Vrasja e dy grave në Zvicër nga shqiptari, dalin detaje të reja

  • 09 January 2018 - 09:39
Vrasja e dy grave në Zvicër nga shqiptari, dalin detaje të reja

Me dy gra të vrara ka përfunduar një tragjedi e shkaktuar nga shqiptari nga Kosova, R.B. 54 vjeç që jeton në Zvicër, mëngjesin e së hënës.

Njëra nga dy gratë e vrara në banesën në kantonin e Argaut, sipas medieve zvicerane, është bashkëshortja e vetë dorasit, 38-vjeçare, ndërsa edhe për tjetrën supozohet të jetë anëtare e familjes.

Siç raporton gazeta zvicerane, Blick, shqiptarja që dyshohet se u vra sot nga bashkëshorti i saj quhet Alma, ndërkaq mbiemri i saj nuk është bërë i ditur për shkak të hetimeve.

Kosovari i dyshuar për vrasjet është arrestuar në qytezën Hausen të Zvicrës, aty edhe ku banonte.

Dy gratë u gjetën të vrara mëngjesin e të hënës, derisa policia kantonale e arrestoi shtetasin e Kosovës në vendin e ngjarjes, në banesën që i dyshuari dhe njëra prej viktimave banonin.

Mediet raportojnë se viktima tjetër nuk ishte bashkëbanuese e çiftit, por pa informacione të tjera shtesë.

Motivet e krimit janë ende të paqarta, derisa banorët përreth vendit të krimit i kanë thënë ’20minuten’ se çifti nuk ishte shumë kohë që ishin vendosur të banonin në apartamentin ku ndodhi vrasja e dyfishtë.

(Kosova Sot)