Vrau vëllain me thikë, befason në gjyq autori: Jam i pafajshëm sepse…

  • 14 October 2017 - 16:21
Vrau vëllain me thikë, befason në gjyq autori: Jam i pafajshëm sepse…

Një i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij kërkon që, përmes një raporti mjekoligjor, të shpallet i pafajshëm. Bëhet fjalë për Besnik Spahon, i cili në vitin 2014 goditi vëllain e tij me thikë në kokë, pas një konflikti për një borxh. Mirëpo, që nga ajo kohë, ai përballet me drejtësinë dhe kërkon pafajësi.

Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca për kryerjen e një ekspertize të re mjekoligjore për vdekjen e vëllait të të pandehurit, Luan Spahos. Avokati mbrojtës pretendon se Luan Spaho nuk e ka gjetur vdekjen nga plagët e shkaktuara nga goditja me thikë e Besnik Spahos.

Sipas tij, Luan Spaho fillimisht është plagosur dhe dërguar në spital, ku më pas ka dalë në gjendje të mirë. Pesë ditë më pas, ai ka shkuar sërish në spital me dëmtime të reja, sipas avokatit, dhe ka gjetur vdekjen. Nga ana tjetër, pas krimit, Besnik Spaho u arratis dhe u arrestua 1 vit më pas, në 2015-n.

Kjo është ekspertiza e pestë mjekoligjore që bëhet për të ndjerin Spaho dhe duket se çështja do të vazhdojë ende. Lidhur me aktin e ri, prokurori i çështjes ka shprehur kundërshti, por është përballur menjëherë me replika të ashpra nga ana e avokatit mbrojtës.

Sipas tij, prokurori kërkon të prezumojë njëanshmëri të ekspertëve mjekoligjorë, të thirrur ditën e djeshme në seancë. Mes tyre është edhe profesori i njohur, Fatos Harito, ekspert i mjekësisë ligjore, i cili bëri betimin në seancë. Ngjarja e vitit 2014 ndodhi në zonën e “Laprakës” në Tiranë, ku Luan Spaho u qëllua me thikë në kokë nga vëllai i tij, duke e plagosur rëndë atë.

(Kosova Sot)