Nuk ka më diploma “plepash”, kreu i magjistraturës tregon “pengesat” për gjyqtarët

  • 09 January 2018 - 11:25
Nuk ka më diploma “plepash”, kreu i magjistraturës tregon “pengesat” për gjyqtarët

Me hyrjen në fuqi të reformës në drejtësi dhe ligjit të Vetting-ut në Shqipëri askush s’mund të bëhet më prokuror apo gjykatës pa kaluar nëpërmjet shkollës së magjistraturës, ndërsa në Vetting do të kalojnë dhe këshilltarët ligjorë.

Në një intervistë ekskluzive për Report Tv drejtori i shkollës së magjistraturës Sokol Sadushi shpjegon se cili është roli i shkollës në procesin e rivlerësimit kalimtar dhe si do të jenë magjistratët e ardhshëm.

“Nuk do të ketë më asnjë gjyqtar e prokuror, që do të punojë në sistem pa kaluar nëpërmjet shkollës së magjistraturës. Por, roli deçizim që shkolla ka në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, pra Vettingut, është në drejtim të momentin të rëndësishëm që ajo ka për të vlerësuar këshilltarët ligjorë”, tha Sadushi.

Ndalur tek ata që nuk plotësojnë aftësitë profesionale dhe ngelin gjatë Vetting-ut Sadushi shpjegon se do t’i nënshtrohen një formimi profesional që do të zgjasë për një vit.

“Në qoftë se do të krijohet një bindje se është e pamundur që këta persona të konsiderohen të aftë për të vazhduar për të ushtruar detyrën, për shkak të mangësive në aftësitë profesionale, këta do të pezullohen nga detyra e gjyqtarit dhe prokurorit për një vit dhe do të detyrohen të ndjekin një program mësimor në shkollën e magjistraturës për një vit dhe ky program që do të ndjekin këta është i njëjtë me programin që do ndjekin kandidatët e magjistratës”, shtoi ai.

Kjo reformë sipas Sadushit do të sjellë dhe risin e gjyqtarit dhe prokurorit për mediat, i cili do të jetë nga radhët e sistemit të drejtësisë dhe i kualifikuar për të rikthyer besimin e publikut.

“Roli i gjyqtarit dhe prokurorit të medias do të jetë një ndihmës shumë e madhe, në radhë të parë për vetë gjykatat, për vetë sistemin e drejtësisë në tërësi dhe për prokurorinë, por do jetë një ndihmë shumë e madhe për median dhe opinionin publik, për të kuptuar se çfarë ndodh brenda gjykatave e prokurorive në aspektin profesional. Gjyqtari i medias dhe prokurori i medias do të jenë një person, pra një gjyqtar a prokuror në detyrë, të cilët do të caktohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, deklaroi drejtori i shkollës së magjistraturës.

I pyetur për ambientet në të cilat funksionon shkolla e magjistraturës, Sadushi shpjegon se qeveria duhet që të gjej një zgjidhje sa më të shpejtë pasi aktualisht ata janë në pamundësi për të ushtruar funksionet e tyre.

“Ne kemi 20 vjet që qëndrojmë në këto ambiente dhe tashmë ju e dini që ambientet e shkollës së magjistraturës janë ambiente të një korridori të një kati të godinës së gjeologjimit të njerëzve. Një ambient që nuk plotëson kushtet minimale që duhet të ketë shkolla e magjistraturës. Tashmë edhe në kuadër të të gjithë ndryshimeve që ka pësuar shkolla, në aspektin ligjor dhe funksional, tashmë shkolla nuk plotëson dot nevojat në kushtet në të cilat është, me ato që ligjet e reformës kanë sjell. Ne shpresojmë që me një zgjidhje të tillë shkolla e magjistraturës do të ketë një pamje tjetër, por kjo është një gjë që i përket të ardhmes, ne nevojën e kemi emergjente dhe presim të kemi një sistemim të përkohshëm në ambientet që jemi apo diku tjetër, që shkolla të ushtrojë siç duhet funksionin e saj”, përfundoi Sadushi.

Ndërkohë, Report Tv ka siguruar ekskluzivisht programin me të cilin do të testohen aftësitë profesionale të këshilltarëve ligjore ku pyetjet nisin nga testi logjik, gjuha shqipe, njohurit për legjislacionin shqiptarë, kodet e punës, si dhe legjislacionin e Bashkimit Europian.

(Kosova Sot)