Haradinaj i përgjigjet Thaçit për Demarkacionin

  • 02 November 2017 - 14:32
Haradinaj i përgjigjet Thaçit për Demarkacionin

Kryeministri Ramush Haradinaj i është përgjigjur drejtpërdrejt presidentit Hashim Thaçi për çështjen e marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Shefi i Qeverisë ka thënë se nuk ka shanse që në Kuvendin e Kosovës të sigurohen 2 /3 e votave për versionin aktual të marrëveshjes, përderisa siç tha ai sipas të gjitha gjasave, arbitrazhi do të jetë zgjidhje për këtë çështje.

Kreu i shtetit një ditë më parë i kishte inkurajuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që pa vonesa ta ratifikojnë këtë ujdi sipas versionit të nënshkruar në vitin 2015.

“Kushdo që kërkon ekspertizë akademike, duke tejkaluar ekspertizat e NATO-s, Uashingtonit e Brukselit, besoj se këto janë të dëmshme. Nëse duam liberalizimin e vizave, duhet të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në gusht të vitit 2015”, kishte deklaruar numri një i Kosovës.

Komentet e Thaçit erdhën në kohën kur Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj, po provojnë që ta rishikojnë këtë marrëveshje.

 (Kosova Sot)