Hertica: Strehë e korrupsionit me diploma

  • 14 October 2017 - 16:10
Hertica: Strehë e korrupsionit me diploma

Analisti politik Ali Hertica thotë se është një fatkeqësi e madhe që pikërisht arsimi, institucioni me vital i shtetit, është shndërruar në një lloj strehimoreje e padukshme e krimit dhe e korrupsionit. "Ky sektor ndër të parët më të rëndësishmit për ndërtimin e një shteti dhe kulturës së tij, thuajse është shndërruar në çerdhe të kriminalizuar nga matrapazët politikë, të cilët janë analfabetë me diploma, të cilët arritën që kriminalisht të marrin edhe tituj shkencorë ekspres vetëm për 24 orë, dhe tani ata janë pozicionuar nga politika edhe në kulmin e drejtimit të institucioneve të arsimit apo edhe të institucioneve të tjera me peshë për shtetin, duke i bërë vetes marketing të rrejshëm si intelektualë të nivelit të lartë, prandaj edhe po vazhdojmë ta kemi situatën e tanishme katastrofë në gjithë procesin e shtetndërtimit", ka thënë ai. "Konsideroj se për të gjitha këto veprime degraduese, që e shkatërruan arsimin, duhet të merren në përgjegjësi të gjithë ata që ishin drejtues të deritanishëm të këtyre institucioneve, duke filluar nga ministrat, vartësit e tyre profesionalë dhe këshilltarët analfabetë që e bëjnë atë punë sa për një pagë, kurse as nuk dinë të shkruajnë si duhet apo të lexojnë rrjedhshëm. Këtë fakt e kemi edhe tani të dëshmuar dhe të argumentuar me fakte konkrete", potencoi Hertica.

(Kosova Sot)