Pa VETTING nuk ka sundim ligji

  • 03 January 2018 - 08:18
Pa VETTING nuk ka sundim ligji

EDHE NË 2018-ËN VAZHDON SUNDIMI I MAFIO-OLIGARKËVE

"Edhe më tutje në institucionet e shtetit po sundon krimi i organizuar dhe korrupsioni, që janë bërë gangrenë e shoqërisë së pasluftës. Pashmangshëm dhe detyrimisht duhet pastrimi i politikes së inkriminuar dhe drejtësisë kosovare nga strukturat e kriminalizuara dhe gjithashtu luftimi i pakompromis i rrjeteve kriminale, që kanë kapur shtetin dhe institucionet e tij", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi

Kosova, peng i paligjshmërive dhe bandave politike

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se është imediate për sistemin e drejtësisë Vettingu, sidomos në Prokurori e në Gjyqësor mbase dhe me detyrim ndërkombëtar, që t'u kërkojë institucioneve të drejtësisë dhe politikës, që sidomos në vitin 2018, ta bëjnë ligjin për Vettingun, sepse është e vetmja mundësi dhe imanente për dekriminalizimin e plotë të të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i drejtësisë i tejdegraduar, pastaj edhe në institucionet e tjera. Sipas tyre, drejtësia në Kosovë ka mbetur vetëm duke evidentuar numrin e lëndëve apo të dosjeve të pashqyrtuara e të pagjykuara dhe se drejtësia ka dështuar tërësisht, duke e falimentuar kështu shtetin dhe shoqërinë. Por, shtrohet pyetja se pse në Kosovë vazhdojmë të mos kemi sundim të ligjit dhe si ndodh që në gjykatat kosovare lëndët të zvarriten edhe deri në 811 ditë për një aktgjykim? Si kanë ngelur 342 mijë e 590 lëndë të pazgjidhura në Gjykatat Themelore, atë të Apelit e në Gjykatën Supreme? Kjo është shifër e nxjerr nga Këshill Gjyqësor i Kosovës në raportin e punës deri në muajin shtator, 2017! Si po prin me këto lëndë të pazgjidhura Gjykata Themelore e Prishtinës dhe degët e saj, ku vazhdojnë të trashëgohen dhe mbesin të pazgjidhura 101 mijë e 904 lëndë. Të pazgjidhura janë edhe 31 mijë e 204 lëndë në Gjykatën e Ferizajt. Kurse, 19 mijë e 496 në Vushtrri, që është degë e Gjykatës së Mitrovicës. Si tolerohet që të vazhdojë grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura, duke u dhënë përparësi vetëm lëndëve ku kane interesa mafio-oligarkët e nëntokës dhe politika? Kryeprokurori Lumezi, në intervistën ekskluzive të funditvitit për "KOSOVA SOT", tha se Kuvendi i Kosovës ose KGJK-ja janë institucionet që duhet të merren me politikën ndëshkimore dhe në këtë mënyrë të lehtësojnë luftimin e krimit përmes dhënies së dënimeve më të ashpra, apo në proporcion me peshën e tyre. Për atë se a do të jetë viti 2018, si vit i pashpresë për drejtësinë nëse nuk bëhet Vettingu në sistemin e drejtësisë, flet shkrimi në vijim. 

Falimentimi i shtetit

Analisti Skënder Kapiti ka thënë se e keqja më e madhe në një shtet është padrejtësia, derisa, sipas tij, vuajtjet më të mëdha një kombi dhe një shoqërie i vijnë asaj nga padrejtësia. Tutje ai thotë se pushtimi i një kombi nga një komb tjetër është padrejtësi; korrupsioni, vjedhja, krimi dhe varfëria, papunësia që i vijnë një kombi nga politika, drejtësia dhe pushteti në një shtet kombëtar nga politikanët, drejtësia dhe pushtet i vet, prej politikanëve të tij janë edhe ato padrejtësi tepër e madhe, sa s'ka ku të shkojë më tej. " Kjo e ka pllakosur fatkeqësisht Kosovën që për sa i përket padrejtësisë po e konkurron vetëm Shqipërinë prej së cilës ka marrë mësimet dhe praktikën. DREJTËSIA NË KOSOVË KA MBETUR VETËM DUKE EVIDENTUAR NUMRIN E LËNDËVE APO TË DOSJEVE TË PASHQYRTUARA E TË PA GJYKUARA, a thua se kjo është detyrë e saj dhe vetëm kjo, dhe a thua se vetëm për këto ajo paguhet", u shpreh ai. "Drejtësia ka dështuar tërë- sisht duke e falimentuar kështu shtetin dhe shoqërinë. Padrejtësia, krimi e korrupsioni si në Kosove dhe në Shqipëri, ato identifikohen dhe ato janë politika dhe drejtësia", potencoi Kapiti për "Kosova Sot". 

