Si u bë që Kim Jong Un të jetë njëri ndër diktatorët më të frikshëm në botë

  • 09 January 2018 - 19:02
Si u bë që Kim Jong Un të jetë njëri ndër diktatorët më të frikshëm në botë

KIM JONG UN, I CILI E FUTI VENDIN E TIJ NË KLUBIN E VENDEVE BËRTHAMORE, MË 8 JANAR KA MBUSHUR 34 VJET

Kim Jong Un përshkruhet nga ish-shokët e klasës si një nxënës i qetë, por i cili kishte një sens për humor

Ka thashetheme se Kim Jong Un ka bërë edhe operacione plastike, në mënyrë që sa më shumë të ngjajë me gjyshin. Menjëherë pas vdekjes së të atit, Kim Jong Un u shpall "Lider Suprem" i Koresë Veriore

Kim Jong Un, aktualisht në krye të dinastisë Kim, e cila sundon Korenë e veriut që nga vitet 1950, ka mbikëqyrur disa teste bërthamore, disa teste raketore, si dhe ka këmbyer porositë më të nxehta me një kryetar të SHBA-së. Por, midis kërcënimeve për shkatërrim bërthamor, politikës së lojës me zjarrin dhe sulmeve ndaj Koresë jugore, Kim, i cili erdhi në pushtet në një moshë aq të re, sa që shumë mendonin se ai nuk do të kishte sukses, përgjatë tërë kohës ka mbajtur pushtetin me të dyja duart e tij. Përkundër vëmendjes së madhe që i është kushtuar doemos, ende dihet relativisht pak rreth jetës së tij. Ja disa prej asaj që dihet deri më tani rreth njeriut, i cili u bë njëri ndër diktatorët më të frikshëm në botë: Kim Jong Un lindi më 8 janar të vitit 1982, 1983, ose 1984 nga prindërit Kim Jong Il dhe gruaja e tij Ko Young Hee. Ai kishte një vëlla më të vjetër, të quajtur Kim Jong Chul dhe një motër më të re, Kim Yo Jong. Jong Un jetonte me të ëmën derisa ishte fëmijë. Gjatë kësaj kohe Koreja Veriore sundohej nga "Lideri i madh", Kim Il Sung. Derisa Kim Jong Il konsiderohej 'trashëgimtari i fronit', e ardhmja e Kim Jong Unit nuk ishte aq e sigurt. Më pas, ai shkoi në Zvicër për ta ndjekur një shkollë.

Kim Jong Un-it i pëlqente basketbolli dhe idolizonte Michael Jordanin

I quajtur "Pak Un" dhe i përshkruar sikur i biri i një punëtori në ambasadën e Koresë Veriore, mendohet që Kim Jong Un ta ketë ndjekur një shkollë në anglisht, në Gumligen afër Bernës. Kim Jong Un përshkruhet nga ish shokët e klasës si një nxënës i qetë, por i cili kishte një sens për humor. Kim Jong Un-it i pëlqente basketbolli dhe idolizonte Michael Jordanin. Edhe pse Kim ishte me mbipeshë dhe shtatshkurtër, ai luante mirë basketboll. Lideri i ri korean kishte fotografi të Jordanit në tërë muret e dhomës së tij, gjatë viteve të shkollimit në Zvicër. Një shok i tij i shkollës thotë se Kim ishte lojtar emocional, tepër konkurrues. "Urrente të humbte. Fitorja për të kishte rëndësi të madhe", thotë ai. Ai kishte po ashtu edhe një koleksion fantastik të atleteve "Nike". Pasi që kreu shkollën në Zvicër, Kim u kthye në atdhe, për shkollim ushtarak, ku filloi studimet në Universitetin ushtarak, bashkë me vëllain më të madh. Derisa i ati i tij ishte buzë vdekjes, Kim Jong Un u promovua me të shpejtë në zinxhirin politik dhe ushtarak, përkundër faktit se nuk kishte përvojë në asnjërën prej këtyre dy fushave. Ai u bë gjeneral me katër yje, zëvendës kryesues i Komisionit qendror ushtarak të Partisë së punës dhe anëtar i Komitetit qendror. Kim Jong Un ka bërë edhe një këngë, të njohur me emrin "Gjurmët", që tingëllon si këngët propagandistike sovjetike. Kënga fton popullin që të shkojë "gjurmëve të admiralit tonë Kim". Shumë koreanë veriorë e shohin Kim Jong Un-in si version të ri të "Liderit të Madh", Kim Il Sung.

Urdhëroi ekzekutimin e Jang Sung Taekut

Kim ka një ngjashmëri me gjyshin e tij, Kim Il Sung, si për nga pamja, stili i flokëve dhe gjestet. Ka thashetheme se Kim Jong Un ka bërë edhe operacione plastike, në mënyrë që sa më shumë të ngjajë me gjyshin. Menjëherë pas vdekjes së t'et, Kim Jong Un u shpall "Lider Suprem" i Koresë Veriore. Ai trashëgoi ushtrinë e katërt për nga madhësia në botë, një arsenal bërthamor dhe një kontroll absolut ndaj vendit. Vëllai i tij i madh, Kim Jong Chol, ishte konsideruar nga i ati si 'tepër feminil' dhe i dobët. Vëllai tjetër i tij, Kim Jong Nam, duket ta ketë kritikuar regjimin, meqë u vra në vitin 2017. Kim Jong Un ishte kreu më i ri i shtetit, kur e mori pushtetin. Në mesin e këshilltarëve më të besueshëm të Kim Jong Un'it ishin halla e tij, Kim Kyong Hui dhe burri i saj, Jang Sung Taek. Por, më 12 dhjetor të vitit 2013, Kim Jong Un urdhëroi ekzekutimin e Jang Sung Taekut. Ai u akuzua për tentim të puçit ushtarak. Thuhet se Kim më pas urdhëroi edhe ekzekutimin e familjes së Taekut. Mediat e Koresë veriore njoftuan se Kim është martuar me Ri Sol Ju - një ish këngëtare - por askush nuk e di saktësisht se kur janë martuar ata. Thuhet se ata kanë dy fëmijë. Në vitin 2013 thuhet se kundër tij u provua një atentat, por fat(keq)mirë- sisht, atentati dështoi. Në epokën e Trump-it, konflikti i SHBA-së dhe Koresë veriore arriti nivele të reja, të larta. Pak pas marrjes së pushtetit, presidenti Donald Trump e cilësoi Korenë veriore si rrezikun e vetëm, më të madh për SHBA-në. Në ndërkohë, Koreja veriore vazhdoi me testet e saj bërthamore, duke testuar në nëntor raketat ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi, gjë që Trump ishte përbetuar se do ta parandalonte. Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, H.R. McMaster, thotë se gjasat e një lufte midis dy vendeve janë duke u rritur nga dita në ditë. 

(Kosova Sot)