Kuvendi, një dështim i madh

  • 03 December 2017 - 07:43
Kuvendi, një dështim i madh

LEGJISLATURA KAMPIONE E DOBËSIVE NË HISTORINË PARLAMENTARE 

Deputetët, shërbëtorë të dëgjueshëm të oligarkëve partiakë

Duke analizuar ecurinë e punës së deritanishme të Kuvendit të Kosovës, në këtë përbërje të re, analistët politikë konsiderojnë se këta deputetë dhe këto parti politike të përfaqësuara në këtë mandat po e marrin përfundimisht notën e madhe të dështimit në misionin e tyre përfaqësues dhe ligjvënës. Ky vlerësim negativ konsiston në faktin që legjislativi tashmë ka bërë më shumë se 100 ditë, që kur u përmbyll faza e konstituimit, e që u realizua me plot probleme dhe përplasje të ashpra politike, duke e bërë jofunksionale jetën parlamentare. Për inate politike, konstituimi i Kuvendit u ndërpre disa herë, u nis më 3 gusht dhe arriti të përfundohej vetëm më 7 shtator, kur edhe u zgjodh kryetari i Parlamentit. Deri tani, Legjislatura e gjashtë, prej kur ka filluar punën, ka miratuar vetëm disa ligje që mund të numërohen në gishta, atë për plotësimndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së derisa seanca e fundit kaloi vetëm disa ligje në leximin e parë. Këto fakte, sipas analistëve, janë të mjaftueshme për të konstatuar që në fillim se kjo legjislaturë është legjislatura më e dobët dhe më e painteresuara për të punuar, përderisa edhe pse nuk punojnë, pagat e majme nuk i refuzojnë. Analisti politik Reshat Sahitaj thekson se këtë gjendje e kemi në këtë nivel kaq të çrregullt në Kuvendin e Kosovës, sepse, sipas tij, përbërja e re e Kuvendit të Kosovës është një garniturë gjysmëanalfabetësh, ku shumica kurrë në jetën e tyre nuk e kanë lexuar një libër."Përbërja e re e Kuvendit të Kosovës është një grumbullim simpatizantësh të partive, të cilët më para kanë blerë postin dhe nuk kanë asnjë përgatitje dhe vetëdije kombëtare", u shpreh ai.