Bosët e krimit kontrollojnë drejtësinë 

Ndërsa, analisti Naim Miftari thotë se problemi qëndron se prokurorët e dinë mirë se kënd mund ta gjykojnë dhe kënd nuk guxojnë ta prekin, dhe nuk është aspak sekret se ligji në Kosovë godet vetëm ata të pa krahët dhe qytetarët e thjeshtë, pasi ata të tjerët, kriminelët dhe bosët e tyre, janë të paprekshëm nga ligji, i cili edhe i mbron, ua fsheh dosjet ua zbulon dëshmitarët, denoncimet para se t'ia fillojë mirë hetimi dhe gjykimi."Dhe, përderisa të ketë gjykim selektiv, ku dënohet qytetari pse ka vjedhur një lis mali e falet ai që e pret e shet male të tërë apo ka gjykatë që e dënon qytetarin e thjeshtë e mbyt burg e procedura të shpejtuara se ka pas një pushkë QIFTE gjahu pa leje në shtëpi trashëgim brez pas brezi, kurse e njëjta gjykatë nuk dënon të fortët e politikës. Kjo tregon se ligji tek ne dënon dhe vepron vetëm për qytetarin e thjeshtë, por jo për politikanët e korruptuar dhe bosët e mafisë politike të nëntokës", vijoi më tej ai. "Dhe, mekanizmat kontrollues brenda sistemit të drejtësisë, KGJK, përfaqësojnë vetëm bosët se kush i ka punësuar në "Drejtësi", ku aty vetëm mbrojnë mospunën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të kapur nga nëntoka dhe nga politikanët e korruptuar. Shpresoj shumë pak se viti 2018 do të sjellë ndryshime pozitive sa i përket sistemit të drejtësisë, dhe te ne akoma edhe shumë kohë do të vlejë slogani se kriminelët e mëdhenj nuk e kanë problem ligjin as drejtësinë, pasi punojnë së bashku", vlerësoi Naim Miftari për "Kosova Sot". 

Disiplina përtokë në Gjykata

Analisti Naim Kelmendi ka veçuar se është imediate për sistemin e drejtësisë Vettingu, sidomos në Prokurori e në Gjyqësor mbase dhe me detyrim ndërkombëtar që t'u kërkojë institucioneve të drejtësisë dhe politikës që, sidomos në vitin 2018, ta bëjnë ligjin për Vettingun, sepse është e vetmja mundësi dhe imanente për dekriminalizimin e plotë të të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i drejtësisë i tejdegraduar pastaj edhe në institucionet e tjera. "Në shtetin ku nuk sundon ligji dhe e drejta mungon perspektiva edhe e zhvillimit ekonomik edhe të tjera dhe kjo edhe në Kosovë. Derisa institucionet e drejtësisë sfidohen nga kapja e politikës së inkriminuar dhe korrupsionit nuk mund të ketë rend dhe sundim të ligjit, ngase edhe më tutje në institucionet e shtetit po sundon krimi i organizuar dhe korrupsioni, që janë bërë gangrenë e shoqërisë së pasluftës, pashmangshëm dhe detyrimisht duhet pastrimi i politikes së inkriminuar dhe drejtësisë kosovare nga strukturat e kriminalizuara dhe gjithashtu luftimi i pakompromis i rrjeteve kriminale që kanë kapur shtetin dhe institucionet e tij", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Ndërsa profesori universitar Mazllum Baraliu ka nënvizuar se struktura e KGJK- së do të duhej të kenë një qëndrim rigoroz në relacion me shkeljet disiplinore që eventualisht bëhen nga ana e gjyqtarëve, ngase, sipas tij, me dhjetëra gjyqtarë e prokurorë janë në Këshillin disiplinor me muaj dhe vite, derisa në fakt nuk procedohen apo nuk përfundohen lëndët ndaj tyre, derisa në këtë drejtim do të duhej që të shtohej përgjegjësia dhe të ashpërsoheshin kriteret edhe më tepër. "Pra, së këndejmi, veç të tjerash, do të duhej të ketë ndryshime dhe avancime në këtë fushë, në mënyrë që të ndryshojë gjendja e Gjyqësorit dhe të ketë avancime pozitive në mënyrën e funksionimit të tyre, por edhe në emërimin e anëtarëve të tyre, si dhe në funksionalitetin dhe efikasitetin në kryerjen e lëndëve të veprimtarisë së gjykatave të të gjitha niveleve në Kosovë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)