Politikanët kosovarë, të zhytur në biznesin 1 miliardësh

  • 10 November 2017 - 08:19
Politikanët kosovarë, të zhytur në biznesin 1 miliardësh

Në Kosovën e pasluftës janë të zakonshme tashmë dyshimet se pas bizneseve fitimprurëse, qëndrojnë njerëz të politikës. Kështu, prapa disa kompanive të mëdha që merren me importin dhe shitjen e derivateve të naftës ka dyshime të mëdha se ato i kanë bashkë-aksionarë gjegjësisht pronarë të vërtetë nën hije, por edhe shefa të tyre politikanët e nivelit më të lartë të shtetit. Të këtij mendimit janë ekspertët e kësaj fushe përfaqësues të shoqatës së naftëtarëve por edhe drejtuesit e AKB-së dhe të shoqërisë civile, sipas të cilëve edhe pse tashmë janë bërë 18 vjet pas luftës, po këta politikanë në kushte anonimiteti të plotë vazhdojnë që të udhëheqin këto kompani nën hije. Analistët thonë se janë politikanët shqiptarë të Kosovës përfituesit nga këto biznese të pista për çdo vit me dhjetëra miliona euro, duke e kontrolluar dhe mbajtur të zaptuar e të sunduar tregun e superkontrolluar dhe me kontrabandë të derivateve të naftës. Ekspertët pyesin se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës nuk ka hapur asnjë rast të vetëm dhe të zbardhë lidhjet kriminale kur të gjithë e dinë se janë figura të larta politike dhe shtetërore, nga pozita dhe opozita, që po qëndrojnë fshehtas, prapa kompanive të mëdha të derivateve të naftës në Kosovë. Analistët janë të mendimit se ka dyshime të mëdha se po këta politikanë për çdo vit ndaras sjellin në Kosovë nga 5 000 cisterna ose nga 150 milionë litra naftë e benzinë me një qarkullim prej më shumë se 1 miliard euro brenda vitit dhe me mbi 200 milionë euro përfitime.

Image

 

Biznes i pistë

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se nuk ka asnjë fije dyshimi se prapa shumë kompanive të mëdha që merren me shitjet e derivateve të naftës, por edhe të bizneseve të tjera, qëndrojnë politikanë të lartë të skenës politike vendore. "I tërë ky biznes i pistë bëhet në atë mënyrë që ato kompani rëndom janë të regjistruara, qoftë në emër të ndonjërit nga familjarët dhe të afërmve të tyre, kurse pjesëmarrja ilegale e këtyre politikanëve në këto biznese të pista bëhet duke qenë qoftë si pronarë anonim apo edhe aksionarë të këtyre kompanive, por gjithmonë në mënyrë ilegale", u shpreh ai. Sipas Malokut, e vërteta vonon, por ajo sërish do të dalë në shesh dhe do të vjen momenti kur pronarët e vërtetë të këtyre kompanive me emra të rrejshëm do të demaskohen."Kjo do të ndodhë kur politikanët e lartë do të largohen nga skena politike dhe do t'u kthehen këtyre bizneseve të pista dhe aksioneve të tyre në po këto kompani", potencoi ai. Maloku ka folur edhe për heshtjen e prokurorisë së shtetit në ndriçimin e këtyre rasteve. "Kjo që po ndodh vërtet është e pakuptimtë. Mirëpo, nëse ndodh që të bëjnë ndriçimin e rastit të parë se cili nga politikanët tanë po fshihet pas këtyre kompanive për ndriçimin e rasteve të tjera, nuk do të ketë aspak vështirësi", vijoi më tutje Maloku.

Image

 

