Ministri Reçica në Turqi kërkon shkëmbim të punësimit sezonal

  • 04 December 2017 - 15:47
Ministri Reçica në Turqi kërkon shkëmbim të punësimit sezonal

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, po qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Në ditën e parë të vizitës, ministri Reçica ka takuar ministren e Punës dhe Sigurimeve Sociale, Zhylide Sarieroglu.

Ministri Reçica e njoftoi ministren Sarieroglu për gjendjen ekonomiko-sociale në Kosovë  duke theksuar  se në Kosovë papunësia është e lartë dhe ministria që drejton është duke ndërmarrë masat e nevojshme për zbutjen e saj, përmes aftësimit profesional të të papunëve, përmes projekteve të vetëpunësimit dhe subvencionimit të pagave për kohë të caktuar.

Me këtë rast, Sarieroglu i ofroi Ministrit Reçica bashkëpunim në shkëmbimin e përvojave. Republika e Turqisë ka një përvojë shumë të madhe dhe një model shumë të mirë, të cilin e ka realizuar për zbutje të papunësisë në vend, përmes aftësimit profesional dhe edukimit në vendin e punës.

Ministri Reçica kërkoi të shikohen edhe mundësitë e bashkëpunimit në aspektin e punësimit sezonal të qytetarëve të Kosovës në Turqi.

Të dy ministrat u dakorduan që të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës dhe Ministrisë së Punës dhe Sigurimeve Sociale të Republikës së Turqisë, për të mundësuar bashkëpunimin në fusha të veçanta, me rëndësi për të dyja vendet tona.

Ministri Reçica e falënderoi  Sarieroglu dhe e ftoi për një vizitë zyrtare në Kosovë. Te dy ministrat vlerësuan lart vizitën dhe treguan gatishmërinë e vazhdimit të komunikimit të ndërsjellë.

(Kosova Sot)