Dy vëllezër dhe motra të ngujuar në karrocë

  • 01 January 2018 - 09:20
Dy vëllezër dhe motra të ngujuar në karrocë

QË 15 VJET KËRKOJNË NJË BANESË NË QYTET, POR KOMUNA I SHPËRFILLI

Në fshatin Lugishtë të Hasit jetojnë tre të rinj, të lidhur për karrocë invalidësh. Dy janë vëllezër dhe një motër që bëjnë jetë të rëndë. Ata janë Fatime, Reshat e Sirat Gigollaj, nga fshati Lugishtë e Hasit. Reshat Gigollaj është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se ky vit ishte shumë i vështirë, por ai shpreson se viti 2018 do të jetë më i mirë se ky i tanishmi dhe që atyre t'u bëhet zgjidhje."Jo, neve askush si shtet kurrë nuk na ka ndihmuar". Ai me vëllain dhe motrën jetojnë në fshat, që është malor, larg nga qyteti i Prizrenit, që është diku nja 28 kilometra."Kemi pritur këtë vit që Komuna të na japë një banesë, por nuk na e dhanë e na zhgënjyen. Tani presim këtë vit që kryetari i ri të na japë një banesë në qytet për të jetuar, jo si në katund, ku jemi të izoluar tërësisht. Bëjmë jetën si në burg. Nuk mund të dalim askund e tërë jetën e bëjmë duke qëndruar në të vetmen dhomë", është shprehur ai. Shton se në fshat i kanë larg që të gjitha."Jemi larg infrastrukturës, jemi larg mjekut dhe kemi nevojë çdo ditë për mjekun dhe kot. Kurrë nuk ka ardhur të na vizitojë komuna. Ne tani e 15 vjet rresht kërkojmë të kemi një banesë në Prizren, sepse e bëjmë jetën e vështirë", është shprehur Gigollaj.

Nuk jetohet vetëm me 75 euro në muaj

Gigollaj shprehet se në fshat e kanë jetën të zorshme. "Po të kishim një banesë, do të kishim mjekun afër dhe po kështu do të kishim një përkujdesje më të mirë". Ai shton se motra e tij ka diabet dhe do përkujdesje më të madhe. Ai thotë se nuk jetohet vetëm me 75 euro në muaj."Askush s'na ka ndihmuar, as me barëra, as me ndonjë ndihmë tjetër. Jetojmë në një dhomë në kushte të rënda. Që të tre jemi në karrocë, me aftësi të kufizuara", thekson ai. Reshati, Fatimja dhe Sirat Gigollaj e kanë të vështirë jetën në këtë mënyrë. Reshati thotë se nuk ka asgjë më të rëndë se jeta në karrocë". Ai pohon se këtu ku jetojnë nuk ka ujë të mjaftueshëm dhe marrin vetëm 75 euro ndihmë sociale në muaj secili.

Kërkon rrugëkalime për personat me aftësi të kufizuar

Reshat Gigollaj është paraplegjik, por, pavarësisht kësaj, është përfshirë në një sfidë të madhe, të përshkojë fshatin në një karrige me rrota. Ai tregon se shpesh janë në vështirësi. "Shpesh nuk na zë gjumi. Mirëpo, me kalimin e kohës gjërat janë bërë më të thjeshta e shpesh edhe argëtuese, me shumë miqësi të reja të lindura". Ai tregon se është duke sensibilizuar për rëndësinë e të pasurit në të ardhmen rrugëkalime për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë."Besoj se ata që mund të na ndihmojë do të bëjnë mirë ta bëjnë këtë, sepse jeta jonë është e rëndë", shprehet Reshati dhe thotë se kushdo që dëshiron t'i ndihmojë ata mund ta bëjë duke thirrur në numrin e telefonit, që është 044 260 584. Shpresë e vetme e këtyre është që në vitin 2018 t'iu sigurohet një banese për të qenë sa më afër mjekut.

(Kosova Sot)