Nxehet fushata elektorale në Prizren

  • 13 October 2017 - 17:27
Nxehet fushata elektorale në Prizren

AKUZA TË NDËRSJELLA DHE KALLËZIME PENALE

"Akuzat dhe kundërakuzat deri në një masë janë normale në fushata zgjedhore, ndërsa në kulturën tonë politike janë më të theksuara e të paparashikuara dhe shpesh degradojnë. Personalisht nuk kam pritur se debati do të degradojë kaq shumë në Prizren në këtë fushatë zgjedhore", është shprehur Ramadan Baraliu, njohës i çështjeve zgjedhore

PDK-ja dhe VV-ja akuzojnë njëra-tjetrën se janë në panik

Fushata elektorale në Prizren sa më afër 22 tetorit po nxehet me akuza dhe kundërakuza të partive politike që garojnë në këtë komunë. Lëvizja 'Vetëvendosje' në Prizren, në krye me Artan Abrashin bartës i listës së kësaj partie, si dhe zëdhënës Alisa Hasani, kanë dorëzuar kallëzimin penal kundër kandidatit për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, në Prokurorinë Themelore në Prizren, për gjuhën e përdorur gjatë fushatës. Në të njëjtën kohë Lëvizja 'Vetëvendosje' do të iniciojë kallëzim penal për fyerje dhe shpifje. Me këtë rast zyrtarët e VV-së kanë mbajtur edhe një konferencë shtypi para Prokurorisë. Lidhur me këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës në Prizren kallëzimin penal të 'Vetëvendosjes' ndaj kandidatit Shaqir Totaj e vlerëson për konsum politik dhe mediatik. Sipas këtij subjekti politik, VV-ja në Prizren është në panik."Ne ua rikujtojmë se rrugë- timi politik i PDK-së është i përbashkët me qytetarët shqiptarë, turq, boshnjakë, romë, ashkalinj e egjiptas të Prizrenit", thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Mungesa e alternativave

Dega e PDK-së në Prizren mirëpret ndryshimet e qëndrimeve dhe parimeve bojkotuese të deritanishme në ideologjinë e VV-së, të cilët kanë filluar të reflektojnë, duke i njohur institucionet e Republikës së Kosovës dhe organet e drejtësisë. "Vetëvendosje në Prizren, në mungesë të ofrimit të programit qeverisës për qytetarët e komunës së Prizrenit dhe si shkak i frikës për humbje në zgjedhjet e 22 tetorit, bie në nivele të ulëta të propagandave shterpe. Qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës kanë me mijëra incizime të linçimeve politike e kërcënimeve nga drejtues e anëtarë të VV-së për shumë zyrtarë të Republikës së Kosovës, madje edhe aksionet e programuara të VV-së mbi institucionet e Kosovës me molotov e zollë, si rastet në Kuvendin e Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatën e kësaj partie. "Audio-incizimi i montuar e përpunuar dhe dorëzimi i kallëzimit penal nga VV-ja është sinjal i qartë i mungesës së përkrahjes qytetare për VV-në dhe se përgjigjen meritore do ta marrë në referendumin e 22 tetorit, ku do të pësojë fiaskon e radhës politike", pohon për gazetën Albrim Badallaj nga shtabi zgjedhor i PDK-së.

Gara për balotazh do të jetë e ngushtë

Ramadan Baraliu, ekspert dhe njohës i çështjeve të zgjedhjeve, është shprehur për "Kosova Sot" se fushata zgjedhore tanimë është intensifikuar shumë, sidomos në subjektet kryesore politike."Akuzat dhe kundërakuzat deri në një masë janë normale në fushata zgjedhore, ndërsa në kulturën tonë politike janë më të theksuara e të paparashikuara dhe shpesh degradojnë. Personalisht nuk kam pritur se debati do të degradojë kaq shumë në Prizren në këtë fushatë zgjedhore, duke marrë për bazë profilet e kandidatëve të subjekteve kryesore. Një sugjerim për secilin që të fokusohen më shumë në mobilizimin e elektoratit të tyre deri në atë masë sa nuk e lëndojnë procesin, që patjetër duhet të kalojë në frymë demokratike", është shprehur ai. Baraliu shton se disa tema mund jenë normale për komunat tjera, por janë anormale për Prizrenin dhe këtu duhet të ketë kujdes secili kandidat."Prizreni duhet të jetë shembull për komunat e tjera, duke marrë për bazë specifikat që e karakterizojnë", pohon për gazetë Baraliu. Përderisa lidhur me këtë gjuhë të këtyre ditëve në fushatë në Prizren Ramadan Klisurica për gazetën pohon se kjo dëshmon se gara për balotazh do të jetë shumë e ngushtë, posaçërisht në mes te tre kandidatëve të subjekteve më të mëdha politike në Prizren."Sipas vështrimeve aktuale, nuk do të ishte surprizë mbetja jashtë balotazhit e asnjërit prej tre kandidatëve (PDK, VV apo LDK). Cilido kandidat që do të vazhdojë të injorojë prezantimin e programit dhe do kontribuojë në degradimin e gjuhës politike, do të rrezikojë seriozisht mbetjen jashtë garën për kryetar të Prizrenit", është shprehur ai.

(Kosova Sot)