Hija e Rusisë karakterizon vitin e parë në detyrë të Presidentit Trump

  • 01 January 2018 - 21:11
Hija e Rusisë karakterizon vitin e parë në detyrë të Presidentit Trump

Nëse ekziston një fjalë që nuk i është ndarë dhe ka përcaktuar presidencën e Doland Trumpit, është Rusia. Zëri i Amerikës analizon se si marrëdhënia e zotit Trump me Rusinë dhe roli i Kremlinit në zgjedhjen e tij, ka hedhur hije mbi çdo moment të mandatit të tij deri tani.

“… Nuk kam lidhje fare me Rusinë. Të gjithë e dinë. Ishte një mashtrim i demokratëve. Donin të justifikonin humbjen e zgjedhjeve”.

Në fund të vitit, edhe një herë Donald Trumpi po hidhte poshtë akuzat se është tolerant ndaj Kremlinit, ndoshta si shpërblim që e ndihmoi të fitonte ndaj Hillary Clintonit në zgjedhjet presidenciale.

Në Janar, dy javë para se zoti Trump të bënte betimin si president, zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, James Clapper bëri publik një përfundim që kishin arritur së bashku CIA, FBI-ja dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare sipas së cilit, Vladimir Putin ishte përpjekur t’i siguronte fitoren zotit Trump.

Sipas këtij përfundimi, zoti Putin kishte urdhëruar një fushatë për “të denigruar ish-Sekretaren e Shtetit, Clinton dhe për të dëmtuar shanset e saj për t’u zgjedhur” dhe se presidenti rus kishte shfaqur një preferencë të hapur për zotin Trump dhe zynonte t’i rriste shanset e tij për t’u zgjedhur, duke diskredituar zonjën Clinton.

Këto gjetje i hapën menjëherë rrugën hetimeve të Kongresit. Në mars, drejtori i FBI-së, James Comey konfirmoi se edhe agjencia e tij kishte hapur një hetim që do të shqyrtonte bashkëpunimin e mundshëm mes ekipit të Presidentit Trump dhe Kremlinit.

Shumë shpejt presidenti Trump e shkarkoi zotin Comey. Kjo çoi në emërimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller, hetimi i gjerë i cilit ka rezultuar në padi dhe pranim fajësie për disa nga zyrtarët e fushatës së zotit Trump.

Si president, fjalët e zotit Trump kanë rënë ndesh me veprimet e tij.

Kohët e fundit ai miratoi shitjen e armëve vdekjeprurëse për forcat ukrainase që luftojnë separatistët e mbështetur nga rusët dhe nënshkroi sanksione të reja kundër Moskës për ndërhyrjen në Ukrainë, megjithëse e cilësoi legjislacionin me shumë të meta.

Por në fjalime, ai vazhdon të flasë për përmirësimin e marrëdhënieve me Kremlinin.

“…Unë besoj se marrëdhëniet miqësore dhe jo gjithmonë armiqësore, do të ishin pozitive për botën dhe për vendin tonë dhe jo një humbje…”

Strategjia e tij e sigurisë kombëtare e paraqet Rusinë si një rivale të rrezikshme që do të dobësojë ndikimin global të Amerikës, duke përdorur masa sabotuese për të “minuar legjitimitetin e demokracive”.

Por në një fjalim për të prezantuar këtë strategji, zoti Trump foli për mundësinë e një partneriteti me zotin Putin.

“Dje mora një telefonatë nga Presidenti Putin i Rusisë që falenderonte vendin tonë për informacionin e zbulimit që CIA u dha lidhur me planet për një sulm terrorist masive në Shën Peterburg, ku mund të ishin vrarë shumë vetë, ndoshta mijëra. Ata ishin në gjendje t’i kapnin terroristët para se të ndodhte gjë dhe pa humbje jete. Kjo është diçka e mrekulleushme dhe kështu duhet të funksionojë.”

Analistët thonë se Rusia është kthyer në një prizëm përmes së cilit shihet çdp lëvzje e Putinit, duke e vënë presidentin në një pozicion që të jetë më i ashpër sesa do të kishte qenë me Kremlinin në rrethana të tjera.

“Duket sikur ai po përpiqet të mbikompensojë, që njerëzit të mos mendojnë më të keqen për lidhjet e tij me Vladimir Putinin. Për shembull shitja e armëve Ukrainës, ishte diçka që administrata e ish-Presidentit Obama e kishte bllokuar për vite me radhë ndërsa Ukraian po pushtohej dhe lufta në Ukrainë vazhdon ende. Kjo ishte një lëvizje shumë e fuiqshme”.

Viti i dytë në detyrë i Donald Trumpit pritet të vazhdojë të jetë i mbizotëruar nga Rusia, ndërsa hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller po shkon drejt një përfundimi dhe presidenti vazhdon të reagojë ndërsa përballet në arenën botërore me të vetmin person që revista Forbes e ka radhitur si më të fuqishëm sesa ai vetë: Vladimir Putin. 

(Kosova Sot)