mëdha se edhe vetë buka? "Prandaj, nuk ka dyshim se këtu janë të përfshirë rrjete të mëdha kriminale, të cilat e kanë të kapur keq e kriminalisht edhe gjyqësorin, Prokurorinë Speciale dhe politikën e tejinkriminuar. Është e pafalshme se si Prokuroria Speciale hesht përballë të gjitha këtyre skemave mafioze, të cilat po shkaktojnë edhe kancerin në masë tek qytetarët e vendit. Ky është krim mbi krimet, kjo nuk duhet të heshtet dhe as të lejohet që të vazhdojë më tutje. Edhe Prokuroria e Shtetit nuk po guxon që të ndërmarrë asgjë në këtë drejtim, pasi që edhe ajo është e kapur nga politika, kurse klasa politike është e kapur nga Devollët. Kjo ngase figura të larta politike në vend qëndrojnë prapa Devollëve, me të cilët ndajnë bizneset, fitimet dhe të gjitha paratë e pista që i bëjnë duke shkelur mbi shëndetin dhe jetën e qytetarit të varfër të Kosovës", vlerësoi i bindur analisti Faton Mehmeti për gazetën "Kosova Sot".

Image

 

BANDA DEVOLLI I KA DUART E LIRA NË KOSOVË

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani thotë për gazetën "Kosova Sot" se Kosova mjerisht është në një anarki, pa ligje, pa qeverisje zbatuese të ligjit, ndaj këtu bëjnë sallamadi oligarkët mafiozë dhe bandat e tjera të kanaleve të nëntokës kriminale. "Këtyre bandave dhe mafio-oligarkëve nuk u intereson fare rrafshi kombëtar, e as popullata, por këtyre banditëve u intereson vetëm paraja dhe ata janë në gjendje të bashkëpunojnë edhe me djallin e mallkuar për interesa të tyre personale kriminale", theksoi ai."Serbia fashiste ka hapur kanale të posaçme prodhimi e transferi për në Kosovë me llumin e mallrave të mbetura, me afate të skaduara, me simptoma kancerogjene, duke i pastruar stallat e derrave e të qenve. Bartin krunde qensh i dërgojnë në mullirin "M-Sillosi" dhe pastaj i shpërndajnë vetëm në sofrat shqiptare", vijoi më tej analisti Badallaj-Zhuriani. Sipas tij, banda 'Devolli' i ka duart e lira për të vepruar në Kosovë, sepse ka blerë me para kontrabandë, te gjitha qeveritë e gjertanishme kuislinge, majat e shtetit, sistemin e kalbur gjyqësor dhe banditët dhe kryebanditët e bandave politike. "Kjo bandë 'Devolli' në pikë të ditës futet në Serbi dhe sjell në vendet ku flitet shqip mallra për t'i tredhur shqiptarët që të mos shtohen", u shpreh ai."Gruri nga Rusia po sillet pa kurrfarë kontrolli dhe futet në Kosovë. Kriminelët duke parë fukarallëkun e popullatës kanë ulur çmimin e grurit dhe organet shtetërore nuk ngrenë fare zërin kundër këtyre banditëve dhe kriminelëve vrasës në masë. Tashmë dihet se sa skandale dhe krime të organizuara bënë banditët 'Devolli' dhe sistemi i kalbur i drejtësisë po hesht, atëherë si të shpjegohet kjo ndryshe. Veç saj, po këta banditë janë edhe shkaktarët kryesorë që kanë rritur papunësinë në vend, duke ia zënë frymën edhe bizneseve të vogla që ia vunë drynin nga këta matrapazë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Reshat Badallaj-Zhurjani.

Image

 

Konsumatorët, të rrezikuar e të nëpërkëmbur

Selatin Kaçaniku (Konsumatori) për gazetën "Kosova Sot" tha se nuk duhet harruar as faktin se Kosova mbi 30 për qind ka nevoja importi të grurit, ndërsa industria e bluarjes ka kapacitete trefish më të mëdha të bluarjes, shitjes e eksportit sesa që janë nevojat për ushqim."Por është çështje tjetër nëse cilësia e grurit, afati i skadencës dhe çmimi me të cilin importohet janë për t'u diskutuar. Atëherë duhet kërkuar më shumë kujdes nga Dogana, nga AVUK-u dhe nga mekanizmat e tjerë të Shtetit për mbikëqyrjen e inspektimin e tregut dhe mbrojtjen e qytetarit konsumator taksapagues. Krahas kësaj kërkese, si sovran themelues të shtetit dhe si qytetarë konsumatorë taksapagues - financues të funksioneve të shtetit, kemi obligim mbikëqyrjeje e bashkëpunimi me to", u shpreh ai. "Sa u përket manipulimeve me çmime duhet aplikuar dispozitat e Ligjit antidamping; për monopolizimin e tregut, konform Ligjit të konkurrencës së lirë, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Konkurrencës duhet kërkuar ndërmarrjen e masave adekuate. Kurse për manipulimet që i bëjnë eksportuesit nga Serbia duhet vepruar kundër falsifikimit, mashtrimit, dampingut e sabotimin e ekonomisë dhe të tregut, si dhe të të drejtave e interesave të qytetarit konsumator taksapagues", vijoi më tutje Kaçaniku. "Në këtë kontekst, nëse ekzistojnë provat, pas këtij shkrimi, edhe pas shkrimeve të tjera mediale, prokuroritë gjegjëse kanë obligim reagimi ex-officio", u shpreh Kaçaniku.

(Kosova Sot)