Drejtësia e kapur nga tentakulat e krimit

  • 09 January 2018 - 07:43
Drejtësia e kapur nga tentakulat e krimit

KOSOVA SHUMË LARG SHTETIT TË SË DREJTËS

Shumica e njohësve të fushës së sundimit të ligjit, të cilët po i shohin me një sy kritik zhvillimet e deritanishme në fushën e sundimit të ligjit në vend, po vlerësojnë se, duke pasur për bazë krejt dështimet në drejtësinë tonë në këto dy dekada, e sidomos në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së vendit, që tani po bëhet një dekadë e plotë e pastër e funksionimit si shtet pa ombrellën e UNMIK-ut, mund të nxirret konstatimi se KGJK-ja dhe KPK-ja janë plotë- sisht të kapura nga politika e inkriminuar dhe mafio-oligarkia e nëntokës kriminale. Ky konstatim, sipas njohësve të kësaj fushe, bazohet në bindjen e tyre, sipas së cilës edhe institucionet e sundimit të ligjit janë inkriminuar thellë në krim të organizuar, ngase njerëzit që do të duhej të ishin në ballë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, si janë pasuruar pashpjegueshëm, që nga zyrtarët policorë, gjyqtarët e prokurorët, duke u bërë NJË me nëntokën kriminale që realisht po e udhëheq shtetin e Kosovës. Duke rënë në këtë gjendje, sipas njohësve të fushës, drejtësia kosovare po luan me fatet dhe të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të palidhura me krimin dhe po i mbron e po vihet në mbrojtje duke bërë edhe avokatinë e mafio-oligarkëve të inkriminuar politikë dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të pista e thellë të inkriminuara në të gjitha pushtetet dhe nivelet e pushtetit! 

Krimi i ka shtrirë thellë rrënjët

Analisti Naim Kelmendi thotë se edhe fusha e drejtësisë, sikurse edhe nivelet e tjera të qeverisjes së vendit, nga niveli lokal deri në kupolën e qeverisjes qendrore, është një fushë e kapur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant, që kanë shtrirë tentakulat gjithandej institucioneve të shtetit."Pra, këtu nuk bën përjashtim as në sistemin e drejtësisë së kapur nga politika e inkriminuar dhe mafio-oligarkia e nëntokës kriminale, po ashtu dhe KGJK-ja e KPK-ja nuk bëjnë përjashtim assesi dhe kështu që lufta ndaj krimit dhe korrupsionit mbetet tash për tash dhe për sa kohë e vështirë, por jo e pamundur, e vështirë dhe për faktin se janë njerëzit thellë të inkriminuar në krim të organizuar e që pikërisht ata do të duhej të ishin në ballë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Por, fatkeqësisht këta janë pasuruar jashtëligjshëm, sikur janë gjyqtarë e prokurorë, po dhe zyrtarë policorë, duke u bërë kështu njësh me krimin dhe nëntokën e fuqishme kriminale, kështu që tashmë janë bërë problem serioz për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës", u shpreh ai. "Drejtësia kosovare ka degraduar shumë keq në funksionin e së drejtës dhe sundimit të ligjit dhe në anën tjetër po del sikur po luan me fatet dhe të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të palidhura me krimin, duke u vënë kështu në mbrojtje apo duke bërë edhe avokatinë e mafi oligarkëve të inkriminuar politikë dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të pista e thellë të inkriminuara në të gjitha pushtetet dhe nivelet e pushtetit", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

PRETENI: ASKUSH NUK KËRKON LLOGARI NGA KGJK DHE KPK!

Ish-shefi i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, tani drejtor ekzekutiv i Qendrës për Etikë, Transparencë, thotë se të gjitha këto dyshime janë mjaft të bazuara, për të mos thënë 100% të vërtetuara e të vulosura. "Po, është e vërtetë se këta dy mekanizma nuk janë funksionalë, nuk kanë vullnet, nuk kanë kurajë dhe guxim dhe askush nga ta nuk kërkon llogari. Kuvendi i Kosovës duhet t'i detyrojë që të vijnë në Kuvend dhe të raportojnë. Detyrimi për të raportuar do të rriste llogaridhënien dhe transparencën. Punë tjetër që duhet të bëjë Kuvendi është edhe ndryshimi i legjislacionit. Me ligj duhet ndaluar prokurorëve dhe gjyqtarëve që të kenë më shumë vende pune, ata duhet të flasin vetëm në gjykatore. Mungesat e cekura po rezultojnë me mospunë dhe me shumë pasurim. Pasuria e tyre është dëshmia më e fuqishme se si punojnë ata..., pak punë për interesin e përgjithshëm e shumë pasuri për xhepat private", tha Preteni për "Kosova Sot".

