Pa VETTING nuk rimëkëmbet drejtësia

  • 07 December 2017 - 08:15
Pa VETTING nuk rimëkëmbet drejtësia

TË GJITHË DËSHTUAN ME ZBATIMIN E LIGJIT

"Pa një vetting serioz dhe të mbikëqyrur nga komisione të jashtme e pse jo edhe nga FBI-ja amerikane, nuk do të mund të ketë sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe as perspektivë për qytetarët e pashpresë në Kosovën e kapur, mbase të ngulfatur e të nëpërkëmbur nga mafio-politikanët e mafio-oligarkët e bizneseve të kundërligjshme, të cilat janë biznese vetëm për të plaçkitur dhe zhvatur atë çka ka mbetur pa u plaçkitur. Kështu që krejt kjo po e vret të ardhmen e qytetarëve të vendit, të cilët po varfërohen çdo ditë e më shumë, ndërsa sunduesit e krimit e të korrupsionit po pasurohen tej mase", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot"

Krimi dhe korrupsioni lulëzojnë, shteti hesht

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se dekriminalizimi do të duhej të fillonte nga institucionet e drejtësisë, nga Prokuroria, gjykatat e sigurisht edhe në institucionet e tjera të shtetit, ngase vetëm me një prokurori të vetë- pastruar nga të inkriminuarit dhe të fortët e ndërlidhur me politikën do të munden pastaj t'i pastrojnë dhe largojnë të inkriminuarit e tjerë në institucionet e tjera të shtetit apo në gjykatat e Kosovës. Po ashtu, sipas tyre, Kosova ka nevojë për ndihmë, VETING serioz, ku do të sundonte ligji dhe vetëm ligji, e jo ku sundojnë politikanët e korruptuar, bashkë me ambasadorët e huaj, shpeshherë edhe ata të korruptuar. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se pse nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit e as krimit të organizuar, as kundër asnjë lloj të kriminalitetit në këtë vend pa pasur një pastrim të sistemit të drejtësisë, ku në pozitat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të duhej të vendoseshin vetëm ata që janë meritorë në këtë sistem dhe t'ua lënë vendin atyre që duan të punojnë me profesionalizëm për këtë vend dhe për këtë popull. Për atë se a duhet të nisë dekriminalizimi së pari në institucionet e drejtësisë, në prokurori e gjykata, e pastaj edhe në institucionet e tjera të shtetit, sepse vetëm një prokurori e pastruar nga të inkriminuarit dhe e fortë mund të pastronte e largonte pastaj të inkriminuarit e tjerë në institucionet e tjera të shtetit, madje edhe në gjykatat e Kosovës, flet shkrimi në vijim.

Larg standardeve evropiane

Analisti Naim Kelmendi ka thënë se dekriminalizimi do të duhej të fillonte nga institucionet e drejtësisë, nga prokuroria, gjykatat e sigurisht edhe në institucionet e tjera të shtetit, ngase vetëm me një prokurori të vetë- pastruar nga të inkriminuarit dhe të fortët e ndërlidhur me politikën do të munden pastaj t'i pastrojnë dhe largojnë të inkriminuarit e tjerë në institucionet e tjera të shtetit apo në gjykatat e Kosovës. "Ende jemi larg standardit evropian për sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe kjo është pengesa e madhe edhe në zhvillimin ekonomik dhe në sferën e politikës dhe perspektivës së shoqërisë demokratike", u shpreh ai. "Prandaj, pa një Vetting serioz dhe të mbikëqyrur nga komisione të jashtme e pse jo edhe nga FBI-ja amerikane nuk do të mund të ketë në Kosovë sundim të rendit dhe ligjit dhe as perspektivë për qytetarët e pashpresë në Kosovën e kapur, mbase të ngulfatur e të nëpërkëmbur nga mafio-politikanë e mafio-oligarkë të bizneseve të kundërligjshme, të cilat janë biznese vetëm për të plaçkitur dhe zhvatur atë çka ka mbetur pa u plaçkitur, kështu që krejt kjo po e vret të ardhmen e qytetarëve të vendit, të cilët po varfërohen çdo ditë e më shumë, ndërsa sunduesit e krimit dhe korrupsionit po tejpasurohen", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

