“Do takoj shefin e madh”, Prokuroria kërkon tabulatet e Florian Habilajt

  • 02 November 2017 - 14:35
“Do takoj shefin e madh”, Prokuroria kërkon tabulatet e Florian Habilajt

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë kërkesë drejtuar disa kompanive të telefonisë celulare që operojnë në vend, që t’i mundësojnë marrjen e tabulateve telefonike për numrat e përdorur në Shqipëri nga Florian Habilaj, i njohur ndryshe si “Lolo”.

Shkak për këtë është bërë një përgjim ambiental nga Prokuroria e Katanias, ku Florian Habilaj i thotë bashkëbiseduesit se “duhet të kthehej në Tiranë pasi do të takonte shefin e madh”.

Pikërisht, Krimet e Rënda duan të zbulojnë se cili është “shefi i madh” që përmend i kërkuari në bisedën e përgjuar në Sicili dhe nëse ky takim është kryer ose jo. Për këtë arsye Prokuroria kërkon tabulatet për të mësuar se me cilët persona ka biseduar Florian Habilaj gjatë kohës që ka ardhur në Shqipëri dhe nëse njëri prej tyre është pikërisht ky person që përmendet në përgjime.

Dyshimet mbi identitetin e “shefit të madh” bien mbi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Për këtë arsye, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar edhe bllokun ku shënohen hyrje-daljet në Ministrinë e Brendshme.

Florian Habilaj

Image

 

Bëhet fjalë vetëm për hyrje-daljet nga viti 2013 dhe në vazhdim, në kohën kur Saimir Tahiri ka qenë ministër i Brendshëm. Prokurorët kërkojnë të verifikojnë nëse Florian Habilaj, apo çdonjëri i akuzuar si pjesëtar i grupit kriminal të trafikut të drogës, ka shkuar në Ministrinë e Brendshme për të takuar ministrin e atëhershëm, Saimir Tahirin.

Florian Habilaj konsiderohet si një prej organizatorëve të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ende nuk është lokalizuar, si nga ana e Policisë së Shtetit shqiptar, edhe asaj italiane.

Deri më tani janë kapur vetëm 9 nga 11 pjesëtarët e dyshuar të grupit të Habilajve. 7 prej tyre ndodhen në shtetin fqinj, përfshirë edhe Moisi Habilajn, ndërsa dy prej tyre janë në Shqipëri. Nga hetimet në Shqipëri ka dyshime se grupi i Habilajve bashkëpunonte ngushtë me atë të Taulant Haxhirajt, i cili po gjykohet gjithashtu nga Krimet e Rënda për trafik droge. Bëhet fjalë për grupin e Treblovës, ku dyshohet se transporti i drogës bëhej me avion nga Shqipëria drejt Italisë.

Grupi i Haxhirajt kishte pjesë të tij edhe një efektiv të policisë, që është ende në kërkim. Janë hetimet e antimafies së Leçes ato që kanë ngritur dyshime për bashkëpunim mes Habilajve dhe Haxhirajt. Në këtë mënyrë, hetimet janë shtrirë në disa grupe, qoftë trafiku e qoftë kultivuesish.

Duke filluar nga java e ardhshme, ishministri Tahiri do të thërritet sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për dosjen “Habilaj”. Herën e parë ai shkoi me kërkesë të tij për të dhënë sqarime, ndërsa tani do të pyetët më imtësisht lidhur me rastin. Për hetimin e kësaj çështjeje delikate janë ngritur disa task-forca dhe grupe pune të përbashkëta mes organeve të akuzës shqiptare dhe italiane.

 

(Kosova Sot)