Informaliteti godet buxhetin

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot" tha se shumë kompani të derivateve të naftës, qoftë vendore apo ndërkombëtare, që janë fuqizuar tej mase dhe kanë krijuar një monopol me fuqinë e vet në treg, perceptimet e opinionit janë se dikush nga politikanët e skenës politike vendore apo ndërkombëtare qëndron prapa tyre."Në këto raste ka dyshime të mëdha, por asnjëherë nuk janë të bazuara në fakte dhe derisa ne nuk kemi fakte për këto akuza mbesim vetëm si dëshmitarë okularë se diçka po ndodh", u shpreh ai. Shahini thekson se shumë milionerë të sotëm të Kosovës, që janë bërë pas lufte, nuk kanë pasur një trashëgimi nga e kaluara. Sipas tij, ekonomia jonë ka mundur që të rritet e të fuqizohet edhe më shumë sikur në vendin tonë të kishte një përgjegjësi më të lartë institucionale, për të cilën faktori ndërkombëtar vazhdimisht po jep vërejtjet e veta se në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor është i pranishëm korrupsioni, ndërsa vërehet ngadalësim i rritjes ekonomike në vend. I pari i AKB-së tërhoqi vërejtjen se tregu i derivateve të naftës është ndoshta sektori më i zhvilluar në Kosovë dhe të hyrat në buxhet kryesisht vijnë nga ky sektor dhe sigurojnë një qëndrueshmëri të buxhetit të Kosovës."Por e keqja është se po ky sektor po e rrezikon më së tepërmi buxhetin e Kosovës, për shkak se informaliteti është shumë prezent, ngase një numër i madh i këtyre pikave furnizohen me derivate të naftës duke iu shmangur kontrollimeve doganore dhe duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës", potencoi Shahini.

Image

 

Dyfishimi i dyshimtë i pompave

Ekonomisti Dardan Grapci tha për "Kosova Sot" se prej viteve 2000 e deri më sot thuajse numri pompave të derivateve të naftës një çdo qytet është dhjetëfishuar."Shtrohet pyetja se si ka mundësi që në një vend siç është Kosova, me mbi 80 për qind të popullsisë që janë të rinj dhe pa kushte për jetesë, pa punë, pa pagesa sociale, etj., po hapen pompat e benzinës thuajse në çdo cep të rrugës", u shpreh ai."Nuk ka asnjë fije dyshimi se në këto biznese të pista me derivate të naftës kanë gisht politikanët tanë të sotëm, të cilët legalisht apo ilegalisht me paratë e vjedhura të popullit kanë hapur këto pompa të derivateve me emra të familjarëve ose të afërmve të tyre ose me emra fiktivë, qoftë edhe si aksionarë të tyre, duke i korruptuar zyrtarët e lartë politikë dhe ata biznesmenë", potencoi analisti Grapci."Kjo heshtje e Prokurorisë së Shtetit si duket dikujt po i konvenon në Kosovë që të ndodhë i gjithë ky skandal, duke e ditur se asnjëri organ, qofshin ata Policia e Kosovës, Prokuroria dhe gjykatat, nuk kanë ndërmarrë masa për parandalimin e kontrabandës ilegale me derivate që po futen ilegalisht në Kosovë", ka thënë ai.

Image

 

Pushtetarët përfitojnë paligjshëm

Ndërsa, analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se nuk është risi më se prapa shumicës së kompanive të mëdha që merren me importin dhe shitjen e derivateve të naftës i kanë bashkë- aksionarë gjegjësisht pronarë të vërtetë nën hije, por edhe shefa të tyre, politikanët e nivelit më të lartë të shtetit. "Që nga paslufta, politikanët tanë në kushte anonimiteti të plotë po vazhdojnë të udhëheqin këto kompani nën hije ose si aksionarë dhe ata janë "padronët" ose pronarët e vërtetë që po sundojnë me "arin e zi" në Kosovë", ka theksuar ai. Sipas tij, politikanët shqiptarë të Kosovës po përfitojnë nga këto biznese të pista me dhjetëra miliona euro, duke e kontrolluar dhe kontrabanduar derivate të naftës dhe duke i mbushur kontot e tyre bankare në vend dhe jashtë vendit. "Ka dyshime të mëdha se po këta politikanë për çdo vit ndaras sjellin në Kosovë nga 5 000 cisterna ose nga 150 milionë litra naftë e benzine me një qarkullim prej më shumë se 1 miliard euro brenda vitit dhe me mbi 200 milionë euro përfitime", u shpreh Rrudhani."Nuk duhet të çuditemi se përse Prokuroria e Kosovës nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se cilat figura të larta politike dhe shtetërore, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, qëndrojnë fshehtas, por edhe realisht prapa kompanive të mëdha të derivateve të naftës në Kosovë", ka theksuar ai. ,Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë së Shtetit lidhur me mosfillimin e hetimeve, që të zbardhen këto raste, gazeta nuk ka marrë përgjigje.

(Kosova Sot)