Jep dorëheqje sekretari britanik i Mbrojtjes - pas akuzave për sjellje të pahijshme

  • 01 November 2017 - 22:10
Jep dorëheqje sekretari britanik i Mbrojtjes - pas akuzave për sjellje të pahijshme

Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, Sir Michael Fallon, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pas akuzave për sjelljet e tij në të kaluarën.

Ai ka thënë se sjelljet e tij mund të kenë qenë nën standardet e pritshme nga ushtria britanike, dhe se është e drejtë që Parlamenti tani po e merr me seriozitet këtë çështje.

BBC ka marrë vesh se vendimi i tij nuk është i lidhur me akuza të reja apo specifike.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka thënë se e vlerëson "seriozitetin" me të cilin Sir Michael e ka analizuar rolin e tij.

May ka thënë se e çmon po ashtu shembullin që ai ka dhënë për ushtarakët britanikë dhe të tjerët.

Ajo ka pranuar dorëheqjen e tij, dhe e ka lavdëruar karrierën e tij "të gjatë dhe mbresëlënëse" prej ministri - pasi ka shërbyer si ministër në katër qeveri të ndryshme.

Dorëheqja e Sir Michael vjen një ditë pasi një zëdhënës i tij ka konfirmuar se ai njëherë është qortuar nga një gazetare, Julia Hartley-Brewer, pasi ka vënë dorën e tij në gjurin e saj gjatë një darke më 2002.

Zëdhënësi ka thënë se Sir Michael i ka kërkuar falje gazetares menjëherë pas incidentit. 

(Kosova Sot)