Qarri: Varfëria, korrupsioni dhe krimi i organizuar izoluan Kosovën

  • 14 October 2017 - 16:51
Qarri: Varfëria, korrupsioni dhe krimi i organizuar izoluan Kosovën

Analisti Gani Qarri pohon se plagët e shtetit të Kosovës sa vijnë e po rriten. "Ato sot janë shumë më të mëdha e më të rënda se disa vite më parë. Gjendja e krijuar, varfëria, stagnimi i progresit dhe izolimi ndërkombëtar i vendit, nuk janë dhuratë nga Perëndia, por pasojë e keqqeverisjes shumëvjeçare e kastës së inkriminuar politike, të zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar", potencoi ai. "Klasa e deritanishme udhëheqëse, jo vetëm se ka dështuar plotësisht të përmbushë standardet themelore për sundimin e ligjit dhe bëjë vendin tonë të pranueshëm për BE-n, por politikanët kontrovers nuk ditën asnjëherë ta shfrytëzonin sa dhe si duhet edhe opinionin pozitiv, juridik, të dhënë mbi Pavarësinë e Kosovës, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Përkundrazi, udhëheqësit e shantazhuar më së rëndi dëmtuan shtetësinë e Kosovës, duke pranuar pa asnjë diskutim publik, konsultim të Kushtetutës, as vendim të dalë nga Kuvendi, vendosjen e fusnotës mbi statusin e Pavarësisë tonë të shpallur botërisht në Parlament....nënshkruan themelimin e "Zajednicës" serbe, pa asnjë transparencë dhe mundësuan krijimin e shumë gjepave tjerë të Serbisë, anekënd Kosovës", theksoi Qarri. "Sado që qytetarët e këtij vendi, me të drejtë mund të konsiderohen si viktimat më të pafajshme që përgjatë gjithë këtyre viteve, u bënë theror i keqqeverisjes dhe abuzimit të paskrupullt të udhëheqësve me kontradiktorë dhe të inkriminuar partiakë e shtetëror të vendit, më në fund edhe ata duhet të vetëdijesohen dhe të mos bien më pre e propagandës politike, por të kuptojnë se Evropa me arsye po i ndëshkohen me mosliberalizim të vizave, e këtë pikërisht për faktin se nga njerëzit e Kosovës, në vijimësi po votohet e njëjta kastë e dështuar politike, e cila i ka sjellë dëme kaq të mëdha vendit dhe popullit të saj, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror", u shpreh ai. "Këta politikëbërës bënë që Kosova të stagnojë në të gjitha drejtimet dhe dështojë në krijimin e një imazhi më të mirë në botë si vend i ri dhe shtet në ndërtim, fakt që do të shërbente si argument pozitiv dhe ndihmonte për njohje të reja, përshpejtonte procesin e anëtarësimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, si BE, UNESCO, INTERPOL etj., e pse jo edhe mundësonte kandidimin për anëtarësimin e saj në OKB. Për aq më keq, nga politikëbërësit kontradiktorë jo vetëm se është krijuar pasiguri e lartë për banorët e vendit, por është shkaktuar edhe mosbesim i pandreqshëm para Bashkësisë Ndërkombëtare", vijoi më tutje Qarri. 

(Kosova Sot)