Kelmendi: Grupet e interesit po e shkatërrojnë shtetin

  • 11 November 2017 - 14:35
Kelmendi: Grupet e interesit po e shkatërrojnë shtetin

Prof. Muhamet Kelmendi, njohës i të gjitha përpjekjeve për ndërtimin e ri të shtetit të Kosovës, ish-deputet i legjislaturës së parë të pasluftës, thotë se sidomos në vendet e tranzicionit, sikur është Kosova, krijimi i grupeve të interesit, në bazë të lidhjeve fisnore, lokale apo krahinore, është dukuri mbi të cilën ndërtohet i tërë pushteti shtetëror. E tani, sipas tij, këtë sëmundje të rëndë po e vuan edhe Kosova."Në Kosovë janë krijuar grupe të mëdha të interesit. Këso grupe kemi në Presidencë, në Qeveri, në veprimtaritë private ekonomike dhe financiare, në polici, në gjykata dhe në prokurori. Madje, grupe të tilla të interesit ka edhe në parti politike, prej nga po krijohen grupe të interesit edhe në Kuvendin e Kosovës", u shpreh Kelmendi. Sipas tij, janë tri baza mbi të cilat mund të gjenden vendet e punës: 1. Lidhjet krahinore, lokale, fisnore, partiake, 2. Interesat ekonomiko-financiare dhe 3. Amoraliteti si formë e punësimit."Mbi këto tri baza kemi punësim në Presidencë, në Qeveri dhe në Kuvend, kudo në pushtetin shtetëror. Madje mbi bazën e tillë mënjanohen edhe kualifikimet adekuate për vendet e punës. Shembull konkret kemi kryeprokurorin Aleksandër Lumezi dhe natyrisht kemi shumë Lumez-a të tjerë në prokurori, në polici dhe nëpër gjykata. Gjendja e tillë mund të rregullohet vetëm në qoftë se e fusim sistemin e pastërtisë së figurave, të cilët duhet të punësohen apo vetëm janë të punësuar. Dhe në këtë drejtim pa e bërë përzgjedhjen e kuadrit, spastrimin e Prokurorisë dhe gjyqësorit nga figurat e tilla të dëmshme nuk do të kemi ndërtim de jure të shtetit, pra nuk do të kemi shtet ligjor të Kosovës", potencoi Kelmendi.

(Kosova Sot)