Izraeli: Të largohen emigrantët afrikanë ose të përballen me burgun

  • 02 January 2018 - 20:47
Izraeli: Të largohen emigrantët afrikanë ose të përballen me burgun

Qeveria izraelite ka njoftuar mijëra emigrantë afrikanë që të largohen nga vendi ose të përballen me burgun.

Emigrantëve do t'u jepet deri në $ 3,500 për tu larguar brenda 90 ditëve të ardhshme. Ata do të kenë mundësinë të shkojnë në vendin e tyre të origjinës ose në ndonjë vend tjetër. Nëse nuk largohen, autoritetet izraelite kanë kërcënuar se do të fillojnë arrestimin e tyre që nga prilli.

Qeveria izraelite thotë se kthimi i tyre do të jetë human dhe "vullnetar". Urdhri përjashton fëmijët, të moshuarit, dhe viktimat e skllavërisë dhe të trafikimit njerëzor.

Një zëdhënës i Autoritetit të Popullsisë dhe Imigracionit të Izraelit tha se aktualisht kishte 38,000 klandestinë  në Izrael, prej të cilëve vetëm 1,420 janë duke u mbajtur në objektet e paraburgimit. Shumë nga emigrantët, kryesisht nga Eritrea dhe Sudani, thonë se erdhën në Izrael për të kërkuar azil pasi kanë ikur për shkak të persekutimit dhe konflikteve, por autoritetet i konsiderojnë ata si emigrantë ekonomik.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pohuar se një fluks i pakontrolluar i emigrantëve afrikanë mund të kërcënojë karakterin çifut të Izraelit.

(Kosova Sot)