“Vdes” Lazarati, nga luksi zhytet në skamje (Fotot)

  • 09 January 2018 - 14:19
 “Vdes” Lazarati, nga luksi zhytet në skamje (Fotot)

Një trafik jo i zakontë ka kapluar aksin nacional Gjirokastër- Kakavijë, në paraditen e 2 janarit të vitit të sapoardhur. Makina të shumta me targa të huaja po largohen drejt pikës kufitare, por destinacioni ynë, tashmë nuk kërkon më “vizë”.

Një tabelë anash rrugës na orienton djathtas, ku arrijmë të dallojmë për së largu Lazaratin, fshatin famëkeq, të trumbetuar aq fort nga mediat shqiptare, por edhe të huaja për kultivimin e kanabisit. Teksa ngjitemi në rrugicën me gropa, mbulohemi nga hija e mureve të larta që tre vite më parë shërbenin si “bedenat” e ruajtjes së hashashit. Por tashmë një qetësi e frikshme mbizotëron në fshat, ndërkohë që mjegulla e zymtë ka mbërthyer vendin që dikur njihej si kryeqyteti europian i kanabisit.

Image

Prej shumë kohësh, shtetrrethimi ka rënë, nuk ka më paralajmërime apo kontrolle për të hyrë në territorin lazaratas, as kërcënime me armë, siç ndodhte dikur në ato vite, kur banorët, veçanërisht të rinj, kishin një pushtet të papërballueshëm nga shteti. Tashmë gjithçka që ka ngelur nga Lazarati është skamja e varfëria e ulur këmbëkryq brenda vilave luksoze, shumë prej tyre të ndërtuara me pasuri të paligjshme.

Banorët
Pas 20 minutash rrugë-tim, arrijmë në qendrën e fshatit Lazarat. Një grua e moshuar rreth të 70-ve, me shami e poture të zeza, po mbush ujë në një çezmë aty pranë. Pesha e jetës, e reflektuar në sytë e ballin plot rrudha, është shumë më e rëndë se ato 10 shishe me ujë që me zor po arrin t’i shkëpusë nga toka. “Djemtë ikën jashtë vendit, nuk rrinin dot më këtu, mbaroi gjithçka.

Tani jemi si mos më keq, marrim bukën dhe ushqimet me listë, por le të vijnë pushtetarët e të na shohin si jemi katandisur. I thoni Edi Ramës e Sali Berishës që të vijnë këtu e të shohin nga afër se si jemi zhytur në mjerim”,- shprehet e revoltuar e moshuara.

Vazhdojmë të ecim në qendër të fshatit, ndërsa në të djathtë shohim një lokal të vogël, me xhama të errët, e disa karrige të vjetruara jashtë. Brenda subjektit, dallohen shtëllungat e tymit të cigares, e vetmja shkelje e ligjit që lazaratasit mund të bëjnë tani. Kanë kaluar tre vjet e gjysmë nga koha kur lazaratasit nuk pyesnin dhe i bënin sfidë ligjit. U desh, superoperacioni antidrogë i qershorit të vitit 2014 që në këtë fshat “rebel” të vendosej ligji. Hyjmë brenda lokalit ku përreth një tavoline janë ulur rreth 5-6 burra të thinjur, me kafe e një teke raki para, që po luajnë domino. Mesa duket, “shteti më vete” i Shqipërisë sonë, ka marrë sërish formën e mëparshme, është rikthyer në identitet, duke iu bashkuar normalitetit të fshatrave të tjerë të vendit.

Image

Bizneset

Vazhdojmë të ecim në fshat, ku para një minimarketi qëndron një çift të moshu-arish, të cilët mesa duket janë pronarët e këtij biznesi të vogël. Na presin me buzë-qeshje, por sapo i pyesim lidhur me situatën, fytyrat e tyre vrenjten dhe ngurrojnë të flasin.

