Arrestohet falsifikatori nga Tirana, si i niste shqiptarët drejt Anglisë

  • 09 January 2018 - 15:46
Arrestohet falsifikatori nga Tirana, si i niste shqiptarët drejt Anglisë

Një 38-vjeçar u arrestua nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se niste në mënyrë të paligjshme persona me destinacion Anglinë.

Eduart Tafçiu akuzohet për veprën penale  “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve ”, kundrejt përfitimit.

Ai u arrestua teksa udhëtonte me automjet në Tiranë, paradites e sotme.

38 vjeçari, banues  në Tiranë, rezulton i dënuar më parë për "Vjedhje me armë" dhe "Shkatërrim të rrjetit ujësjellësit".

Ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg".

Procedimi është ndjekur  me metoda speciale të hetimit, ku është bërë  sigurimi i provave nga i dyshuari, i cili merrte përsipër sipas porosive të të interesuarve, bërjen në mënyrë të falsifikuar të kartave të identitetit, karta shëndeti dhe patenta Italiane, me qëllim nisjen e personave në mënyre të paligjshme me destinacion Anglinë.

Gjatë arrestimit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 automjete, 2 laptop dhe një DVR, një bllok shënimesh me emra dhe shënime për shtetas të ndryshëm në interes të aktivitetit që kryente, shumën prej 30.000 lekë të reja, 3 aparate celulari dhe 1 pajisje elektronike  me mbishkrim “Mini Money Detector” UV.

(Kosova Sot)