Vota për matrapazët e mban Kosovën në izolim

  • 14 October 2017 - 09:34
Vota për matrapazët e mban Kosovën në izolim

Liberalizimi i vizave nuk vjen me kastën e vjetër politike

Kriteret nuk po përmbushen nga pushteti, po e pëson populli

Nt: “Evropa nuk është fajtore për problemet tona, ata dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë, në rend të parë amerikanët, kanë investuar dhe po investojnë mjaft, problemi është tek ne. I pajustifikueshëm është votimi kaq masovik i atyre që nuk u dëshmuan që nga paslufta, e që po votohen në vazhdimësi të dështuarit. Kjo klasë politike ka dështuar dhe është dashur të penalizohen-sanksionohen, nuk duhet t’u besohet atyre që u pasuruan shumë dhe shpejt, nuk duhet t’u besohet atyre që kurrë nuk iu përmbajtën zotimeve”, u shpreh Hasan Preteni

Teksa pala kosovare, politika në pushtet, po vazhdon ta kritikojë BE-në për izolim të Kosovës me mosliberalizimin e vizave, si vendi i vetëm në Evropë, ekspertët e sundimit të ligjit dhe analistët theksojnë se kjo klasë politike po e luan një lojë hipokrizie, duke e hedhur përgjegjësinë e saj te të tjerët, sepse sipas tyre është kjo klasë politike e inkriminuar në krim të organizuar që ka dështuar të plotësojë standardet për sundimin e ligjit, që do ta bënin vendin të pranueshëm nga BE-ja. Pikërisht për këtë shkak, sipas njohësve të këtyre rrethanave, Evropa po i ndëshkon qytetarët e Kosovës me mosliberalizim të vizave, edhe duke nisur nga fakti se kjo klasë politike po votohet nga populli,edhe pse e njëjta i ka sjellë dëme të mëdha Kosovës, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror, ndërsa është fajtore e madhe për mospërmbushjen e standardeve që do të binte liberalizimin e vizave. Një gjykim të tillë shumë e ka dhënë edhe Hasan Preteni.“Evropa nuk është fajtore për problemet tona, ata dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë, në rend të parë amerikanët, kanë investuar dhe po investojnë mjaft, problemi është tek ne. I pajustifikueshëm është votimi kaq masovik i atyre që nuk u dëshmuan që nga paslufta, e që po votohen në vazhdimësi të dështuarit. Kjo klasë politike ka dështuar dhe është dashtë të penalizohen-sanksionohen, nuk duhet t’u besohet atyre që u pasuruan shumë dhe shpejt, nuk duhet t’u besohet atyre që kurrë nuk iu përmbajtën zotimeve, nuk duhet besuar atyre që i rritën në mënyrë të pajustifikueshme listat e veteranëve. Duke i votuar këta ata po mendojnë se e kanë mirë, por edhe qytetari po identifikohet me ta”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

Politika, përgjegjëse për dështimin

Përgjegjës të vetëm e bën për këtë izolim të Kosovës politikën aktuale edhe Ragip Guraziu. “Klasa politike e Kosovës ka dështuar totalisht  me mosplotësimin e standardeve për sundimin e ligjit dhe mospërmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave. Tani kryeministri Ramush Haradinaj na doli me një deklaratë se liberalizimi i vizave nuk e ka edhe aq larg afatizimin, se së shpejti do ta kemi këtë fat edhe ne qytetarët e Kosovës, duke mos caktuar data e ditë, por me atë avazin e kryeministrave para tij. Me këto premtime njësoj dhe kjo është arsyeja pse nuk po na pranon Evropa”, u shpreh ai.“Është vetë  klasa politike që po e bën vendin të papranueshëm nga BE-ja, pasi nuk po i plotësojnë standardet që BE-ja po i kërkon nga ta! Pra, është vetë klasa politike e Kosovës që ka dështuar totalisht, sepse është e inkriminuar në krim të organizuar dhe si e tillë nuk mund të plotësojë standardet për sundimin e ligjit, që do ta bënin vendin të pranueshëm nga BE-ja”, theksoi Guraziu.“Kjo është arsyeja që po na ndëshkon Evropa edhe si qytetarë të Kosovës,  me mosliberalizim të vizave, nisur nga fakti se një pjesë të fajit e kemi ne qytetarët, ngase po kjo klasë politike e tejinkriminuar po vazhdon të mos ndëshkohet, por votohet nga populli, edhe pse e njëjta i ka sjellë dëme të mëdha Kosovës, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Banditizmi, pengesë për zhvillim

