Burri që u kalit nëpër dhembje

  • 01 January 2018 - 09:14
Burri që u kalit nëpër dhembje

ISMAJL SHERIFI, I DASHURUAR NË VESHJET KOMBËTARE 

Edhe pse është rritur jetim, vetëm në duart e nënës, ai ka trashëguar të gjitha vlerat burrërore të të atit, Sefës

Rrallëkujt më bukur se Ismajl Sherifit nga Vërbica e Zhegocit i rrinë në trup veshjet tradicionale, edhe pse ai ka një moshë të theksuar. Këtë burrë malësor, të urtë, të sinqertë, të ditur e të drejtë, nuk e bën të veçantë e të dashur në çdo rreth ku gjendet vetëm pamja e jashtme, por edhe humori i tij i lehtë dhe i këndshëm dhe mbi të gjitha kontributi që ai dhe familja e tij kanë dhënë në çështjen kombëtare dhe proceset e tjera nëpër të cilat ka kaluar shoqëria kosovare, si para, ashtu edhe gjatë e pas luftës. Është shembull i një burri për t`u admiruar. Edhe pse është rritur jetim, vetëm në duart e nënës, ai ka trashëguar të gjitha vlerat burrërore të të atit, Sefës, i cili ka rënë në Luftën e Dytë Botërore, në ish-Jugosllavi, gjatë kohës së shërbimit ushtarak. Trupi i Sefës nuk i është kthyer kurrë familjes, por vetëm rrobat dhe një orë gjepi. Ismajli rritet në një familje me nënën Shahadijen, vëllain Sherif Sherifi, si dhe tri motrat: Zymrijen, Vahiden dhe Nevrijen. Lajmin për vdekjen e babait Ismajlit ia kishte dhënë asokohe (viti 1947) kushëriri, Feriz Sejdiu, duke i sjellë edhe rrobat e tij në shtëpi. 

Porota që nuk u pajtua me padrejtësitë e pushtetit

Ismajl Sherifi mësimet e para dyvjeçare i mori në shkollën e fshatit, gjatë viteve 1948/1950. Pas mbarimit të shkollës, u mor me bujqësi e tregti, deri në moshën 20-vjeçare, kur i erdhi ftesa për të shkuar në shërbim ushtarak. Pas mbarimit të ushtrisë, më 1963, i kthehet familjes dhe jetës në fshat. Duke e parë zgjuarsinë, mendjemprehtësinë dhe aftësitë oratorike të tij, Komiteti për Arsim, Zyra në Gjilan, e zgjodhi Ismajl Sherifin për kryesues shkolle për katër vite. Më vonë, falë punës dhe angazhimit të tij, në vitin 1968, zgjidhet përfaqë- sues i fshatrave Verbicë, Zhegoc dhe Parallovë, për një mandat 4-vjeçar, në mesin e dy kundërkandidatëve të tjerë. Më vonë, Ismajlit i kërkohet që të kryejë punën e portës, ku qëndroi për 16 vite (1972-1988) kur, për shkak të mospajtimeve të thella ndaj gjykimeve selektive dhe arbitrare ndaj shqiptarëve, ai vendos të tërhiqet nga kjo pozitë, sikur të gjithë nëpunësit e tjerë shqiptarë, të cilët nuk i pranuan masat e dhunshme të pushtetit serb. Ismajl Sherifi njihet edhe si pajtimtar i gjaqeve, plagëve e ngatërresave në Malësinë e Zhegocit, ku ka ndërmjetësuar në pajtimin e shumë familjeve të kësaj ane.

Rrëfimi për vëllain e vrarë

Me të filluar lufta në Kosovë, ku përfshihet edhe fshati Verbicë e Zhegocit, Ismajli së bashku me familjen e tij, sikurse bashkëfshatarët e tjerë, detyrohen të largohet nga shtëpia, duke ia kthyer shpinën pasurisë dhe vendit ku i kishte kaluar mbi 60 vjet jetë. Ai rrëfen se si më 15 prill 1999, ditë e enjte, në ora 6:00, fshati Vërbicë, më saktësisht Alibabët si lagje e parë e fshatit, rrethohen nga më shumë se 6 mijë forca policore-ushtarake e paramilitare serbe, të cilat përqendrohen në vendin e quajtur Billa, prej nga fillojnë sulmet e para në drejtim të shtëpisë së tij dhe shtëpive të tjera. Breshëritë e granatimeve nga një pozicion ballor i detyrojnë banorët që të mësyjnë malet dhe të kalojnë natën nën qiellin e hapur. Por as këtu, Ismajli me bashkëfshatarë, nuk lihen të qetë nga pushteti shovinist serb, i cili po i ndiqte hap pas hapi, pasi që vëllai i tij, Sherif Sherifi, i biri Mustafa dhe fqinjët e tij, Shaban e Qerim Beqiri, si dhe nipi Enver Pacolli, po kërkoheshin me emër e mbiemër për t`u ekzekutuar, si pjesëtarë të UÇK-së, e cila e kishte Shtabin në Zhegoc. Nga kjo përndjekje, në vendin e quajtur Lugu i Mrizit, bien dëshmorë Sherif Sherifi dhe Enver Pacolli, kurse Ismajli plagoset. Me plagë në trup ai mësyu drejt shtabit të UÇK-së, në fshatin Zhegoc, lagjja e poshtme. Nga këtu marrin rrugë drejt fshatrave Plitkoviq, Gadime e Mirashë. Ismajli me familjarë tregon se në Ferizaj i kaloi një muaj, por as aty nuk lihet rehat dhe detyrohet të marrë rrugën në drejtim të Maqedonisë. Me të arritur në kufirin Kosovë - Maqedoni, Ismajl Sherifi jep intervistë para mediave ndërkombëtare, të cilat ishin kureshtare të dinin se çfarë po ndodh në Kosovë, prej nga po vinin këto familje dhe ku po shkonin, për të vrarët. Ismajli, me plis në kokë dhe me një pamje që shpreh dhimbje, rrëfen për vrasjen e vëllait, Sherifit, si dhe disa të tjerëve, për shtëpitë e djegura, për vuajtjet dhe peripecitë e popullatës civile. Në Maqedoni, Ismajli qëndroi gjashtë javë dhe pasa kësaj kohe, me hyrjen e forcat ushtarake të NATO-s në Kosovë, ai kthehet në vendlindje. Sigurisht se ky kthim, sa i ëmbël, ishte po aq i vështirë për Ismajlin. Ishte moment i vështirë, sepse për herë të parë po takohej me kufomën e vëllait, Sherifit, që kishte rënë dëshmorë te Lugu i Mrizit dhe, me bashkëvendës të tij kryen ceremoninë e rivarrimit të eshtrave, në vendin e quajtur Drum, ku tani e ka lapidarin."Nuk kish më vështirë se me i rivarros eshtrat e vëllait", thotë ai. 

(Kosova Sot)