Pas miellit, të taksohet edhe gruri nga Serbia

  • 09 November 2017 - 08:07
Pas miellit, të taksohet edhe gruri nga Serbia

Anëtarë të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Zhvillim Ekonomik Tregti dhe Industri kanë kërkuar ditë më parë nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, që të ndërmarrë masa doganore edhe ndaj importit të grurit nga Serbia, ashtu siç kanë vendosur masa për miellin e importuar po nga Serbia. Ndërkohë, analistët e kësaj fushe janë të mendimit se arsyeja e vërtetë se përse grurit të importuar nga Serbia nuk i janë vendosur masa doganore pikërisht fakti se importuesi më i madh dhe pothuajse i vetmi, i krundeve dhe grurit nga Serbia, është kompania që është në pronësi të Shkëlqim Devolli, dhe jo se ky import po bëhet për interesin e qytetarëve tanë të varfër. Analistët janë të mendimit se ministri aktual i MTI-së duhet që urgjentisht të vendosë këto masa për grurin, ashtu siç i ka vendosur për të ndalur ventilin e zhvatjes që po bëhet nga afaristi Ramiz Kelmendi përmes miellit të importuar nga Serbia. Për momentin, mbetet një mister i madh se a do të aplikohen këto masa ndaj Serbisë nga ana e MTI-së. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të MTI-së, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje sikurse edhe kompania që është në pronësi të afaristit Shkëlqim Devolli dhe shumica e anë- tarëve të Komisionit për Tregti dhe Industri. Zyrtarja e MTI-së, Sytrime Dervisholli, drejtoreshë e Departamentit për Tregti në Ministrinë e MTI-së, përmes celularit ka dërguar një mesazh nga Tirana për " Kosova Sot". "Të mërkurën jam në një vizitë zyrtare në Tiranë së bashku me ministrin Bajram Hasani dhe nuk mund të japin përgjigje për gazetën se a do të aplikohen këto masa edhe për importin e gruri nga Serbia", ka thënë ajo.

Image

 

Masa të vonuara

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha (Nisma), lidhur me çështjen për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se një iniciativë e tillë e deputetëve të këtij Komisioni, që të aplikohen këto taksat edhe për grurin nga Serbia, ndonëse e vonuar pak, është më se e drejtë. "Është shumë më mirë që janë aplikuar këto taksa më vonë sesa ato mos të ishin aplikuar fare. Me Serbinë duhet që të përdoren të gjitha masat e tjera të reciprocitetit dhe përse jo edhe ato të politikës", potencoi ai. Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, tha për "Kosova Sot" se duhet përkrahur kërkesën e anëtarëve të Komisionit për Tregti dhe Industri, për vendosjen e taksës edhe ndaj grurit që po importohet nga Serbia. "Kjo, ngase një kërkesë e tillë ka qenë shumë e drejtë dhe ministri Bajram Hasani duhet që ta aplikojë menjëherë taksën ndaj çdo lloj ushqimi që importohet, kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve tanë, që mund të rrezikohet nga mallrat ushqimore që po importohe

Të ndalet zhvatja

Ndërsa, analisti Florim Rudhani, tha për gazetën " Kosova Sot"se faktet flasin se arsyeja e vërtetë se përse grurit të importuar nga Serbia nuk i janë vendosur masa doganore është se importuesi më i madh dhe pothuajse i vetmi, i krundeve dhe grurit nga Serbia, është kompania në pronësi të Shkëlqim Devollit. "Ministri aktual i MTI-së, Bajram Hasani, duhet që urgjentisht të vendosë këto masa për importin e grurit, ashtu siç i ka vendosur për të ndalur ventilin e zhvatjes që po bëhet nga afaristi Ramiz Kelmendi, që po e bën këtë përmes miellit të importuar nga Serbia", tha Rudhani. "Një ndalesë e tillë e importit të grurit serb duhet që të bëhet për faktin se me këtë vendim të tyre MTI-ja do të kontribuonte që të ndalojë ventilin e madh të zhvatjes së qytetarëve tanë, që po bëhet nga afaristi Shkëlqim Devolli përmes grurit dhe krundeve të importuara nga Serbia për në Kosovë", theksoi ai.

Image

 

