Mafio-politika e rrënoi arsimin

  • 14 October 2017 - 09:39
Mafio-politika e rrënoi arsimin

Kosova prodhon mijëra të diplomuar, po cilësia mungon

Pasojat do t’i vuajnë gjenerata të tëra

 “Politikanët mafiozë- profesorë, shkencëtarë, akademikë, doktorë shkencash, pa kurrfarë merite, pa asnjë lloj baze, duke korruptuar komisionet blenë titujt, duke shantazhuar e duke abuzuar me ligjin dhe etikën arsimore”, tha Florim Zeqa

Duke parë nivelin e ulët të arsimit në Kosovën e pasluftës, që është vulosur edhe me vlerësimin e PISA-s, analistët politikë dhe njohësit e kësaj fushe vlerësojnë se arsimi i kriminalizuar prodhoi analfabetë me diploma, prandaj është momenti i duhur kur do të duhej ndërprerë ky trend negativ, duke analizuar situatën për vite të tëra të kaluara, dhe duke kërkuar edhe përgjegjësi nga të gjithë ish-ministrat, të cilët menaxhuan, shkatërruan dhe kriminalizuan arsimin në Kosovë. Për rreth dy dekada të pasluftës, menaxhimi i kësaj fushe, vetëm për interesa të politikës, u degradua skajshmërisht, qeverisjet e njëpasnjëshme të inkriminuara i rrënuan kriteret, ulën çdo standard të mundshëm dhe instaluan mafinë arsimore. Ekziston bindja se sipas këtij modeli shkatërrimtar qeverisës politikanët mafiozë u bënë profesorë, shkencëtarë, akademikë, doktorë shkencash, pa kurrfarë merite, pa asnjë lloj baze, duke korruptuar komisionet, duke blerë titujt, duke shantazhuar e duke abuzuar me ligjin. Sipas analistit Florim Zeqa, prodhimi i analfabetëve me diploma ka filluar menjëherë pas lufte. “Të gjithëve na kujtohet ajo metafora e pasluftës; "po të kisha ditë se është kaq lehtë më kryer fakultet, do ta kisha mbaruar edhe shkollën e mesme...", flitej kështu për të "diplomuarit" në Universitetin e Tiranës e të Prishtinës në periudhën e pasluftës të liderëve të ndryshëm ushtarakë e politikë të asaj kohe pa diplomë të maturës”, u shpreh ai.

Analfabetizmi shënoi rritje

Sipas Zeqës, mund të bëhen edhe tridhjetë Universitete Publike (Politike), por asnjëherë nuk do të arrihet kualiteti dhe cilësia që ishte dikur në Universitetin e vetëm të Kosovës, në Prishtinë. “Thellësisht jam i bindur, se shumica e akredituesve të këtyre institucioneve të larta arsimore në vend nuk e kuptojnë fjalën "universitet" (njohuri të gjëra), për çka me siguri do të përmbaheshin pak nga "fabrikimi" i kuadrove pa mbulesë. Po ndodh kështu në mungesë të një strategjie nacionale për arsimin e lartë, për çka çdo vit kemi rritje të titujve "akademik e shkencor", dhe rënie të cilësisë e të kualitetit në arsim”, vijoi më tej Zeqa. “Edhe përkundër shtimit të universiteteve publike dhe private, analfabetizmi në Kosovë ka shënuar ngritje relevante këtyre viteve të fundit, këtë më së miri e dëshmoi "PISA", e cila Kosovën e radhiti siç është më së keqi sa u përket të arriturave në arsim. Andaj, duhet kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga të gjithë ish-ministrat e pasluftës, të cilët keqmenaxhuan, shkatërruan dhe kriminalizuan arsimin në Kosovë, duke politizuar arsimin dhe duke instaluar mafinë brenda institucioneve arsimore. Kështu politikanët mafiozë- profesorë, shkencëtarë, akademikë, doktorë shkencash, pa kurrfarë merite, pa asnjë lloj baze, duke korruptuar komisionet blenë titujt, duke shantazhuar e duke abuzuar me ligjin dhe etikën arsimore”, tha Florim Zeqa.

 

Të ndryshojë qasja

Analisti politik dhe ligjëruesi Blerim Burjani thotë se cilësia në arsim kryesisht mbetet e dobët për gjithë këto vite, në të gjitha nivelet, dhe reflektohet kryesisht në nivelin e mësimnxënies, sepse Kosova ka dështuar në reformimin substancial të kësaj fushe. “Arsimi është në gjendje të rëndë, si pasojë edhe papërgjegjësive të ish- ministrave, i lënë pas dore, themelimi i një numri të madh universitetesh publike pa kuadër të mirëfillte, cilësia mbetet problemi kryesore, prandaj konsiderojë që MASHT-i duhet të hartojë një udhëzim administrativ sa i përket temës së mësimnxënies, që profesorët të angazhohen më shumë me studentët e shumtë që kanë ngecje në mësimnxënie”, theksoi ai. “Duhet të ketë vizion dhe qasje tjetër ndaj arsimit të lartë, ndonëse e dimë që tani s’ka as kush ta bëjë këtë, s’ka njerëz adekuatë për të bërë diçka të tillë, por duhet të fillohet disi të përmirësohet cilësia në mësimnxënie”, ka thënë Burjani . “Duhet përkushtim më i madh në këtë drejtim i mësimdhënësve dhe dekanëve, që profesorët të nxiten të punojnë më shumë me studentë, të ketë edhe kritere të vlerësimit që duhet të hartohen nëpër fakultetet specifike për të nxjerrë kuadro më të përgatitura, jo kështu si deri më tani”, potencoi Burjani për “Kosova Sot”.

