Serbia mund ta arrestojë Haradinajn

  • 03 December 2017 - 20:52
Serbia mund ta arrestojë Haradinajn

U deshtë që të arrestohen tre kryeministra të vendit, në mënyrë që fletarrestet e lëshuara nga Serbia të hidhen poshtë.

Hashim Thaçi, Agim Ceku dhe Ramush Haradinaj, të tre udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe më vonë edhe të Qeverisë së vendit, u patën arrestuar me kërkesë të shtetit serb.

E vendimi i INTERPOL-it që më në fund të hiqen nga lista e fletë arresteve ndërkombëtare, po komentohet në mënyra të ndryshme.

Zyrtarët më të lartë të shtetit serb, e kanë quajtur si të padrejtë këtë vendim të INTERPOL-it.

Madje për Aleksandër Vulinin, Kryeministri Haradinaj vazhdon të mbetet një kriminel lufte.

Kurse, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciq ka deklaruar se shteti serb nuk ka hequr dorë nga kërkesa për arrestimin e Haradinajt, dhe se sipas tij do ta kërkojnë arrestimin e tij në çfarëdo forme.

Për Avokatin Tomë Gashi, ky vendim sa është i drejtë, është edhe i vonuar.

Ai për Tribuna Channel tha se vendimi i INTERPOL-it nuk do të mund të kthehet mbrapa, por që shpjegoi që ky vendim nuk vlen për shtetin serb, dhe se Haradinaj do të arrestohet në çdo moment që futet brenda territorit të Serbisë.

Se vendimi i INTERPOL-it është i vonuar, po e thotë edhe Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.

Ai në një përgjigje me shkrim fajësoi qeverisjet e kaluara për neglizhencë të kësaj çështje, duke shtuar se deklarimet e krerëve serb nuk janë gjë tjetër përvec tentimit për konsum të brendshëm politik.

Përveç kryeministrit Haradinaj, nga lista e fletëarresteve janë hequr edhe disa zyrtarë të UÇK-së, por një gjë e tillë nuk është bërë edhe për qindra persona të cilët po ashtu kanë fletëarreste ndërkombëtare të ngritura nga Prokuroria e Serbisë.

(Kosova Sot)