Rezistenca e oligarkëve

Analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot" se është skeptik se ministri Hasani do të guxojë të ndërmarrë masa ndaj importimit të grurit nga Serbia. "Kjo për faktin se janë Devollët ata që importojnë, dhe kur Devollët janë në një biznes, aty nuk guxon askush të ndërhyjë. Nuk guxon, sepse Devollët i ushqejnë dhe ua mbushin kontot me para shefave të ministrave", u shpreh ai. "Edhe pse është e domosdoshme që të vendosen masa doganore ndaj grurit serb, për shkak të cilësisë së dobët dhe ikjes nga taksat doganore, derisa Devollët importojnë krunde në vend të grurit, duke shkaktuar edhe sëmundje tek qytetarët e vendit, Kosova nuk pritet që të çlirohet nga një ministër, qoftë ai edhe me vullnet të mirë për të bërë një gjë të tillë", theksoi Mehmeti. "Është për t'u përshëndetur që Komisioni i Zhvillimit Ekonomik ka kërkuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë që të ndërmarrë masa doganore ndaj grurit të importuar nga Serbia, por kjo pritet të mbetet veç një kërkesë që nuk do të zbatohet asnjëherë. Kështu ndodh kur kemi në pushtet politikanë që janë vegla të bandave dhe mafiozëve", tha më tutje ai. "Derisa ministri Hasani ka vendosur ta ndalë ventilin e vjedhjes ndaj Ramiz Kelmendit, këtë gjë nuk mund ta bëjë ndaj Devollëve. Kjo, sepse Devollët i kanë rrënjët shumë thellë tek koalicioni qeverisës, si dhe tek partitë e tjera. Nëse edhe Ramiz Kelmendi do të ishte pjesë e koalicionit qeverisës, sigurisht se nuk do t'i ndalej ventili. Kjo shpjegon më së miri rënien ekonomike në vend, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe papunësinë e madhe", ka thënë Mehmeti

Image

 

Manovrat tregtare në kurriz të Kosovës

Ndërsa, analisti Muhamet Kelmendi tha se "Kosova Sot' ka sjellë në vazhdimësi shkrime të faktuara se çfarë manovrimesh po bëhen në tregtinë, kryesisht me Serbinë, jo vetëm nga " ETC"-ja e Ramiz Kelmendit, por edhe nga Kompania " Devolli", dy subjekte tipike profitere, pa shikuar interesat e vendit tonë. "Natyrisht se jo vetëm që duhet ndaluar këtë tregti të pabarabartë me shtetin serb, duke vënë masa dhe sanksione të ndryshme ekonomike, por kërkohen të merren edhe masa ndëshkuese kundër atyre që po i shkelin masat e tilla, ndonëse të tillët janë shumë pak, por të fortë ekonomikisht", u shpreh ai. "Në veçanti duhet rritur masat doganore dhe tatimore ndaj mallrave esenciale, sikundër që është gruri, misri dhe produktet e tjera. Natyrisht se lidhjet midis këtyre matrapazëve ekonomikë dhe atyre të politikës janë të mëdha. Përfitime kanë, si 'ETC'-ja, 'Devolli', sikundër edhe 'HIB'-i, 'Alpetroli', 'Lesna' etj., por kanë edhe politikanët, që ishin dhe janë të lidhur me ta", theksoi Kelmendi. "Kjo është çështje për Prokurori. Kosova është duke vuajtur shumë nga këto kompani. Ato po blejnë prodhime të prodhuara vetëm për Kosovën në Serbi, prodhime pa kualitet, të dyshimta dhe shumë të skaduara në afat, që po krijojnë edhe sëmundje të ndryshme në vendin tonë. Këto prodhime po shiten nëpër dyqanet dhe shtëpitë shitëse, si 'Interex', 'Super -Viva', 'ETC'-ja, apo në 'Lesna', etj., me çmime të tjera, prej nga po kanë përfitime të mëdha. Deri në 1 miliard euro po shkojnë nga duart e këtyre firmave në Serbi", ka potencuar Muhamet Kelmendi.

STOP krundeve

Analisti Ragip Guraziu tha për " Kosova Sot " se pa asnjë fije dyshimi ministri i MTI-së, Bajram Hasani,duhet që ta ndalojë urgjentisht importuesin më të madh dhe të vetmin të krundeve dhe grurit nga Serbia, Shkëlqim Devolli. "Duhet që të merren masa se çfarë cilësie të krundeve dhe grurit po na vjen", tha ai. "Komisioni për Zhvillim Ekonomik shumë me vonesë kanë reaguar dhe të njëjtët duhet të marrin masa doganore edhe ndaj importit të grurit nga Serbia, ashtu siç kanë vendosur masa për miellin e importuar po nga Serbia", vijoi më tuje ai. Ndërsa, analisti Reshat BadallajZhuriani tha për "Kosova Sot " se këta banditë futën krunde në vend të grurit, shqiptarët i krahasuan me kafshët dhe akoma vazhdojnë veprimtarinë e tyre kundër Kosovës dhe askush nuk po merr masa kundër kësaj bande. "Populli me të madhe kanë filluar të kuptojnë se banda serbiane Devolli janë rreziku më permanent për vendin tonë. Andaj, edhe mund të ndodhë që pranverën nuk mund ta presin, se popullit u ka ardhur shpirti në maje të hundës dhe i tërë faji mbetet te kjo bandë kriminale, që po e vjedhin Kosovën dhe po pasurohen hajnisht si sheikët arabë dhe po e trashin buxhetin e Serbisë e në anën tjetër populli i Kosovës po vuan për bukën e gojës", tha ai.

(Kosova Sot)