Zhytja në "Pronto" ia humbi VV-së 100 mijë votues

  • 07 December 2017 - 08:12
Zhytja në

REKORDI I ZI ELEKTORAL I LËVIZJES DIKUR OPOZITARE

Brenda tre muajsh, qytetarët u vetëdijësuan për mashtrimin e madh

"Populli në qershor kishte votuar duke mos pasur njohuri fare për pasurinë e liderëve të VV-së, të cilët çirreshin kundër klanit 'PRONTO', kurse vetë ishin pjesë e po këtij klani të kriminalizuar nga SHIKu, ku merrnin milionat, shtëpitë, jahtet. Këtu u dëshpërua populli shumë shpejt edhe nga VV-ja, duke u bindur se të gjitha aktivitetet dhe deklaratat i kanë pasur për të mashtruar dhe për marketing politik, përderisa ta marrin pushtetin", theksoi analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

Tash, kur bëhet bilanci i krahasimit të rezultatit zgjedhor, VV-ja po vazhdon të lavdërohet me fitoren simbolike në dy komuna, Prishtinën dhe Prizrenin, edhe shto me koalicione krejt të panatyrshme, por kur po bëhen llogaritë në nivelin nacional, del që për kaq kohë, në një distancë tremujore, VV-ja shënoi minus, i humbi mbi 100 mijë votues vetëm brenda tre muajve. Analistët politikë mbeten të habitur se si u bë që me shpejtësi rrufeje i humbi partia e Albin Kurtit, Dardan Molliqajt, Dardan Sejdiut dhe Shpend Ahmetit vetëm brenda tre muajve mbi 100 mijë votues, duke pësuar tkurrje drastike e të pashembullt në një kohë kaq të shkurtër. Sipas tyre, gjykimi i qytetarit ka ndodhur, pasi ky subjekt politik është lidhur skajshmërisht me interesat e grupeve kriminale dhe ka harruar tërësisht interesin qytetar, për çka ishin zotuar edhe në zgjedhjet lokale të para katër vjetësh, por edhe në ato qendrore. Analisti politik Ragip Guraziu konsideron se t'i humbësh 100 mijë votues brenda një kohe prej tre muajsh,siç po thuhet për VV-në, në minus nuk duhet krenuar aspak me rezultatin e zgjedhjeve lokale. "Karriera e Albin Kurtit nuk është që i ka bërë nder, siç e shpjegojnë njohësit e mirë të tij, duke filluar që nga ish-shoqata e tij si kinse një OJQ, e deri në zgjerimin maksimal të partisë si Lëvizje VV më 21 qershor 2017, ka qenë vetëm një lojë e tij tepër mashtruese politike, e bërë me tepër agresivitet", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

Protagonistët e VV-së u pasuruan

Sipas Guraziut, ngritja e VV-së ishte më shumë një ngritje tepër e shpejtë e artificiale, duke ua shpërlarë trurin të pakënaqurve dhe militantëve të rebeluar ndaj pushtetit të inkriminuar, por që e panë qytetarët se VV-ja e Albin Kurtit është vetëm një kopje e klanit të njohur kriminal "PRONTO"?! " Kur kopjon, mendon e vepron, edhe VV-ja njëjtë si nëntoka kriminale e 'Pronto'-s dhe e cila nëntokë kriminale po ashtu USHQEN nga i njëjti grazhd edhe VV-në dhe anasjelltas (Shpend Ahmeti me klikën e tij e ushqeu mirë nëntokën me leje ndërtimi, tenderë, toka komunale e shumëçka tjetër), duke menduar se ata janë 'EDHE MBI LIGJIN, EDHE MBI SHTETIN', që janë financuesit e vërtetë të fshehur të Albin Kurtit dhe VV-se", vijoi më tutje ai. "Janë pronarët mafiozë nga Zvicra për çështjen e PTK-së, pronarë nga SHBA-ja dhe fonde të tjera milionëshe enigmatike e kriminale për interesa të tyre të përbashkëta, ku u arrit kulmi i pakënaqësisë, kur u mësua se vetë shefat e VV-së u shndërruan në milionerë e multimilionerë brenda pak muajve e pak viteve, si Shpend Ahmeti, duke e keqpërdorur autoritetin e tij, si Liburn Aliu, i cili ishte tepër i varfër e i padijshëm, por u shndërrua në multimilioner, si Xhelal Sfeçla, ish-shef i Inspektoratit në Prishtine, i cili ishte i varfër, e aktualisht është bërë lideri më i pasur në VV. Populli në qershor kishte votuar duke mos pasur njohuri fare për pasurinë e liderëve të VV-së, të cilët çirreshin kundër klanit 'PRONTO', e vetë ishin pjesë e po këtij klani të kriminalizuar nga SHIKu, ku merrnin milionat, shtëpitë, jahtet. Këtu u dëshpërua populli shumë shpejt edhe nga VV-ja, duke u bindur se të gjitha aktivitetet dhe deklaratat i kanë pasur për të mashtruar dhe për marketing politik, përderisa ta marrin pushtetin", theksoi Guraziu. 

