Kelmendi: Krimi i ka shtrirë thellë rrënjët

  • 09 January 2018 - 13:28
Kelmendi: Krimi i ka shtrirë thellë rrënjët

Analisti Naim Kelmendi thotë se edhe fusha e drejtësisë, sikurse edhe nivelet e tjera të qeverisjes së vendit, nga niveli lokal deri në kupolën e qeverisjes qendrore, është një fushë e kapur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant, që kanë shtrirë tentakulat gjithandej institucioneve të shtetit."Pra, këtu nuk bën përjashtim as në sistemin e drejtësisë së kapur nga politika e inkriminuar dhe mafio-oligarkia e nëntokës kriminale, po ashtu dhe KGJK-ja e KPK-ja nuk bëjnë përjashtim assesi dhe kështu që lufta ndaj krimit dhe korrupsionit mbetet tash për tash dhe për sa kohë e vështirë, por jo e pamundur, e vështirë dhe për faktin se janë njerëzit thellë të inkriminuar në krim të organizuar e që pikërisht ata do të duhej të ishin në ballë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Por, fatkeqësisht këta janë pasuruar jashtëligjshëm, sikur janë gjyqtarë e prokurorë, po dhe zyrtarë policorë, duke u bërë kështu njësh me krimin dhe nëntokën e fuqishme kriminale, kështu që tashmë janë bërë problem serioz për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës", u shpreh ai. "Drejtësia kosovare ka degraduar shumë keq në funksionin e së drejtës dhe sundimit të ligjit dhe në anën tjetër po del sikur po luan me fatet dhe të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të palidhura me krimin, duke u vënë kështu në mbrojtje apo duke bërë edhe avokatinë e mafi oligarkëve të inkriminuar politikë dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të pista e thellë të inkriminuara në të gjitha pushtetet dhe nivelet e pushtetit", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)