Edhe me Qeverinë "Haradinaj", izolimi dhe degradimi, të garantuar!

  • 03 January 2018 - 08:04
Edhe me Qeverinë

AS SIVJET NUK DO TË KETË LIBERALIZIM VIZASH

Zhbërja e Speciales na kthen vite prapa

"Qeverisja 'Haradinaj' qysh në ditët e para të mandatit ka treguar një lloj mendësie individuale, madje përmes veprimeve që ka ndërmarrë ka treguar se nuk i shërben mandatit të plotë qytetar, nuk i shërben brengës e nevojës qytetare. Ajo për afro 100 ditë, për çka njihet, është vazhdimësia e mendësisë qeverisëse e tipit të PDK-së, LDK-së, ngarkimi buxhetit publik përmes trashjes së kabinetit, falja e borxhit ndaj milionerëveambalazhuesve të ujit, pretendimi më negativ, ai i shfuqizimit të Speciales, që në mënyrë direkte rrezikon zbehjen me shtetet perëndimore", potencoi Arsim Haziri për "Kosova Sot" 

Duke parë situatën e tensionuar në vend dhe përkeqësimin e bashkëpunimit të politikës vendore me faktorin ndërkombëtar, ashpërsimin e raporteve me veprime të pamatura në fundvitin e kaluar, analistët vlerësojnë se edhe shpresat që Kosova të marrë liberalizimin e vizave sivjet po bëhen gjithnjë e më të zbehta. Sipas tyre, ka rrezik edhe të shtimit të kritereve të reja për liberalizimin e vizave, sidomos nëse politika kosovare shfuqizon Gjykatën Speciale dhe e fut Kosovën në sherr me Perëndimin. Po shihet qartë se për vite të tëra politikanët e inkriminuar vetëm sa e shkatërruan shtetin e Kosovës dhe këta liderë, të cilët, përveç inkriminimit në krim të organizuar, të cilin e dinë shkëlqyeshëm, nuk e dinë as ABC-në e marrëdhënieve ndërkombëtare. Padituria e tyre po i sjell shtetit të Kosovës dhe qytetarëve dëme të pariparueshme tash një dekadë, derisa kjo klasë politike, duke e vënë "qershinë mbi tortë" në fundvitin që lamë pas provoi edhe tentim-shfuqizimin klandestin të Gjykatës Speciale, në bashkëpunim me të paguarin e politikes Baton Haxhiun, kryeparlamentarin Kadri Veselin dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Analistët vlerësojnë se me këtë veprim të fundit kjo klasë politike e ka humbur tërësisht besimin edhe te qytetari i zakonshëm, por edhe te bashkësia ndërkombëtare. Faktori ndërkombëtar, njësoj si qytetarët, po e shohin se ende pa e rrumbullakuar dhjetëvjetorin e pavarësisë, Kosova mbetet shtet i krimit të organizuar dhe nëntokës e mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim dhe me gjysmë analfabetë,pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, e pa shumëçka tjetër, por po ashtu shteti i Kosovës vazhdon të jetë pa ulëse në OKB,pa na njohur ende pesë shtete të Bashkimit Evropian, hteti i Kosovës vazhdon të mos jetë anëtar i Këshillit të Evropës, OSBE-së, UNESCO-s, Interpolit etj., pa e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur si shtet të gjithë qytetarët e saj,pa ushtri, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve... të gjitha këto falë dështimit dhjetëvjeçar të politikës qeverisëse në vend. 

