Sulm me bombë kundër vajzës së Nasim Haradinajt

  • 03 January 2018 - 10:00
Sulm me bombë kundër vajzës së Nasim Haradinajt

Në mëngjesin e djeshëm, më 2 janar 2018, në orën 00:58, në qytetin suedez Helsingborg ndodhi një shpërthim i madh i eksplozivit që ishte vendosur para derës së banesës së vajzës së veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Nasim Haradinajt, bëjnë të ditur mediet suedeze

Nga shpërthimi i fuqishëm u plagos Ariana Haradinaj, e cila punon si infermiere në këtë qytet dhe është duke u përgatitur që të fillojë studimet në Suedi. KosovaPress ka kontaktuar prindin e Arianës, z. Nasim Haradinaj i cili është pyetur nëse sulmi ndërlidhet me veprimtarinë e tij politike.

“Vendosja e eksplozivit në ndërtesat ku banojnë civilë është akt terrorist pa marrë parasysh se kush është objekt sulmi. Unë nuk dëshiroj që të bëhen spekulime rreth motiveve të këtij akti sepse u takon autoriteteve të hetuesisë suedeze që ta hetojnë rastin dhe tek pasi të ndriçohet në tërësi ky rast atëherë institucionet e drejtësisë së këtij vendi do ta thonë fjalën përfundimtare edhe për motivet e sulmit”, Tha Haradinaj. Pas trajtimit të plagëve në spital, policia suedeze e ka strehuar Arianën në një vend të sigurt.

(Kosova Sot)