Servilët u bënë deputetë

Sipas Sahitaj, përbërja e re e Kuvendit të Kosovës është një grumbullim i disa njerëzve zvarranikë e besnikë, të partive, të cilët postin e deputetit e fituan në saje të akteve agresive dhe barbare. Në këtë përbërje të re të Kuvendit të Kosovës ekzistojnë edhe disa deputetë, të cilët e meritojnë titullin deputet i Kosovës e të cilët bëjnë përpjekje për mirëqenien e popullit të tyre, mirëpo numri i tyre është i vogël, andaj edhe ndikimi për ndryshime reale është po ashtu i vogël", u shpreh ai. "Që nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, populli ynë ka pasur mundësinë të mbajë mend vetëm sharje e fyerje nga më të dobëta që nuk i përkasin gjuhës së një deputeti, mirëpo duke pasur parasysh që shumica e deputetëve nuk kanë lexuar asnjë libër, populli ynë vetëm habitet. Gjatë këtyre muajve, na mbetet në kujtesë fjalori banal dhe çoroditës i Fisnik Ismailit, i cili i cili ia përmend spermën e babait të Ganimete Musliut. Është e pabesueshme se si një deputet ka guxim të ofendojë një deputet tjetër e veçmas një femër më një fjalor të tillë. Gjatë këtyre 100 ditëve populli ynë do e mbajë në mend fjalorin dhe grushtimet e Frashër Krasniqit, i cili përmes kësaj sjellje brutale e ka treguar se vendin e ka në burg e jo deputet i Kosovës. Gjatë kësaj periudhe 100-ditëshe, populli ynë do të mbajë mend ditën e votës për Ramush Haradinaj, i cili u detyrua që të priste orë të tëra deputetët e Listës Serbe, sepse VV-ja në vend se ta votonin e sabotuan duke shpresuar që në këtë post ta emëronin Albin Kurtin", vijoi më tej Sahitaj. Sipas tij, kjo garniturë e re e Kuvendit gjatë këtyre 100 ditëve i morën rrogat pa punuar asgjë, madje është për t'u habitur me VV-në se si këta nuk e njohin Kuvendin, Qeverinë e as shtetin e Kosovës e rrogat nuk i refuzojnë nga kjo qeveri, të cilën refuzojnë ta njohin."Ngjashëm me deputetët e VV-së veprojnë edhe deputetët e Listës Serbe që po ashtu nuk e njohin Kuvendin e as shtetin e Kosovës e rrogat i marrin nga Kosova. Pra, nuk duhet habitur se gjatë 100 ditëve këta deputetë aprovuan vetëm ligjet ku preket xhepi i tyre, si Ligjin për buxhetin e Kosovës", tha Reshat Sahitaj. "Mendoj se të gjitha partitë politike, e veçmas liderët e partive, nuk janë të interesuar që në gjirin e partisë të fusin intelektualët tanë, të cilët kanë aftësi profesionale dhe vetëdije kombëtare. Secila parti politike i afron vetëm besnikët , zhvatësit dhe zvarranikët e tyre, me të cilët mund të bëjnë çka të duan dhe mund të dirigjohen e kontrollohen lehtë e pa telashe nga liderët e partive. Nëse kjo praktikë e zvarranikëve do të vazhdojë edhe në zgjedhjet e tjera, Kosova kurrë nuk do ketë garniturë profesionale dhe deputetë me vetëdije kombëtare", potencoi ai.

Kuvend i dobët, qeveri e paaftë

Analisti politik, Ali Hertica, konstaton se kjo legjislaturë e re e Kuvendit dhe Qeveria nuk dallojnë fare si dy institucione ndër më të dobëtat në historikun e institucioneve të Kosovës. "Ashtu siç kishim frikë dhe mendonim se kjo qeveri do të vazhdojë me avazin e politikave të vjetra, për qëllime politike dhe partiake, ta dëmtojë interesin e qytetarëve ku përfundimisht jo vetëm Kuvendi, por edhe Qeveria po e merr notën e dështimit në misionin që kanë edhe ligjvënësit, por edhe ekzekutivi. Të gjithë jemi dëshmitarë se si kaluan 100 ditët e para me një mungesë të plotë të efikasitetit në të gjitha fushat e veprimit, prandaj edhe nuk e meritojnë të vlerësohen më shumë se me notën ,,zero,,. Tashmë nuk është lajm të thuhet se njësoj si në qeverinë e kaluar dhe Kuvendi kanë bërë që të krijohet mundësia e punësimit kot së koti të 64 zv. ministrave", vlerë- son ai. "Kuvendi dhe kjo qeveri vazhdojnë në mënyrë të njëjtë partizimin e institucioneve të shtetit dhe në vend të vlerësimit të profesionalizmit, vazhdojnë të shndërrohen në byro të punësimit, kryesisht nga partitë në pushtet, madje duke ndërhyrë edhe në institucione shkencore e arsimore", tha Ali Hertica. Ndërsa, analisti Reshat Badallaj thotë se këta deputetë të kësaj përbërje të re, për aq sa kanë punuar deri më tani, i kanë "haram" pagat që i marrin. "Republika e Kosovës mjerisht nuk ka Kuvend, në fakt ky Kuvend është shkel e shko. Këta vetëm marrin pagat nga djersa e taksapaguesve e haram e paçin! Çfarë Kuvendi ishte ky kur në fushatën parazgjedhore ua kishin vërë drynin dyerve dhe vraponin andej këndej, qytet më qytet e fshat më fshat, për të lehur për bandat e tyre. Këta nuk kryenin punën për të cilën kishin vjedhur votën e deputetit, kinse të punojnë për popull. Kur e nisi ky kuvend punën dhe e kreu deri në fund... kurrë. Gjithmonë, edhe pse pak seanca u ndërprenë ato për përplasjet e tyre dhe inateve që kishin ndërmjet veti. Këta u bënë turpi dhe gazi i botës", ka theksuar Badallaj.