Politologu Adnan Bajrami thotë se pikësëpari kemi nevojë që të rritet standardi i jetës, sepse nëse nuk i kemi standardet ose thënë më mirë kushtet ekonomike. “Atëherë kemi nevojë për liberalizim të vizave, e normalisht që fajtor është skena politike në Kosovë për mosliberalizim të vizave, pasi shteti është i kapur nga politikanët matrapazë, të cilët janë në pushtet, po ashtu edhe nga disa politikanë nga opozita, pasi kanë ndikim tek gjyqësori, sepse janë të lidhur me pushtetin, por qëndrojnë në hije duke heshtur, por që kanë ndikim shumë të madh”, potencoi Adnan Bajrami për “Kosova Sot”. Në një linjë të njëjtë është edhe analisti Reshat Badallaj. “Edhe Evropa tashmë e ka kuptuar se bandat politike në Kosovë janë të zhytura thellë në krim të organizuar dhe nuk i plotësojnë kushtet për liberalizim të vizave. Për shkak të fajit të këtyre bandave politike,  pa pikë faji po e pësojnë qytetarët e vendit”, u shpreh ai. “Janë munduar shumë banditë dhe kryebanditë të bandave politike që të mashtrojnë edhe Evropën, por këtë pykë ajo nuk e hëngri dhe nuk e vuri ujin në zjarr, sepse u ka dalë boja rrenave të tyre. Kjo kope banditësh që nga paslufta e deri më sot aq shumë i ka bërë të këqija vendit saqë Kosova nuk po ecën përpara”, tha Reshat Badallaj.

Standardet e dyfishta të BE-së

Barrën kryesore për këtë izolim të Kosovës e ka politika kosovare, edhe sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendit, ndonëse ai mendon që kushti specifik i vendosur për kosovarët, që është demarkimi i kufirit me Malin e Zi, është i padrejtë, i shpikur nga BE-ja, pas të cilit pastaj po fshihet edhe dështimi i politikës kosovare në mosplotësimin e kushtit kryesor, që është sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit e korrupsionit. “Natyrisht se është bërë një kohë e gjatë pas pavarësisë që Republika e Kosovës ka vështirësi të mëdha në plotësimin e standardeve për ta bërë liberalizimin e vizave. Kushtet e caktuara nga ana e BE-së, përveç luftës kundër korrupsionit dhe krimit, që është edhe demarkacioni, është jo i drejtë dhe tejet i njëanshëm. Në anën tjetër, edhe në fushën e krimit dhe të korrupsionit ka pakënaqësi dhe vend për të kritikuar, por edhe vendet e tjera, si Mali i Zi, Serbia e Maqedonia, nuk janë më mirë se ne. Sidoqoftë, vend për të kritikuar dobësitë e pushtetit ka mjaft. Kemi nepotizëm, vjedhje, korrupsion, familjarizim, lokalizëm e shumë e shumë izma antidemokratike të tjera. Dhe këto duhet që të luftohen. Por, dukuritë e tilla janë në shumë vende, gjë që tregon një politikë jo të barabartë të BE-së kundruall Kosovës dhe shqiptarëve”, theksoi ai.“E dimë se Demarkacioni varet shumë dhe nga pala tjetër, ajo malazeze, mirëpo lufta kundër dukurive të tjera, përkatësisht standardet e kërkuara nga BE-ja, sa u takon krimit të organizuar e korrupsionit, rendit e ligjit, mund dhe duhet të plotësohen, me një luftë të pa kompromis kundër të gjitha këtyre  dukurive të dëmshme. Konsideroj se tani me ngulm duhet që i tërë aktiviteti të përqendrohet në prokurori dhe në gjyqësor, sikundër edhe në polici që të veprojnë pa asnjë hezitim ndaj çdo abuzimi me ligjin dhe dukurinë e krimit e korrupsionit. Pa këto organe të shëndosha dhe të afta e profesionale nuk plotësohen standardet e kërkuara nga BE-ja”, vijoi më tej Kelmendi për “Kosova Sot”.

