Piramida kriminale, rrënuese e Republikës

  • 02 November 2017 - 07:59
Piramida kriminale, rrënuese e Republikës

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se skema piramidale e korporatokracisë kriminale në Shqipëri dhe në Kosovë është ajo ku në krye përfshin Treshen e famshme: deputetë, qeveritarë qendrorë e lokalë, gjyqtarët e prokurorët e lartë dhe te ata të vegjël. Poshtë kësaj maje piramidale në bazë janë të besuarit politikë, të ryshfetit dhe të korrupsionit, familjarët dhe të gjithë ata të cilët i blejnë postet dhe detyrat. Gjithashtu, sipas tyre, në këtë piramidë të korporatokracisë së krimit dhe korrupsionit përfshihen edhe shumica e kryetarëve e shoqatave të shoqërisë civile, mediet, administratorët, drejtorët e drejtorive qendrore dhe administrata shtetërore, si dhe një mori matrapazësh, sekserësh dhe avokatësh. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se kur do të ndalet kjo skemë mafioze që e rrënoi përtokë drejtësinë kosovare, dhe cka po pret dhe pse nuk po vepron Prokuroria Speciale (PSRK), për çka edhe është formuar dhe financohet nga taksat e qytetarëve përmes buxhetit të shtetit me rroga të majme. Analisti Skender Kapiti, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se korporatokracia në Kosovë përfshin të gjithë ata, apo më saktë shumicën e atyre të cilët patën rastin e artë politik dhe postet shtetërore, mundësinë, paranë dhe krimin dhe i përdoren ato me qëllim që të siguronin së pari politikën, pushtetin dhe drejtësinë në duart e tyre, me qëllim që ta garantonin veprimtarinë e tyre mafioze për të mos u ndëshkuar nga ligji. " Ja cila është skema piramidale e Korporatokracisë kriminale në Shqipëri dhe në Kosovë: E para e që është në krye përfshin Treshen e famshme: deputetë, qeveritarë qendrorë dhe ata lokalë dhe gjyqtarët e prokurorët e lartë dhe te ata të vegjël. Poshtë kësaj maje piramidale në bazë janë të besuarit, besatarët politikë, të ryshfetit dhe të korrupsionit, familjarët dhe të gjithë ata të cilët i blejnë postet dhe detyrat. Gjithashtu, në këtë piramidë të Korporatokracisë së krimit dhe korrupsionit përfshihen edhe shumica e kryetarëve e shoqatave të shoqërisë civile, mediet, administratorët, drejtorët e drejtorive qendrore dhe administrata shtetërore, si dhe një mori matrapazësh, sekserësh dhe avokatesh", shpjegoi ai.

Image

 

Sistem i ngritur mbi vjedhjen

Sipas Kapitit, kjo korporatokraci është vetë sistemi i ngritur mbi vjedhjen, krimin, korrupsionin, matrapazllëkun dhe biznesin e pistë. "Kjo piramidë jo vetëm se mbahet dhe paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, por kësaj piramide nuk i dalin pagat dhe rrogat, por ata me postin e tyre vjedhin paranë publike, bëjnë kontrabandën, evazionin fiskal, ata kontrabandojnë me ligjin, me të drejtat njerëzore dhe me atë shtetërore, bëjnë kërdinë me importet, me tenderët, me privatizimet, me investimet, me lejet e ndërtimit dhe të tjera e të tjera afera e abuzime në gjithçka ku burojnë pasuri në mënyrë të ligjshme, por sidomos në ato të paligjshme", potencoi më tutje ai. "Ky sistem korrupsioni sot në Shqipëri e në Kosovë është një sistem piramidal dhe nuk e di, por mendoj se është një sistem piramidal si ai apo më i keq se ai i faraonëve, perandorëve, mbretërve, carëve e diktatorëve, por vetëm se ka ndërruar maskën. Këtë piramidë e shemb vetëm një Ligj 'VETTING' i formuluar dhe i monitoruar nga amerikanët, sepse nuk ka besim në popull se 'VETTING'- un e miratojnë politikanët e Kosovës si dhe nuk ka besim te qytetarët se do ta zbatojnë vetë politikanët, qeveritarët dhe gjyqtarët shqiptarë, të cilët kanë ngritur piramidën e Korporatokracisë", u shpreh analisti Skënder Kapiti.