Matrapazët e rrezikojnë stabilitetin

Analisti politik Reshat Badallaj thotë se Kosova është e pashpresë me këtë garniturë dhe pari të paditurish,të pashkollë, të papërvojë fare politikisht. "Përse nuk e kuptojnë këta tyxharë se kur flet ambasadori i Amerikës,flet Amerika, kur flet ambasadori i Britanisë së Madhe apo gjermane flet Anglia e Gjermania. A thua vërtet janë aq trash në tru? Unë do të propozoja që këta të dërgohen urgjentisht në kontrollim mjekësor, për të mirën e tyre e kam. Pastaj, a nuk janë në gjendje këta dilenxhi se i ka futur në qorrsokak një këlysh i UDB-së së Serbisë me librezë zyrtare, Baton Fazli Haxhiu, që dihet botërisht se ndërsehet nga qarqet shoviniste serbo-çetnike?", shprehet ai. "Këta e kanë vetëm nga frika se do t'u digjet bishti i dhelprës... Si ka mundësi këta mashtrues dhe matrapazë që është puna pisk dhe serioze se nuk luhet me këto shtete më të fuqishme në botë dhe miqtë tanë më të ngushtë historikisht... Bota i ka vënë kushte kësaj garniture kravatash se pa luftuar korrupsionin që nga kokat e larta të kalbura që ia panë sherrin populli, nuk ka liberalizim të vizave,demarkacion e disa të tjera", tha Badallaj për "Kosova Sot". Edhe analisti Dardan Grapci konsideron se Kosova mund të humbë shumë nga turbullirat politike të fundvitit që lamë pas, duke filluar nga liberalizimi i vizave e tutje, e që të gjitha vijnë si pasojë e infiltrimit të shërbimeve të huaja në politikëbërjen e shtetit të Kosovës. "Baton Haxhiu po gabon që po lobon pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, sepse Batoni me këtë po e dëshmon që më shumë i konvenon një shtet me korrupsion, krim dhe shërbime ilegale, sesa një shtet i pasur pa korrupsion, krim dhe shërbime ilegale. Është e ditur që Baton Haxhiu është thuajse dora e djathtë i Hashim Thaçit dhe 3 politikanëve të tjerë", theksoi ai. "Ambasadorët e dy shteteve, siç janë Amerika dhe Anglia, e kanë thënë troç dhe qartë që Kosova apo më mirë të themi pushtetarët politikë në Kosovë janë duke e kthyer Kosovën në një enklavë, ku së shpejti askush nuk do t'i ndihmojë popullit, me gabimet e tyre që janë duke i bërë", tha Grapci për "Kosova Sot".

Përpjekje e vonuar

Edhe analisti politik Ali Hertica konsideron që, duke qenë pjesë përbërëse e pakos së sundimit të ligjit, veprimi i papenguar i Gjykatës Speciale do të ishte një favor shumë i madh për shtetin dhe qytetarët e Kosovës edhe në përshpejtimin e vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave. "Është momenti i fundit me shumë përgjegjësi për politikën vendore dhe bashkësinë ndërkombëtare, në radhë të parë nga BE-ja dhe shteti i Holandës, bashkë me të tjerët që ta funksionalizojnë këtë Gjykatë dhe ta bëjnë punën sa më parë që të mos zvarritet me vite, siç ka qenë puna me tribunalet e tjera e të mbahet peng i tërë populli i Kosovës dhe të lihen njerëzit në ankth dhe në stres", u shpreh ai. "Deri tash edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një total prej 208 rregullash, dhjetë dispozita në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të Gjykatës Speciale me bazë në Hagë. Në Kosovë, Gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftë- tarë të UÇK-së - njerëz që shihen si çlirimtarë nga shumica e popullsisë shqiptare të vendit - ndërsa në Serbi, Gjykata ka mbështetje të gjerë, për shkak të shpresave se do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve. Duke u nisur nga kjo situatë, rrjedh një paragjykim se dikush është mbrapa kësaj nisme për ta penguar këtë Gjykatë ,por kjo është disi pak me vonesë, sepse tani thuajse është e përfunduar kjo procedurë", tha Ali Hertica për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti Blerim Burjani konsideron se pas këtyre zhvillimeve të papritura në fundvitin e kaluar, për të mjekuar plagët që u shkaktuan në raport të marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar, për kthimin e normalitetit dhe besimit në politikën kosovare, duhet të ndodhin ndryshime rrënjësore në politikëbërje, sepse kjo klasë politike është shtyrë vetëm në motive pasurimi pa bazë dhe zhvatje të buxhetit përmes një numri të madh përfituesish analfabetë. "Kjo ka bërë që shteti të jetë një instrument pasurimi dhe jo i zgjidhjeve për qytetarët. Zgjidhje s'ka për interesin qytetar, as për atë politik, në vend të zgjidhjes ka konfuzitet, ka padijshmëri dhe forma të tjera, siç janë shtuar vitin e kaluar në ballafaqimin e ashpërsimit të raporteve edhe me shtetet mike. Kjo është e dëmshme dhe problematike për të ardhmen e Kosovës", theksoi Burjani për "Kosova Sot". 