Stagnimi i madh

Edhe analisti Gani Qarri pohon se plagët e shtetit të Kosovës sa vijnë e po rriten. “Ato sot janë shumë më të mëdha e më të rënda se disa vite më parë. Gjendja e krijuar, varfëria, stagnimi i progresit dhe izolimi ndërkombëtar i vendit, nuk janë dhuratë nga Perëndia, por pasojë e keqqeverisjes shumëvjeçare e kastës së inkriminuar politike, të zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar”, potencoi ai. “Klasa e deritanishme udhëheqëse, jo vetëm se ka dështuar plotësisht të përmbushë standardet themelore për sundimin e ligjit dhe bëjë vendin tonë të pranueshëm për BE-n, por politikanët kontrovers  nuk ditën asnjëherë ta shfrytëzonin sa dhe si duhet edhe opinionin pozitiv, juridik, të dhënë mbi Pavarësinë e Kosovës, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Përkundrazi, udhëheqësit e shantazhuar më së rëndi dëmtuan shtetësinë e Kosovës, duke pranuar pa asnjë diskutim publik, konsultim të Kushtetutës, as vendim të dalë nga Kuvendi, vendosjen e fusnotës mbi statusin e Pavarësisë tonë të shpallur botërisht në Parlament....nënshkruan themelimin e “Zajednicës” serbe, pa asnjë transparencë dhe mundësuan krijimin e shumë gjepave tjerë të Serbisë, anekënd Kosovës”, theksoi Qarri. “Sado që qytetarët e këtij vendi, me të drejtë mund të konsiderohen si viktimat më të pafajshme që përgjatë gjithë këtyre viteve, u bënë theror i keqqeverisjes dhe abuzimit të paskrupullt të udhëheqësve me kontradiktorë dhe të inkriminuar partiakë e shtetëror të vendit, më në fund edhe ata duhet të vetëdijesohen dhe të mos bien më pre e propagandës politike, por të kuptojnë se Evropa me arsye po i ndëshkohen me mosliberalizim të vizave, e këtë pikërisht për faktin se nga njerëzit e Kosovës, në vijimësi po votohet e njëjta kastë e dështuar politike, e cila i ka sjellë dëme kaq të mëdha vendit dhe popullit të saj, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror”, u shpreh ai. “Këta politikëbërës bënë që Kosova të stagnojë në të gjitha drejtimet dhe dështojë në krijimin e një imazhi më të mirë në botë si vend i ri dhe shtet në ndërtim, fakt që do të shërbente si argument pozitiv dhe ndihmonte për njohje të reja, përshpejtonte procesin e anëtarësimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, si BE, UNESCO, INTERPOL etj., e pse jo edhe mundësonte kandidimin për anëtarësimin e saj në OKB. Për aq më keq, nga politikëbërësit kontradiktorë jo vetëm se është krijuar pasiguri e lartë për banorët e vendit, por është shkaktuar edhe mosbesim i pandreqshëm para Bashkësisë Ndërkombëtare”, vijoi më tutje Qarri.

“Qytetarët e Kosovës përfundimisht duhet të reflektojnë, të votojnë ndryshe dhe të nxjerrin një forcë të re e të pakomprometuar politike, sepse në krye me politikanë të tillë vendi do të ketë stagnim e zvarritje të përhershme, nuk do të përmbushen standardet për liberalizim të vizave edhe për shumë kohë, si dhe Kosova do të mbetet në izolim të vazhdueshëm ndërkombëtar”, ka pohuar Gani Qarri

“Vetëdija qytetare duhet të ndryshojë, të kërkohet llogaridhënie, të kërkohet transparencë, të shkarkohen të pasuksesshmit dhe gënjeshtarët. Ndërrimi i këtij diskursi do të sjellë edhe ndryshimin. Edhe tani jemi dëshmitarë të shumë premtimeve të atyre që nuk iu përmbajtën premtimeve të kaluara, pse tani t’u besojmë... Pa ndryshuar ne vetë, pa u fuqizuar shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit nuk mund të ankohemi askund, faji është  yni e jo i Evropës”, tha Hasan Preteni

“Përfundimisht Kosova tani ka nevojë për djem edhe vajza të reja, të cilët kanë kapital akademik dhe profesional, që kanë studiuar në shtetet Evropës, dhe vetëm nëse ata kthehen dhe integrohen në proceset politike e vendimmarrëse të shtetndërtimit, do të kthehet shpresa që në shtetin e Kosovës do të ketë drejtësi, do të ketë edhe liberalizim dhe kushte më të mira ekonomike”, tha Adnan Bajrami

 “Pushteti aktual duhet të kërkojë nga Kuvendi masa juridike edhe kundër KPK-së dhe KGJK-së, sepse pa ndërrimin dhe  ristrukturimin e plotë të tyre nuk spastrohen organet e drejtësisë në vend. Me masa të shëndosha duhet luftuar edhe kundër dukurive korruptive në administratë, në arsim dhe në shëndetësi”, potencoi Muhamet Kelmendi

(Kosova Sot)