Përfitimi nga shitja e kufomave në SHBA - Lajme - Kosova Sot
Përfitimi nga shitja e kufomave në SHBA

Përfitimi nga shitja e kufomave në SHBA

Gjatë një dite me punë, Sam Kazemi duhej të merrte pjesë të trupit nga 5-6 njerëz, të cilët para se të vdisnin, kishin thënë se, pas vdekjes, trupin e tyre e dhurojnë për kërkime shkencore. Një ditë, para tij u gjet kufoma e një punëtori të pensionuar të fabrikës, i cili trupin e vet, pas vdekjes, ia kishte dhuruar shkencës. Ai kishte jetuar me të shoqen në një kamp-shtëpizë në Arizona. Kishte vdekur gjashtë ditë më parë. Emri i tij ishte Conrad Patrick.

Por, pasi që ai vdiq dhe trupi i tij u dhurua, Patrick u shndërrua në mall, i cili mori shifrën në bazë të inicialeve të kompanisë: BRC13112103.

‘Reuters’ ka analizuar me mijëra dosje të brendshme të kompanisë Qendra e resurseve biologjike – BRC, që përmbanin dokumente rreth profilit të Patrick-ut dhe 2,280 dhuruesve të tjerë. Në dokumente tregohen cilat pjesë (organe) janë marrë nga kufomat, kush i ka blerë ato dhe, për çka. 

Kazemi ndihmoi në prerjen e kufomës së Patrick-ut në shtatë pjesë. Kompania BRC ia dërgoi këmbën e majtë të Patrick'ut një laboratori ortopedik në zonën e Çikagos. Supi i tij i majtë u dërgua te një kompani në Las Vegas, e cila mbanë seminare kirurgjike. Koka dhe kurrizi i tij u dërguan në një projekt që udhëhiqet nga ushtria amerikane. Dhe, organet e jashtme gjenitale të Patrickut u dërguan në një universitet lokal. Këmba e tij e djathtë dhe gjuri i majtë u vendosën në frigoriferët e kompanisë, duke u bërë pjesë e inventarit të BRC-së me vlerë prej miliona dollarësh, të përbërë nga mishi dhe ashti. 

Për më shumë se një vit, ‘Reuters’ ka ekzaminuar tregtinë me kufoma në Amerikë, që është një industri e panjohur për shumëkënd dhe nuk është e rregulluar me ligj. Këto biznese, që veten e quajnë bankat jo transplantuese të indeve, njihen edhe si brokera të kufomave. 

Në kompaninë BRC, pjesët e trupit, duke filluar nga koka, e deri te gishtat e këmbëve, janë mbledhur dhe janë shitur. Të shtunave në mëngjes, Kazemi i mësonte studentët sesi të copëtonin kufomat. 

Të dhënat e mbledhura nga “Reuters” tregojnë se sa pak dinë për këtë punë qeveria, apo edhe vet ata që vendosin ta dhurojnë trupin e tyre për shkencë. 

Kufomat, në fakt, bëhen mall.

 For more than a year, Reuters has examined America's body trade, a little-known and virtually unregulated industry. These businesses, which call themselves non-transplant tissue banks, are also known as body brokers. Pictured is the BRC training video, showing a construction saw used to remove a man's spine

BRC shiti mëlçinë e një roje shkolle për 607 dollarë. Kraharori i një menaxheri të pensionuar të bankës, që u ble nga një institut kërkimor në Zvicër, arriti çmimin prej 3,191 dollarësh. Dhe, pjesa e poshtme e këmbëve të një aktivisti sindikal, u blenë nga një kompani nga Minesota, për 350 dollarë, secila.

Pjesa më e madhe e dhuruesve të kompanisë BRC vinin nga lagjet e varfra. Katër nga pesë dhurues nuk kishin mbaruar fakultetin. 

Kontrata për dhurimin e trupit (pas vdekjes), që nënshkruhet nga vet dhuruesi (derisa është gjallë), apo nga ndonjë i afërm i tij (pasi që ai të ketë vdekur), është e shkruar në një gjuhë profesionale, të pakuptueshme për shumëkënd. Të dhënat tregojnë se BRC shiste një kufomë të tërë për 5,893 dollarë. 

Këto të dhëna ndikuan që hetuesit shtetërorë ta bastisnin këtë kompani me seli në Feniks, në vitin 2014. Me atë rast, agjentët zbuluan atje 10 tonelata mbetjesh të ngrira njerëzore - 1,755 pjesë të plota të trupit, ku përfshiheshin 281 koka, 241 supe, 337 këmbë dhe 97 boshte kurrizore.

Duke u bazuar në një ligj shtetëror të konfiskimit, autoritetet morën këto mbetje nga frigoriferët e kompanisë BRC, duke i futur ato në 142 qese të kufomave. Në një qese gjendeshin mbetjet nga, të paktën, 36 njerëz të ndryshëm. Për shkak të procedurave burokratike, autoritetet u desh që t’i mbanin këto mbetje njerëzore në frigoriferë, në një bazë ushtarake, për tri vjet të tëra, derisa u vendos që ato të digjeshin. 

Këto bastisje në kompaninë BRC ishin pjesë e një hetimi federal, rreth praktikave të dyshimta të njërit prej klientëve të kësaj kompanie, Arthur Rathburn. Ky broker kufomash nga Detroiti u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për mashtrim të klientëve. Gjatë bastisjes së magazinës së Rathburn'it, agjentët gjetën, midis tjerash, edhe katër fetuse të ruajtur (të vdekur). Nuk dihet ku i mori ai këto fetuse dhe çka donte të bënte me ta. Rathburn akuzohet për shitje të pjesëve të trupit të të vdekurve, pa i njoftuar blerësit rreth hollësive. Procesi i tij gjyqësor fillon në janar. 

Pas bastisjes, kompania BRC falimentoi. Themeluesi dhe ish pronari i saj, Stephen Gore, më pas u deklarua fajtor – jo për shitjen e pjesëve të trupit, por për shkak të mashtrimit të myshterinjve, duke iu dërguar atyre pjesë të kontaminuara të trupit. Ai u dënua me kusht dhe pritet që të jetë dëshmitar në procesin kundër Rathburnit.

Të dhënat tregojnë se, midis viteve 2005 dhe 2014, kompania BRC kishte marrë rreth 5,000 kufoma njerëzish, si dhe kishte shitur më shumë se 20,000 pjesë të trupave. Edhe pse disa nga dhuruesit, kur kishin nënshkruar kontratën për dhurimin e trupit të tyre pas vdekjes, kishin theksuar se nuk e dhuronin atë për eksperimente ushtarake, kompania BRC kishte ftuar familjarët e tyre, pas vdekjes së individit, duke i bindur ata që ta ndryshonin formularin dhe ta lejonin shitjen e kufomave të të afërmve të tyre edhe për eksperimente ushtarake. Familjarët ankohen se në ato momente ishin në pikëllim dhe nuk kishin ditur çka kishin nënshkruar. Kazemi kishte mohuar disa nga akuzat gjatë procesit gjyqësor.

Në fakt, nuk ka asnjë ligj i cili rregullon shitjen e pjesëve të kufomave. Pas këtyre rasteve, guvernatori i Arizonës ka nënshkruar një ligj, i cili kërkon që brokerat e kufomave, sikur kompania BRC, të licencohen dhe të kontrollohen vazhdimisht.

(Kosova Sot)

19 orë e 34 minuta më parë
16/12/18