Mulliqi: Loja e pabesueshme e presidentit

  • 03 January 2018 - 19:30
Mulliqi: Loja e pabesueshme e presidentit

Analisti Skënder Mulliqi thotë se Kosova gjithnjë e më shumë po izolohet nga bota demokratike. "Gjithnjë e më shumë jemi duke i humbur miqtë tanë në botë. Kështu qëndron puna edhe me Gjykatën Speciale, e cila u formua pikërisht me vullnetin e shumicës së deputetëve të PDK-së, e tash iu ka rënë ndërmend që ta shfuqizojnë një vendim ndërkombëtar, të marrë vetë në Parlament. Askush ose pakkush ka thënë se themelimi i një Gjykate të tillë është e mirë për Kosovën, por rrethanat e krijuara politike dhe mosfunksionimi i duhur i shtetit ligjor ishin indikatorët pse tash duhet të përballemi me punën e një Gjykate të tillë. Shumë vështirë mendoj unë do të jetë të anulohet një marrëveshje ndërkombëtare, siç është themelimi i Gjykatës, veç nëse dëshirojmë jo vetëm të kthehemi mbrapa, por edhe ta vëmë në sprovë të madhe edhe pavarësinë e Kosovës, të cilën zor se do ta kishim arritur pa ndihmën e miqve tanë amerikanë dhe evropianë", u shpreh ai. "Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditën e hënë, gjatë prezantimit të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë, e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale, "proces të padrejtë historik ndaj Kosovës".Ai ka theksuar se ka pranuar ta udhëheqë këtë proces, si kompromis, me premtimet e faktorëve ndërkombëtarë, për liberalizim të vizave, për formimin e Ushtrisë, pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe rritjen e numrit të njohjeve nga vendet e ndryshme të botës. Kur është marrë bekimi nga vetë Thaçi për formimin e Gjykatës nuk kemi dëgjuar nga ai se Kosova ka pasur premtime të tilla, dhe nëse ka pasur është dashur të bëhen të ditura për opinionin e gjerë publik. Por, kështu është mësuar që shumë kohë të veprojë Thaçi. Dihet së çfarë dëmesh janë duke i sjellë Kosovës marrëveshjet e firmosura në Bruksel e Vjenë të udhëhequra nga ai. Lidhur më deklaratën e presidentit ka reaguar me shkrim Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, se ky vend nuk i ka dhënë asnjë premtim Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale dhe se është e gabuar të thuhet ndryshe", tha Skënder Mulliqi për "Kosova Sot". Ai shtoi se publicist dhe gazetari Baton Haxhiu, që në vitin 2015 shumë i dha zjarr formimit të Gjykatës, e tash kjo figurë shumë kontroverse politike dhe e dyshimtë na thotë krejt diçka tjetër. 

(Kosova Sot)