Cilat profesione do të ekzistojnë edhe pas 20 vjetësh?

  • 13 October 2017 - 21:20
Cilat profesione do të ekzistojnë edhe pas 20 vjetësh?

ALARM! PO VIJNË ROBOTËT!

Nuk ka lidhje a jeni punëtor fabrike, këshilltar financiar, apo muzikant profesionist i flautit: automatizimi po troket në derë
Në një të ardhme të afërt pritet që shumë profesione, apo vende të punës, të automatizohen, pra të kryhen në mënyrë automatike, nga robotët. Por, jo të gjitha

Po vijnë robotët! Po vijnë robotët! 

Vazhdimisht kemi lajme se apokalipsi i automatizimit është afër. Në janar, një studim i bërë nga "McKinsey & Company", tregoi se rreth 30% të detyrave, në 60% të profesioneve, ka mundësi që të automatizohen dhe, vitin e kaluar, ekonomisti kryesor i Bankës së Anglisë, tha se 80 milionë vende pune në SHBA dhe 15 milionë në Britani, mund të merren nga robotët. Natyrisht, nuk janë të gjitha profesionet njësoj të rrezikuara. Në vitin 2013, një studim shumë i cituar, i bërë nga akademikët e Universitetit të Oksfordit, me titull "The Future of Employment" (E ardhmja e punësimit), analizoi 702 profesione të rëndomta dhe gjeti se, disa prej tyre - punëtorët e telemarketingut, përgatitësit e tatimeve dhe referat e sportit - janë më të rrezikuar sesa të tjerët, ku përfshihen psikologët rekreacionalë, dentistët dhe mjekët. 

Automatizmi prek profesionet e të gjitha niveleve

Në të kaluarën ka pasur shumë teprime në këtë drejtim, por në fund doli se, zhvillimi teknologjik hapi më shumë vende të punës, sesa që mbylli. Në 60 vitet e fundit, automatizimi eliminoi vetëm një profesion: operatorët e liftit. Ka pasur edhe parashikime tepër optimiste, se teknologjia e re do ta rritë prosperitetin dhe do ta zvogëlojë punën e rëndë. Por, janë të paktë ata midis  nesh, që sot punojnë vetëm 15 orë në javë, sikur që, në vitin 1930, ekonomisti John Maynard Keynes kishte menduar se do të punonin nipat e tij. Nëse mund të na shërbejë si ngushëllim, ne me të vërtetë punojmë nga 15 orë, por në ditë, jo në javë. Revolucioni i tanishëm teknologjik është shumë i ndryshëm nga revolucioni industrial. Hapi i ndryshimeve është tmerrësisht më i shpejtë dhe më i gjerë, sa i përket qëllimit. Sikur që shkruan akademiku nga Universiteti "Stanford", Jerry Kaplan: Sot, automatizmi prek profesionet e të gjitha niveleve. Nuk ka lidhje a jeni punëtor fabrike, këshilltar financiar, apo muzikant profesionist i flautit: automatizimi është duke iu trokitur në derë. 

Cilat janë profesionet më të rrezikuara?

Para se të dorëzohemi dhe të fillojmë të vajtojmë, ia vlen të themi se automatizimi nuk është sinonim me humbjen e vendeve të punës. Me fjalë të tjera, profesionet nuk do të zhduken në tërësi, ato do të ridefinohen. Edhe pse, për punëtorin e thjesht, nuk ka dallim midis mbylljes së plotë të vendit të punës dhe ndryshimit radikal të tij. Meqë, në rastin e dytë, atij do t'i mungojnë aftësitë e reja të punës, ai në të dy rastet do të mbetet pa punë. Martin Ford, futurist dhe autor i librit "Rise of the Robots: Technology and the Threat of a Jobless Future", shpjegon se profesionet më të rrezikuara janë ato që kanë një nivel të rutinës, që përsëriten dhe që parashikohen. P.sh., telemarketingu, i cili është shumë rutinë, ka 99% rrezik se do të automatizohet. Edhe llogaritja e tatimeve, që përfshin përpunimin e një sasie të madhe të shifrave, po ashtu ka rrezik prej 99% nga automatizimi. Robotët kanë gjasa 94% që të fillojnë të ushtrojnë detyrën e asistencës paraligjore dhe ligjore. Edhe kuzhinierët e ushqimeve 'fast' (të shpejta) kanë një rrezik prej 81% që profesioni i tyre, në një të ardhme të afërt, të kryhet nga robotët. 

Cilat profesione janë më së paku të rrezikuara?

Fordi thotë se, në rend të parë, më pak të rrezikuara do të jenë profesionet që përfshijnë "një kreativitet të vërtetë, sikur artisti, shkencëtari, zhvilluesi i strategjive të biznesit". Fusha e dytë e profesioneve më së paku të rrezikuara nga robotët, përfshin profesionet e ndërtimit të raporteve komplekse me njerëzit: infermierët, apo ata që punojnë me palë. Fusha e tretë përfshin profesionet që janë vështirë të parashikueshme, psh hidrauliku që punon në terrene të ndryshme, instaluesit, ndreqësit, terapeutët dhe punëtorët shëndetësorë dhe socialë. Po ashtu, klerikëve iu kanoset një rrezik prej vetëm 0.81% që do t'ua marrin punën robotët. Në fund ua themi edhe një kuriozitet. A e dini se robotët tanimë merren edhe me kompozim të muzikës? 

(Kosova Sot)