Loja e pabesueshme e presidentit

Analisti Skënder Mulliqi thotë se Kosova gjithnjë e më shumë po izolohet nga bota demokratike. "Gjithnjë e më shumë jemi duke i humbur miqtë tanë në botë. Kështu qëndron puna edhe me Gjykatën Speciale, e cila u formua pikërisht me vullnetin e shumicës së deputetëve të PDK-së, e tash iu ka rënë ndërmend që ta shfuqizojnë një vendim ndërkombëtar, të marrë vetë në Parlament. Askush ose pakkush ka thënë se themelimi i një Gjykate të tillë është e mirë për Kosovën, por rrethanat e krijuara politike dhe mosfunksionimi i duhur i shtetit ligjor ishin indikatorët pse tash duhet të përballemi me punën e një Gjykate të tillë. Shumë vështirë mendoj unë do të jetë të anulohet një marrëveshje ndërkombëtare, siç është themelimi i Gjykatës, veç nëse dëshirojmë jo vetëm të kthehemi mbrapa, por edhe ta vëmë në sprovë të madhe edhe pavarësinë e Kosovës, të cilën zor se do ta kishim arritur pa ndihmën e miqve tanë amerikanë dhe evropianë", u shpreh ai. "Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditën e hënë, gjatë prezantimit të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë, e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale, "proces të padrejtë historik ndaj Kosovës".Ai ka theksuar se ka pranuar ta udhëheqë këtë proces, si kompromis, me premtimet e faktorëve ndërkombëtarë, për liberalizim të vizave, për formimin e Ushtrisë, pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe rritjen e numrit të njohjeve nga vendet e ndryshme të botës. Kur është marrë bekimi nga vetë Thaçi për formimin e Gjykatës nuk kemi dëgjuar nga ai se Kosova ka pasur premtime të tilla, dhe nëse ka pasur është dashur të bëhen të ditura për opinionin e gjerë publik. Por, kështu është mësuar që shumë kohë të veprojë Thaçi. Dihet së çfarë dëmesh janë duke i sjellë Kosovës marrëveshjet e firmosura në Bruksel e Vjenë të udhëhequra nga ai. Lidhur më deklaratën e presidentit ka reaguar me shkrim Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, se ky vend nuk i ka dhënë asnjë premtim Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale dhe se është e gabuar të thuhet ndryshe", tha Skënder Mulliqi për "Kosova Sot". Ai shtoi se publicist dhe gazetari Baton Haxhiu, që në vitin 2015 shumë i dha zjarr formimit të Gjykatës, e tash kjo figurë shumë kontroverse politike dhe e dyshimtë na thotë krejt diçka tjetër. 

Politikë e papërgjegjshme

Pesimist për të ardhmen e Kosovës me këtë kastë politike është dhe analisti Arsim Haziri. "Është disi absurde dhe e palogjikshme të presësh diçka pozitive dhe në funksion të së mirës së përgjithshme, kur sërish jemi nën të njëjtën mendësi e formacion politik", u shpreh ai. "Çështja e liberalizimit të vizave, që varet direkt prej ratifikimit të demarkimit më Malin e Zi, natyrisht edhe zhbërja e dukurive negative, që në mënyrë indirekte ndërlidhet me vetë veprimet e paligjshme të tyre, nuk konsideroj se mund të nxisin edhe zgjidhjen e kësaj çështjeje. Këtë e kanë thënë edhe vetë ndërkombëtarët", theksoi Haziri. Sipas tij, Kosova as sivjet s'do të ketë qasje të lirë në vendet e BE-së. "Qeverisja 'Haradinaj' qysh në ditët e para të mandatit ka treguar një lloj mendësie individuale, madje përmes veprimeve që ka ndërmarrë, ka treguar se nuk i shërben mandatit të plotë qytetar, nuk i shërben brengës e nevojës qytetare. Ajo për afro 100 ditë, për çka njihet, është vazhdimësia e mendësisë qeverisëse e tipit të PDK-së, LDK-së, ngarkimi buxhetit publik përmes trashjes së kabinetit, falja e borxhit ndaj milionerëve-ambalazhuesve të ujit, pretendimi më negativ, ai i shfuqizimit të Speciales, që në mënyrë direkte rrezikon zbehjen me shtetet perëndimore", potencoi Haziri për "Kosova Sot". Sipas tij, bie në sy sidomos prezantimi i tij në mënyrë të padenjë dhe joserioze karshi opinionit qytetar, medieve.

(Kosova Sot)