Në të ardhmen njerëzit do të jetojnë në qytete nënujore

  • 11 November 2017 - 19:05
Në të ardhmen njerëzit do të jetojnë në qytete nënujore

PAS BËRJES SË MODIFIKIMEVE GJENETIKE, NJERËZIT MUND TË PAJISEN ME VERZA DHE TË JETOJNË NËN UJË

Simon Evetts, ekspert i operacioneve hapësinore, beson se shkencëtarët mund ta udhëheqin evoluimin e njerëzve

Ideja e të jetuarit nën ujë mund të na sjell ndërmend sirenat, por një ekspert thotë se kjo gjë, në të ardhmen, mund të bëhet realitet. Simon Evetts, ekspert i operacioneve hapësinore, beson se shkencëtarët mund ta udhëheqin evoluimin e njerëzve, duke i pajisur ata me aftësi të supernjeriut. Duke folur në një konferencë këtë javë, Evetts tha se, me modifikimet adekuate, në të ardhmen një aspekt i shoqërisë mund të zhvendoset për të jetuar në oqeane. Simon Evetts është drejtor i operacioneve hapësinore në "Blue Abyss", qendrën më të madhe kërkimore në botë, të thellësisë së deteve dhe të hapësirës. Kërkimi i tij aktualisht përqendrohet te ajo se si trupat e astronautëve të përshtaten për udhëtime në hapësirë. Por, ai beson se kërkimi i tij mund të zgjerohet së shpejti në përmirësimin e njerëzve në Tokë. 

Kush do të jetojë në thellësi të oqeaneve?

Duke folur në "Web Summit", këtë javë në Lisbonë, Evetts tha: 'A do ta shohim në të ardhmen një aspekt të shoqërisë që do të shkojnë për të jetuar në oqeane? Dhe, nëse ata e bëjnë një gjë të tillë, çka do të bëjnë për ta përsosur veten? A mundemi t'i kopjojmë delfinët dhe fokat, se si e mbajnë frymën aq gjatë nën ujë dhe ne ta bëjmë një gjë të tillë? A do të mundohemi që t'i përvetësojmë këto aftësi dhe të përfundojmë me zgavra të gjera të kraharorit, për shkak se do të bëhemi me verza?" Duke reaguar në këto pyetje, një i pranishëm aty shtroi pyetjen se, në një rast të tillë, a do të mund të quhen ato krijesa njerëz, apo diçka tjetër. Evetts u përgjigj se, përkundër asaj se çfarë modifikime do të bëhen dhe sa të thella do të jenë ato, njerëzit do të mbeten njerëz, por njerëz 2.0.' Simon Evetts nuk është i vetëm në ambiciet e tij për mbinjeriun. Po ashtu, duke folur në këtë konferencë, Bryan Johnson, themelues i "Kernel", një kompani që prodhon mikroçipa të trurit, tha se, për 15 deri 20 vjet, truri ynë do të mund të bëjë shumë gjëra. "Për shembull, a mund ta kem një memorie të përkryer? A mund t'i fshijë kujtimet e këqija? A mund ta rriti shpejtësinë e të mësuarit? A mund të komunikoj tru me tru? Paramendoni, sikur të them unë 'dua ta di si është të jesh kauboj në Amerikë gjatë viteve 1800?" dhe dikush ta krijojë këtë përvojë mendore. Unë më pas do të isha në gjendje që ta blija atë përvojë nga ai njeri dhe ta përjetoja". 

Përdorimi aktual i çipeve të trurit

"Kernel" aktualisht është duke punuar në prototipat e pajisjeve implantuese të trurit, për përdorim mjekësor te njerëzit. Kompania e tij ka filluar që të bëjë teste me pacientët epileptikë në spitale. Por, para se çipat e trurit të prodhohen për njerëz të shëndoshë, kompania shpreson se kjo pajisje do të përdoret për përmirësimin e memories te njerëzit e sëmurë nga proceset degjenerative, sikur që është sëmundja e Alzheimerit. Duke folur për "New Scientist", Johnson deklaroi: "Ideja është që nëse keni humbje të funksionit mendor, atëherë mund të prodhohet proteza e cila do të vendoset në hipokampus të trurit, duke e rikthyer memorien. Mbinjerëzit e parë janë ata që, në fillim, kanë deficite". 

Image

 

(Kosova Sot)