Image

 

 

Korrupsioni, kanceri i shoqërisë

Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, ka thënë shkurt se korrupsioni është kanceri i shoqërisë. "Korrupsioni po ndikon negativisht në të gjitha poret e jetës, po ndikon në zhvillimin ekonomik, në barazinë sociale, në konkurrencën e lirë, në mosbesimin e qytetarëve në institucionet e vendit dhe në të gjitha poret e jetës. Prokuroria po merret me vetveten, shikoni se çfarë problemesh statusore kanë", spikati për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni. Ndërsa, analisti Naim Kelmendi ka nënvizuar se shteti ligjor dhe funksionimi i drejtësisë nuk bëhet me klanet mafioze që vijnë nga njerëzit e partive në pushtet, derisa, siç tha, partitë e pasluftës që morën pushtetin gjerë më tani kanë degraduar në gjithë sferat e sundimit të ligjit, duke qenë kështu vetë njerëzit e këtyre partive, si keqpërdoruesit dhe shkelësit më të mëdhenj të ligjit, por në të shumtën e rasteve edhe mbi ligjin. "Janë pikërisht njerëzit e këtyre partive shkelësit dhe abuzuesit kryesorë me ligjin, ndërsa në anën tjetër ka aq shumë raste dhe afera të korrupsionit e të krimit të organizuar, por edhe aktakuza të ngritura nga institucionet gjyqësore ndaj këtyre keqpërdoruesve të pozitave zyrtare e të tjera, dhe shkelës të ligjit, por pas disa kohësh ata sikur përfundojnë si të pafajshëm dhe kështu mbesin në heshtje e më vonë edhe harrohen, pra thjesht mbesin pa u ndëshkuar, pasi janë mekanizmat e klaneve mafioze e partiake që veprojnë dhe i nxjerrin të pafajshëm, ku për rrjedhojë ka degraduar si mos më keq vetë drejtësia dhe sundimi i ligjit në Kosovë", ka vijuar më tej ai. Tutje, Kelmendi ka shtuar se tanimë, sikurse sistemi i drejtësisë përgjithë- sisht, është dorëzuar krejtësisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, gjersa në anën tjetër prokurorët e gjyqtarët kosovarë me heshtje, me hile e hipokrizi apo me mosveprim e kanë shndërruar këtë shtet të pashpresë në fushën e sundimit të ligjit.

Image

 

Shteti në duart e klaneve

Analisti Naim Miftari thotë se, sipas mendimit të tij personal, sot kur jemi shtet i vuajtur ndër shekuj korrupsioni është tradhti ndaj vendit dhe popullit dhe përbën rrezik të madh për ardhmërinë e vendit tonë. Tutje, ai thotë se sistemi i shkatërruar i drejtësisë, arsimit dhe i tërë sistemit të ligjit përbën rrezik për të ardhmen e vendit tonë, prandaj ligji dhe njerëzit që nuk janë të korruptuar janë pakicë dhe të korruptuarit janë shumicë dhe punojnë njësoj sikurse shteti serb që punon ditë e natë që ta minojë të ardhmen e Kosovës, pra, siç tha, janë aleatë serbë, prandaj këtë politikë të mentalitet të korruptuar duhet luftuar me të gjitha mjetet e mundshme. Sipas tij, njëherë për njëherë s'ka kush e ndal pas i tërë sistemi shtetëror kontrollohet nga klanet dhe para sistemet politike të lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe zbatuesit e ligjit janë vetëm si mbulesë e krimit të organizuar politik dhe të nëntokës politike. " 'Vetting'-u në organe të rendit në gjyqësi dhe në AKI do ishte vetëm fillimi i pastrimit nga ndikimi politik dhe nëntokës në organet gjyqësore dhe të drejtësisë përgjithësisht. 'Vetting'-u dhe ndihma e FBI-së amerikane, por edhe ndihma gjermane e britanike do të ishin shpëtim për tërë sistemin juridik shtetëror, por edhe do të ishte jetike për të ardhmen e vendit tonë, pasi sot Kosova llogaritet si një vrimë shumë e zezë në mbarë Evropën sa i përket sundimit të ligjit dhe sidomos kontrabandës dhe korrupsionit", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

(Kosova Sot)