Strehë e korrupsionit me diploma

Edhe analisti politik Ali Hertica thotë se është një fatkeqësi e madhe që pikërisht arsimi, institucioni me vital i shtetit, është shndërruar në një lloj strehimoreje e padukshme e krimit dhe e korrupsionit. “Ky sektor ndër të parët më të rëndësishmit për ndërtimin e një shteti dhe kulturës së tij, thuajse është shndërruar në çerdhe të kriminalizuar nga matrapazët politikë, të cilët janë analfabetë me diploma, të cilët arritën që kriminalisht të marrin edhe tituj shkencorë ekspres vetëm për 24 orë, dhe tani ata janë pozicionuar nga politika edhe në kulmin e drejtimit të institucioneve të arsimit apo edhe të institucioneve të tjera me peshë për shtetin, duke i bërë vetes marketing të rrejshëm si intelektualë të nivelit të lartë, prandaj edhe po vazhdojmë ta kemi situatën e tanishme katastrofë në gjithë procesin e shtetndërtimit”, ka thënë ai. “Konsideroj se për të gjitha këto veprime degraduese, që e shkatërruan arsimin, duhet të merren në përgjegjësi të gjithë ata që ishin drejtues të deritanishëm të këtyre institucioneve, duke filluar nga ministrat, vartësit e tyre profesionalë dhe këshilltarët analfabetë që e bëjnë atë punë sa për një pagë, kurse as nuk dinë të shkruajnë si duhet apo të lexojnë rrjedhshëm. Këtë fakt e kemi edhe tani të dëshmuar dhe të argumentuar me fakte konkrete”, potencoi Hertica.

 

Më të përgjegjshëm, në kohën e shkollave në bodrume

 

Një gjendje të tillë që vendnumëron në pikën zero e konstaton edhe njohësi i kësaj fushe Mustafë Kadrijaj. “Një nga të këqijat që i ka ndodhur Kosovës është prodhimi industrial i diplomave dhe si rezultat i të diplomuarve analfabetë sot e kemi korrupsionin si sistem i qeverisjes, sepse ka ndodhur edhe marrja e diplomës pa dije, që do të thotë ka mundur të shitet lehtë, dhe kjo po shihet edhe në praktikë. Është për të ardhur keq që, përkundër presionit të ish- pushtetit serb dhe me institucione paralele, kemi pasur nivel më të madh të përgjegjësisë nga mësimdhënësit e asaj kohe, ndërsa sot në shumë institucione, e sidomos ato private, mjafton pjesëmarrja e studentit në ligjëratë dhe ai e ka të siguruar notën pozitive”, u shpreh Kadrijaj. Ai ka pohuar se që nga pas lufta, si në çdo lëmi tjetër, edhe në arsim  janë ndërruar vazhdimisht praktikat e dhënies së mësimit, dhe ato kanë ndikuar edhe në rezultatin e nxënies jokualitative. Një gjendje të tillë e konstaton edhe politologu Arsim Haziri. “Shtrohet me të drejtë pyetja, si është e mundur që Kosova të ketë kaq shumë të diplomuar dhe të ballafaqohet me cilësi të dobët të arsimit? Atëherë kur ke parasysh këtë gjendje, e vetmja gjë që bie në fokus është sistemi i degjeneruar dhe sistematik i cilësisë së arsimit. Kjo është realizuar për shkak të gjitha qeverisjeve të pasluftës, të cilat maksimalisht kanë minimizuar kriteret në mënyrë sistematike në gjendjen e arsimit. Sot, ne si shoqëri, për shkak të vlerësimit të dobët dhe për shkak të mospretendimit për të avancuar gjendjen e arsimit, jemi në një analfabetizëm të certifikuar. Kosova aktualisht vuan për shkak të analfabetizmit të legjitimuar, vuan nga mendësia e dobët e dokumentuar. Dhe, duke qenë kështu, sot kemi profesorë, akademikë, mësues, të cilët nuk janë në gjendje të shprehin veten cilësisht, po ashtu edhe t’i mbrojnë diplomat e tyre”, potencoi Haziri për “Kosova Sot”.

 

“Faji ekskluziv për gjendjen, në veçanti tek arsimi, bie mbi ministritë përkatëse, të cilat asnjëherë nuk janë munduar të zhvillojnë programe dhe metoda, të cilat do të kishin mundur të ndikojnë direkt në arsim, duke mos përjashtuar as edhe politizimin e madh që ndodh në këtë sistem”, tha Arsim Haziri

 

“Për mësimdhënësit duhet të obligohet përvoja 10- vjeçare, në cilindo nivel të edukimit të lartë apo fushë, në të kundërtën ideja e letrave nuk shkon, të gjithë bëjnë letra dhe tituj, por dija e cekët nuk sjell përmirësim të mësimnxënies”, tha Blerim Burjani

 

“Këto ndryshime janë bërë sipas njerëzve në pushtet dhe kjo u vërtetua edhe në praktikë, ku ende pa u mësuar mësimdhënësit dhe nxënësit me një metodë të caktuar ndërrojnë “reformat” dhe rezultati i krejt kësaj u doli në shesh me rezultatin PISA-s”, tha Mustafë Kadrijaj

 

(Kosova Sot)