Plani rrënqethës i BBC-së në rast lufte bërthamore

  • 13 October 2017 - 22:37
Plani rrënqethës i BBC-së në rast lufte bërthamore

Duket sikur jemi kthyer sërish në kohën e Luftës së Ftohtë, me termin “luftë bërthamore” të dëgjuar kaq shumë herë më 2017.

Me Korenë e Veriut që teston raketa sikur ato të jenë shpëtimi i njerëzimit dhe me Donald Trump që refuzon të tërhiqet, çdokush e mban frymën pezull.

Nëse ndodh më e keqja, çfarë do të bënin kanalet e lajmeve?

Gjatë Luftës së Ftohtë, BBC hartoi plane të detajuar për vazhdimin e transmetimeve edhe në rastin e një goditjeje bërthamore.

Libri i Luftës ishte një libër i detajuar që tregonte se çfarë do të bënte BBC në rastin e “shkëmbimeve bërthamore”.

Plani përfshinte vendosjen në 11 bunkerë të mbrojtur nëpër Britaninë e Madhe. Të njohur edhe si “selitë rajonale të qeverisë”, këta bunkerë do të strehonin stafin qeveritar dhe ministrat, si dhe pesë anëtarë të BBC-së, kryesisht nga radiostacionet lokale, të cilët do të drejtonin studiot e lajmeve në këto vendstrehime.

Selia kryesore do të vendosej në Engineering Training Department në Wood Norton, Worcestershire. 90 anëtarë të stafit do të vendoseshin atje, me profesione që nga inxhinierët, redaktorët, spikerët dhe transmetuesit fetarë, por pjesa më e madhe e programit do të kontrollohej nga qeveria.

Por programet nuk do të jepnin vetëm lajmet për katastrofën gjatë kësaj periudhe. Kaseta të vjetra të Goon Show, Just a Minute dhe Round the Horne do të ishin në gatishmëri për t’u transmetuar, me qëllim për të ruajtur sensin e humorit unik të britanikëve.

Gjithsesi, pjesa kryesore do të zihej nga lajmet dhe kjo përgjegjësi do të binte mbi folësit, shumica e të cilëve do të ishte e detyruar të linte pas njerëzit e tyre.

Bob Doran, redaktor lajmesh në vitet ’80 kujton një bisedë gjatë një ushtrimi stërvitor për Luftën e Ftohtë.

“Kujtimi më i qartë është për një diskutim nëse ata që ishin të martuar do të lejoheshin të merrnin me vete bashkëshortët. Gjëja tjetër që mbaj mend mirë ishte zymtësia e madhe dhe ndjesia sikur lufta bërthamore do të niste shumë shpejt”.

Stafi nuk kishte informacion të saktë se për sa kohë do të qëndronte në vendstrehime, por mund të kishte qenë për disa javë.

Ata ishin këshilluar të merrnin me vete rroba, sapunë, peshqirë, për rreth 30 ditë. Ushqimet do të ishin me racione, pesë herë në dita, me rreth 2,200-2,400 kalori në ditë.

Peter Donaldson, një spiker i njohur i Radio 4 në atë kohë, do të jepte njoftimet e luftës, të cilat do të ishin si më poshtë:

“Ju flet Shërbimi i Transmetimit në Kohë Lufte. Vendi është sulmuar me armë bërthamore. Komunikimi është dëmtuar rëndë, ndaj numri i viktimave dhe përmasat e dëmtimeve janë ende të panjohura. Do t’ju sjellim informacione të mëtejshme sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërkaq, qëndroi në këtë valë, jini të qetë dhe qëndroni në shtëpi”.

Mënyra e detajuar e këtij dokumenti tregon se sa serioze ishte mundësi e një lufte bërthamore në atë kohë, por fatmirësisht nuk u bë kurrë realitet.

Shërbimi i Transmetimit në Kohë Lufte u hoq më 1992 dhe nuk dihet nëse BBC ka një tjetër plan të ngjashëm për momentin.

(Kosova Sot)