Edhe opozita ka përgjegjësi

Një vlerësim pak më të zbutur sa i takon punës së Kuvendit e ka analisti Gani Qarri. Ai thotë se është fakt se analistët, deputetë të opozitës, madje edhe ndonjë nga monitoruesit e Kuvendit të Kosovës, e vlerësojnë negativisht këtë legjislaturë, por, sipas tij, duke pasur parasysh kohën e shkurtër, stërzgjatje e fushatave parazgjedhore dhe vetë zgjedhjet e njëpasnjëshme, si nacionale edhe ato komunale, të cilat që nga qershori e këndej po vazhdojnë dhe ende nuk kanë marrë përfundimin final të tyre, ka një justifikim."Kjo legjislaturë ka edhe afro katër vite përpara, që do të thotë se me një angazhim efektiv mbetet kohë e mjaftueshme të punojë dhe nuk mund të thuhet që tash se ka dështuar apo edhe që është nga më të dobëtat që ka pasur Kosova deri më tani", theksoi ai. Qarri shprehet kritik ndaj gjuhës dhe veprimeve shumë të vrazhda nga opozita, e cila kur nuk ka argumente dhe sillet me arrogancë. "Vlerësimet me sens negativ dhe të dhënat me ngutësi për t`ia bërë qefin dikujt, ndonjë partie a individi, bëhen me qëllim që ta lënë nën hije edhe punën e bërë, si dhe ligjet e miratuara, të cilat marrë parasysh kohën e kufizuar dhe agjendën e ngjeshur të partive me zgjedhjet dhe ngarkesat me paqartësitë për pamjen dhe krijimin e kuvendeve komunale, nuk janë dhe krejt të pakta dhe aq jo kualitative sa të shahen pa përjashtim, me arsyetimin, kinse Kuvendi i Kosovës nuk i paska përmbushur detyrat e parapara legjislative. Është për keqardhja, gjuha e vrazhdët sidomos nga opozita dhe ata të cilët ishin deri dje në pushtet, por dështuan më së keqi, madje edhe para se të dështojnë të tjerët", vijoi më tej Qarri. "Vetë deputetët e opozitës nuk kanë kërkuar fort as nuk ishin të interesuar dhe aq që të mbaheshin më shpesh mbledhje të Kuvendit dhe miratoheshin ligje", potencoi ai. 

Performanca e deputetëve lë për të dëshiruar

Mirëpo, fillimin e dobët të punës së kësaj legjislature, si të Kuvendit, edhe të ekzekutivit, assesi nuk mund ta arsyetojë analisti Mustafë Kadriaj."Dy legjislaturat e fundit janë legjislaturat më të dobëta, e sidomos kjo e tanishmja është kulmi i dështimit të përfaqësuesve, edhe pse realisht do të duhej të ishte secila legjislaturë me e përgatitur se tjetra, se po krijohen afër dy dekada të parlamentarizmit të ri të Kosovës, por për fat jo të mirë ky është realiteti", u shpreh ai. "Kur them legjislaturë e dobët së pari ndalem te performanca e deputetëve që është nën çdo nivel, duke filluar nga edukimi i tyre dhe përvoja, saqë në këtë legjislaturë kemi edhe njerëz të muzikës tallava, deputetë që dinë të bëjnë fizkultura, deputetë që argument i kanë muskujt e tyre dhe deputetë që dinë të bëjnë vetëm zhurmë, si pozitë dhe opozitë", vijoi më tutje Kadrijaj. Sipas tij, si qeveri edhe ashtu nuk pritet më shumë e më mirë sesa që është mjafton që së pakut nuk kemi ngërç dhe bllokim institucional. 

(Kosova Sot)