Krahu i Molliqajt paralajmëron pasoja të mëdha për Vetëvendosjen

  • 02 January 2018 - 22:50
Krahu i Molliqajt paralajmëron pasoja të mëdha për Vetëvendosjen

Gëzon Kastrati, vëllai i Qëndron Kastratit – kryetarit të Komunës së Kamenicës – ka thënë se reagimi ndaj dorëheqjes së kryetarit të deritashëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, "vetëm sa na e konfirmon si të drejtë paknaqësinë që kanë shumë aktivistë me këtë një vit padrejtësi e shpifje dhe me këto metodat tepër të rrezikshme për të ardhmen e cilitdo subjekt politik."

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se "në vend të arrogancës që shprehin disa aktivistë më etiketime e fyerje nga më të ndryshmet duke pretenduar që kanë mbështetje popullore, do të duhej të shqetësoheshin për dorëheqjen e kryetarit të subjektit sepse pashmangshëm do të ketë pasoja të mëdha".

"Bindja ndaj kultit pashmangshëm të bënë arrogant me ata që nuk pajtohen", është shprehur Kastrati.

Shkrimi i plotë i Gëzon Kastratit:

Reagimi ndaj dorëheqjes së kryetarit të deritashëm Visar Ymerit vetëm sa na e konfirmon si të drejtë paknaqësinë që kanë shumë aktivistë me këtë një vit padrejtësi e shpifje dhe me këto metodat tepër të rrezikshme për të ardhmen e cilitdo subjekt politik.

Visar Ymeri ka qenë një ndër njerëzit më kontributdhënës në arritjet e Lëvizjes si në aspektet konceptuale ashtu edhe në ato organizative e elektorale.
Përveç krejtë kontributit të tij të paçmueshëm që ka dhënë, ka qenë kryetari dhe aktivisti me përgjegjësinë më të madhe në kohën kur Lëvizja ka pasë para vetës sfidat më të mëdha në historikun e saj, sidhe sukseset më të mëdha të korrura ndonjëherë si Lëvizje.

Në vitin 2015 Visari është zgjedhur kryetar i Lëvizjes jo pse ai ka pas ndonjëherë dëshirë për këtë “privilegj” por sepse i është kërkuar nga shokët aktivist që të kandidoj. Ta konsiderosh Visarin si “puçist” është sa e padrejtë, aq edhe e palogjikshme. Në fakt nëse mund të thuhet që ka puç brenda Lëvizjes, ai mund të jetë vetëm ndaj Visar Ymerit, i cili ka qenë kryetar i Lëvizjes.

Në vend të arrogancës që shprehin disa aktivistë më etiketime e fyerje nga më të ndryshmet duke pretenduar që kanë mbështetje popullore, do të duhej të shqetësoheshin për dorëheqjen e kryetarit të subjektit sepse pashmangshëm do të ketë pasoja të mëdha. Tekefundit është rasti i vetëm që një kryetar subjekti në Kosovë jep dorëheqje nga mospajtimet brenda atij subjekti.

Bindja ndaj kultit pashmangshëm të bënë arrogant me ata që nuk pajtohen. Ama në kohën tonë kulti dhe arroganca e besimtarëve në atë kult domosdoshmërisht të redukton në një grup të izoluar dhe të vetëkënaqur e të vetëmjaftueshëm.

(Kosova Sot)