EULEX-i, rrugës së UNMIK-ut

Analisti Naim Miftari thotë se çdo tentim i pastrimit të drejtësisë do të dështojë nëse nuk pastrohet politika nga krimi i organizuar, pasi de-fakto dhe de-jure krimin e organizuar siç tha e kemi sot në politikë, në pushtet e në institucione. "Prandaj nuk mbaj fare shpresë në një VETING serioz që do ta pastronte organin e drejtësisë dhe organet e sigurisë nga dora e mafisë politike, si vendore po ashtu edhe ndërkombëtare. Kur erdhi UNMIK-u në Kosovë një pjesëtar mik i Departamentit të jashtëm amerikan më pati thënë se 'do t'ia shihni sherrin shumë dekada këtij misioni të OKB-së, pasi aty janë ulur njerëzit më pakurrizor dhe më të korruptuarit në planet' dhe kishte pasur të drejtë, por kur erdhi EULEX-i personalisht kisha shpresë se ligji dhe njerëzit evropianë do të vepronin drejt sikur vepronin në BE, por duke qenë edhe vetë dëshmitarë në dy raste të prokurorisë së EULEX- it, edhe ata më thanë disa herë, por edhe vetë e kuptova se ky mision është mision politik dhe nuk ka të bëjë fare me ligjin evropian, por vetëm humbje kohe dhe marrje me kriminelë të vegjël, krejt të parëndë- sishëm, njerëz që mafia i zëvendë- sonte brenda natës këta të akuzuar pa rëndësi nga EULEX-i", u shpreh ai. "Edhe tash kur shohim angazhimin politik të ambasadorëve të ndryshëm që i kalojnë 100 për qind edhe kompetencat zyrtare përzihen direkt në vendimmarrjet edhe ose pse janë të gabuara dhe u bëjnë dëm interesave të banorëve shumicë në Kosovë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

Pa llogaridhënie, nuk ka rezultate

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se është e kuptueshme që të gjithë ato segmente të institucioneve institucionale të Kosovës, ku ka edhe ndikime nga jashtë, por edhe ku ka korrupsion, po ashtu ku ka mospunë e papërgjegjësi sa duhet, thjesht siç tha janë të interesuara që të vazhdohet me këtë avaz, që të vazhdohet me këto praktika, që të mos ketë reformime, që të mos ketë ndryshime e as përgjegjësi dhe llogaridhënie. Sipas tij, ata kanë hyrë në një valle, nga e cila edhe po të duan nuk mund të dalin lehtë dhe nëse nuk kanë shtytje të fuqishme nga institucionet reformuese, pra shtytje reformuese dhe imponuese nga institucionet vendore dhe ndihma teknike ndërkombëtare, avazi i vjetër do të vazhdojë edhe me mos efikasitet dhe me cenim të dispozitave ligjore, me mospërgjegjësi të punës nga ana e segmenteve të caktuara të institucioneve të përgjithshme të shtetit, veçanërisht duke përfshirë aty edhe institucionet e drejtësisë. "Prandaj lypset jo vetëm vetëdijesim, por edhe imponim nga shteti që të përmbushet kushti kryesor reformues dhe kushti kryesor i eliminimit ose të paktën zbutjes së krimit të organizuar e korrupsionit në mënyrë që thjeshtë të ketë përparim, avancim dhe efikasitet në institucionet e shtetit, edhe në administratën publike, por veçanërisht në institucionet e drejtësisë", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Mazllum Baraliu. Ndërsa avokati Tomë Gashi ka veçuar për "Kosova Sot" se reformat në drejtësi janë interes shtetëror, kështu që organet shtetërore si përfaqësuese të shtetit, duke filluar nga Qeveria, pastaj prej Parlamentit, komisionet e ndryshme, prej KGJK-së e KPK-së, e që këto janë organe të cilat do duheshin që të inicionin reformat në drejtësi apo' Vettingun, siç është në Shqipëri, pasi do të sillnin rezultate pozitive.

(Kosova Sot)