Zeqa: Analfabetizmi shënoi rritje

  • 14 October 2017 - 16:09
Zeqa: Analfabetizmi shënoi rritje

Sipas analistit Florim Zeqa, prodhimi i analfabetëve me diploma ka filluar menjëherë pas lufte. "Të gjithëve na kujtohet ajo metafora e pasluftës; "po të kisha ditë se është kaq lehtë më kryer fakultet, do ta kisha mbaruar edhe shkollën e mesme...", flitej kështu për të "diplomuarit" në Universitetin e Tiranës e të Prishtinës në periudhën e pasluftës të liderëve të ndryshëm ushtarakë e politikë të asaj kohe pa diplomë të maturës", u shpreh ai.

Sipas Zeqës, mund të bëhen edhe tridhjetë Universitete Publike (Politike), por asnjëherë nuk do të arrihet kualiteti dhe cilësia që ishte dikur në Universitetin e vetëm të Kosovës, në Prishtinë. "Thellësisht jam i bindur, se shumica e akredituesve të këtyre institucioneve të larta arsimore në vend nuk e kuptojnë fjalën "universitet" (njohuri të gjëra), për çka me siguri do të përmbaheshin pak nga "fabrikimi" i kuadrove pa mbulesë. Po ndodh kështu në mungesë të një strategjie nacionale për arsimin e lartë, për çka çdo vit kemi rritje të titujve "akademik e shkencor", dhe rënie të cilësisë e të kualitetit në arsim", vijoi më tej Zeqa. "Edhe përkundër shtimit të universiteteve publike dhe private, analfabetizmi në Kosovë ka shënuar ngritje relevante këtyre viteve të fundit, këtë më së miri e dëshmoi "PISA", e cila Kosovën e radhiti siç është më së keqi sa u përket të arriturave në arsim. Andaj, duhet kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga të gjithë ish-ministrat e pasluftës, të cilët keqmenaxhuan, shkatërruan dhe kriminalizuan arsimin në Kosovë, duke politizuar arsimin dhe duke instaluar mafinë brenda institucioneve arsimore. Kështu politikanët mafiozë- profesorë, shkencëtarë, akademikë, doktorë shkencash, pa kurrfarë merite, pa asnjë lloj baze, duke korruptuar komisionet blenë titujt, duke shantazhuar e duke abuzuar me ligjin dhe etikën arsimore", tha Florim Zeqa.


(Kosova Sot)