KAPITI:ANTILIGJI DHE KUNDËRDREJTËSIA I KANË PARALIZUAR INSTITUCIONET!

Analisti politik Skënder Kapiti shqetësohet edhe nga fakti, sipas të cilit, sipas tij, padrejtësia e drejtësisë në Kosovë ka paralizuar shtetin, ligjin dhe demokracinë dhe për pasojë është bërë kërcënim real për sovranitetin e Kosovës."Parimi më i lartë në një shoqëri dhe në një shtet është parimi i drejtësisë, zbatimi i saj njëlloj për të gjithë. Drejtësia nuk është e drejtë juridike e pronësore e askujt, pavarësisht nga statusi politik, ekonomik dhe trashëgimor i tij. Kosova, e cila ka marrë shembullin e Shqipërisë, të dyja këto shtete, kanë deficitin më të lartë në rajon, Evropë, dhe ndoshta edhe në botë, në drejtësi dhe në zbatimin e ligjit, aq sa janë bërë edhe problem ndërkombëtar, pasi antiligji dhe kundërdrejtësia i kanë paralizuar institucionet politike: partitë dhe parlamentin; institucionet e ekzekutivit, qeverisjet qendrore e lokale dhe administratën publike; institucionet e gjyqësorit të të gjitha shkalleve, mediet, si dhe vetë shoqërinë civile", u shpreh ai. "Mafio-oligarkia e krimit dhe korrupsionit është si oktapodi, tentakulat e të cilit kanë mbërthyer dhe e kanë paralizuar shoqërinë, e cila nuk është në gjendje që të reagojë e të shërohet. Drejtësia dhe ligji, të cilët duhet të jenë në krye të frontit kundër padrejtësisë, krimit e korrupsionit, realisht janë shndërruar në një prapavijë sigurie e mbrojtëse të tyre", tha Kapiti për "Kosova Sot".

Prokuroria Speciale dështim i madh

Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, duke parë dështimin e madh që po e përcjell vendin në fushën e sundimit të ligjit, në funksionimin improvizues të institucioneve të drejtë- sisë, prokurorive dhe gjykatave, thotë se faktikisht në vendin tonë kemi fare pak ose nuk kemi aspak drejtësi. Dështimin më të madh Miftari e sheh tek Prokuroria Speciale, e cila ka barrën më serioze të luftës kundër krimit të organizuar. "Në tërë këtë zinxhir të dështuar juridik prokurorët e ashtuquajtur specialë janë dështimi më i madh juridik në Kosovë dhe problemi qëndron se shumica e prokurorëve specialë janë edhe vetë pjesë e krimit të organizuar politik dhe ekonomik, ku detyra e tyre zyrtare bie ndesh me praktikat dhe veprimet e tyre. "Detyra selektive zyrtare e prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë dirigjohet nga parasistemet politike, nga klanet që janë lidhur ngushtë me mafinë dhe nëntokën politike, shpeshherë të lidhur ngushtë edhe me zyrtarët ndërkombëtarë që vendin tonë po e përdorin vetëm si shkallë për t'u pasuruar privatisht, në mënyrë të paligjshme, pa marrë parasysh detyrën që e bëjnë në vendin tonë. Nga kjo vjen shpesh edhe frika e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të merren seriozisht me rastet serioze, gjë që vazhdimisht është e pranishme, si rasti i megamilionerëve Devolli, që janë vetëm dorë e zgjatur e politikanëve të korruptuar të pushtetit që kanë gllabëruar pothuajse shumicën e pasurisë shoqërore të Kosovës… Pastaj vjen rasti tjetër, ndalimi i hetimeve serioze të aferës së pasaportave të Kosovës, ku Drita Hajdari, prokurore speciale e Kosovës, e cila në vend se t'i ndjekë fajtorët institucionalë të pushtetit, me urdhër nga lart, i ndërpreu hetimet, i devalvoi dhe në fund u dënua grupi i Natalia Veliut, e cila punonte për dikë nga krerët e shtetit. Por prokuroria as gjyqësia nuk patën guxim dhe as qëllim të ndjekin fajtorët e vërtetë që ishin krerë shteti dhe të politikës. Pastaj vjen afera e vizave italiane, ku u ndërprenë hetimet e larta për shkak të ndikimit nga qarqet dhe klanet politike, pastaj KEK-KEC, 'Trepça', PTK, 'Z-Mobile' e shumë e shumë afera qindra milionëshe të tjera korruptive, në të cilat drejtësia e shtetit tonë nuk pati guxim as dëshirë që t'i ndjekë multikriminelët milionerë", theksoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, këta multimilionerë kriminelë janë të lidhur ngushtë me politikanët e korruptuar vendorë, por edhe ndërkombëtarë.

(Kosova Sot)