​Kryeministri Haradinaj: Profesionistët e vërtetuan se kemi humbur territor

  • 04 December 2017 - 15:10
​Kryeministri Haradinaj: Profesionistët e vërtetuan se kemi humbur territor

Nuk e komentoi aspak në mbledhje të Qeverisë, por përmes Facebook-ut kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ende mban qëndrim kundër Marrëveshjes të gushtit 2015 për Demarkacion me Malin e Zi. 

Shefi i ekzekutivit ka thënë se raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, që u prezantua pak orë më parë në mbledhje të Qeverisë, është kredibil sepse është hartuar nga njerëz profesionistë të dëshmuar. 

“Raporti vlerësues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit është kredibil, i hartuar nga njerëz profesionistë të fushave dhe vërteton pretendimet e deritashme, se Kosova me versionin e tashëm është dëmtuar në tërësinë e saj tokësore”, thotë kryeministri. 

“Bazuar në kriteret e prezantuara për demarkimin e kufirit shtetëror, që kanë aplikuar të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, aty ku ka shpërputhje kadastrale duhet të përkufizohet mbi bazën e vijës administrative. Kështu ka vepruar edhe Gjykata e Arbitrazhit në verdiktin për rastin slloveno-kroat”, ka shtuar ai. 

“Komisioni Shtetëror e ka argumentuar fuqishëm parimin uti possidetis juris, me çka dëshmohet se deri në Kullë dhe Zhlep, territori është menaxhuar nga Kosova. Vetëm 17% e territorit të Malit të Zi, deri më 2013, është përfshirë në regjistrat kadastralë të kësaj republike”, thuhet në shkrimin e Haradinajt në Facebook.

(Kosova Sot)