Votuesi po emancipohet 

Analisti Skënder Kapiti pohon se shkaqet se përse "VETVENDOSJA" në tre muaj humbi 100 mijë vota janë disa, por më kryesorja është pjekuria dhe mençurimi politik i votuesit kosovar, i cili nuk bie pre e mashtrimeve dhe të hipokrizive politike për një kohë të gjatë, ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri. " Votuesit në Kosovë janë më të emancipuar dhe atje nuk ka shtresë votuesish, të cilët e kontrabandojnë apo e shesin votën e tyre, siç ka në Shqipëri. Votuesit në Kosovë ia besuan më së shumti votën 'VETËVENDOSJES' në zgjedhjet e përgjithshme, pasi qytetarët e Kosovës ishin të zhgënjyer nga keqqeverisja korruptive dhe e kriminalizuar PDK-LDK", u shpreh ai. "Pakënaqësitë e grumbulluara te populli, duke mos pasur rrugë tjetër, e ndëshkuan atë koalicion dhe kjo ishte arsyeja se përse 'VETËVENDOSJA' doli në ato zgjedhje si forca e parë politike. Mirëpo, kjo nuk zgjati shumë, pasi shumë shpejt u ekspozua publikisht aventurizmi dhe mashtrimi i premtimeve sociale të rrejshme edhe të 'VETËVENDOSJES', sidomos ajo e keqqeverisjes së Komunës së Prishtinës, korrupsionit dhe abuzimit me ligjin, me lejet e ndërtimit ,me pronat dhe me paranë publike", theksoi Kapiti. "'VETËVENDOSJA' dhe politika e saj hipokrite dhe populiste, politika e saj, e cila rezultoi spekulative me korrupsionin dhe me patriotizmin deklarativ fals, ishin shkaqet që e ndëshkoi me votë votuesi në Kosovë 'VETËVENDOSJEN', ashtu sikurse janë ndëshkuar me meritë edhe Partia Demokratike e Shqipërisë,edhe Partia Demokratike e Kosovës", potencoi Kapiti për "Kosova Sot" .

Kostoja e gabimeve

Edhe prof. Muhamet Kelmendi thotë se, sidomos pas zgjedhjeve nacionale të qershorit, në VV ndodhën shumë gabime që iu hakmorën seriozisht me votë këtij subjekti politik. "Pas zgjedhjeve të përgjithshme, VV-ja bëri gabime. Ato iu hakmorën. Në zgjedhje lokale humbi. Duket se ishin disa faktorë për atë humbje. Edhe pse i fitoi tri komuna, së bashku edhe me AKR-në, në total ka humbje të rreth 100 mijë votueseve. Këtu mund të përmenden shumë elemente. Por, mbi të gjitha, janë gabimet në politikë, në qasjet ekonomike dhe sociale e shoqërore, të cilat e dobësuan këtë parti politike. Njëherësh duket se ka rënë edhe fuqia financiare dhe kryesisht edhe gabimet që i bëri në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të komunave", u shpreh Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas analistit Mustafë Kadriaj, është fakt i ditur që rritja e "Vetëvendosjes" e ka arritur kulmin nga sjelljet ekstreme, diçka që e ka thënë dhe konstatuar së fundi edhe deklarata e fundit e ambasadorit të SHBA-së. " Mendoj që rritja e 'Vetëvendosjes' ka qenë pikërisht në kauzat e rrejshme për çështjen e demarkacionit dhe komunat me shumicë serbe, por njëherësh edhe si rezultat i devalvimit të koalicionit PDK&LDK, kështu që vota e qytetarit ishte ndëshkim për koalicionin me performancë shumë të dobët, përkundër numrit të madh të deputetëve që kishte", theksoi ai. "Krizën që po përjeton ky subjekt politik drejt erodimit e dëshmon edhe afera me manipulimin në zgjedhjet e fundit në komunën e Prishtinës, duke i mashtruar qytetarët me të ashtuquajturën organizatë joqeveritare për të devijuar votën, e po ashtu edhe video incizimet në vendvotimet në komunën e Prizrenit. Me këtë faturë negative, 'Vetëvendosja' tregoi fytyrën e vërtetë që nuk dallon nga të tjerat, porse është mos më keq për realizim të qëllimeve të tyre", ka thënë Kadriaj. "Përkundër trumbetimit nga kryetari Shpend Ahmeti dhe zyrtarët e tjerë për qeverisje me duar të pastra, ata nga frika që do t'i humbin zgjedhjet u dorëzuan para liderit të AKR-së që më herët e kanë cilësuar si të dyshimtë kombëtarisht, dhe e harruan atë çështje vetëm për një grusht vota, sa për të marrë mandatin e ri", vijoi më tej Kadriaj. Sipas tij, ata harruan parimet që nuk bëjmë koalicion me partitë e dyshimta kombëtarisht. 

(Kosova Sot