“Largohuni, nuk keni më se çfarë merrni nga ne, se ashtu e kemi hallin. Pak na kanë bërë? Nuk dua të jap informacion, kush politikan dëshiron të vijë të shohë vetë ç’bëhet në fshat”,-thërret e revoltuar e moshuara, ndërkohë që tenton të na nxjerrë jashtë marketit. Ndërkohë, i shoqi i saj, i ulur në një karrige aty jashtë, duket se kërkon të tregojë gjithë brengat që po e gërryejnë, duke na bërë me shenjë që të shkojmë drejt tij.

“Këtë market të vogël e kam hapur para shumë vitesh, por një gjendje ekonomike të tillë fshati nuk e kam parë kurrë, jemi në krizë. Fletorja është mbushur plot me emrat e atyre që marrin edhe bukën me listë. Pyesni Edi Ramën për gjendjen tonë se mund t’iu përgjigjet më mirë. Gjendja në Lazarat është jashtëzakonisht e keqe dhe kaotike, banorët i ka mbytur varfëria e papunësia. Ishte viti i ri dhe lazaratasit pothuajse nuk kanë blerë asgjë për ta festuar e për ne ka qenë një natë si gjithë të tjerat”,-tregon pronari i biznesit.

Ndërkaq, edhe kazinoja në të cilën lazaratasit shumë kohë më parë, linin miliona lekë, tashmë ka dalë jashtë funksionit, e dyert e saj janë mbuluar me gazetat që shkruan aq shumë për qendrën e kanabisit të Shqipërisë. Mesa duket, ajo çka ka ngelur nga fshati famëkeq, janë vetëm muret e larta që mbronin hashashin e fasadat e vilave, ndërsa makinat luksoze që para “pushtonin” jo vetëm Lazaratin, por edhe Gjirokastrën e zonat përreth janë zhdukur. Vendin e tyre tashmë e kanë zënë bagëtitë, të cilat shumë prej banorëve i kullosin për të shitur ndonjë shishe qumësht dyerve të gjirokastritëve për të mbajtur frymën gjallë. Pra, shumë gjëra janë kthyer si shumë kohë më parë për Lazaratin, përveç migrimit të të rinjve, i cili ka pësuar një rritje nga viti në vit.

Djemtë lazaratas, që vite para lëviznin me lekë ndër duar e pistoleta në brez, në makinat e shtrenjta, sot janë larguar nga vendlindja e tyre jashtë shtetit apo në kryeqytet për një jetë më të mirë. Gjatë rrugës së kthimit nga fshati rebel, shikojmë edhe fushën e shkretuar që i mori jetën efektivit të RENEAS, Ibrahim Basha qershorin e 2015-ës gjatë një operacioni antidrogë.

Image

Reagimi i gjirokastritëve

Në periudhën e lulëzimit të kanabisit në Lazarat, edhe Gjirokastra pati një ngritje ekonomike, pasi jo pak qytetarë zgjodhën të punonin në presimin apo ujitjen e hashashit, ku paguheshin shumë më shumë sesa në një punë tjetër. Sot, shumë biznese në Gjirokastër janë mbyllur për shkak se fuqia blerëse ka rënë. “E mbylla dyqanin me veshje. Para blinin shumë, sidomos lazot.

Tani s’ka më kush t’i blejë, punë s’ka, kjo rënia e Lazaratit ndikoi edhe te ne”,-tregon një ish-pronar i një butiku veshjesh në këtë qytet. Por pavarësisht kësaj, shumë gjirokastritë, me paksa cinizëm tregojnë se ndihen të kënaqur për gjithçka ndodhi në Lazarat. “Shumë mirë iu bë, e meritonin! Ishin bërë zotër të Gjirokastrës, por tani u kthyen aty në origjinë, përfunduan ku e kanë vendin. Mund të flemë të qetë natën, pa frikën se mos na kap ndonjë plumb nga të shtënat e lazaratasve”,-tregon një tjetër gjirokastrit.

(Kosova Sot)