Devollët kanë kapur e okupuar institucionet e shtetit

  • 09 January 2018 - 07:37
Devollët kanë kapur e okupuar institucionet e shtetit

Pushtetarët e Kosovës, të dorëzuar përballë "mullinxhinjve" të Serbisë në Kosovë

Atë që e kemi potencuar në disa shkrime të gazetës gjatë vitit të kaluar e ka riaktualizuar së fundmi analisti politik nga Shqipëria Mero Baze, në një shkrim autorial të dielën, duke iu referuar vetë pohimeve të një qeveritari shqiptar, ish-kryeministër në kohën e luftës në Kosovë. " Pandeli Majko ka artikuluar nëpër dhëmbë një të vërtete të tepër të frikshme. Bizneset po bllokojnë tregtinë e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk e tha se cilët prej tyre, por historinë e kupton po të ndjekësh dështimin e radhës mes dy qeverive shqiptare. Marrëveshja, e cila do të firmosej në takimin e përbashkët të dy qeverive në Korçë, nuk u firmos nga Qeveria e Kosovës, për shkak të ndikimit në këtë vendim të së paku dy- tre biznesmenëve të mëdhenj të Kosovës, që importojnë rreth mbi 60 për qind të mallrave të tyre nga Serbia", ka shkruar Baze. Analistët e shtrojnë në debat çështjen se kush po e udhëheq shtetin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministër, dhe Hashim Thaçi, president, apo janë vëllezërit Shkëlqim dhe Blerim Devolli, ata që po udhëheqin me vendin tonë. Analistët pyesin se përse pushtetarët e Kosovës janë të dorëzuar përballë "mullinxhinjve" të Serbisë në Kosovë, siç konsiderohen vëllezërit Devolli, por edhe dy-tre biznese të tjera, të cilat importojnë rreth mbi 60 për qind të mallrave serbe në Kosovë e së fundi edhe në Shqipëri. Sipas analistëve, mosnënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Shqipëri është rezultat i presionit të këtyre bizneseve nga të dyja anët e kufirit. Të njëjtët liderë politikë po kanë guximin të fusin Kosovën në geto të Bashkimit Evropian, duke futur Kosovën në një rrugë pa krye, drejt zhbërjes si shtet i pavarur, me përpjekjen për të refuzuar Gjykatën Speciale, edhe pse po i kërcënojnë pesë shtete kryesore të Perëndimit, por nuk kanë guxim të refuzojnë kërkesat e vëllezërve të kriminalizuar Devolli dhe klanit të tyre " Pronto", që bëjnë e përfaqësojnë politikën tregtare të Beogradit në Kosovë , për t'i hapur rrugën një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Shqipërinë. Analistët pyesin se përse Prokuroria Speciale po injoron faktet se krimi i organizuar po udhëheq shtetin. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë, Qeverisë dhe vëllezërve Devolli për të marrë përgjigjen e tyre lidhur me këto akuza, të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Mafio-oligarkët, rrezik kombëtar

Analisti Faton Mehmeti tha për gazetën "Kosova Sot" se Devollët e kanë shndërruar Kosovën në pronë private të tyre duke korruptuar politikanët. "Shkrimi i Mero Bazes vetëm sa e legjitimon atë që prej kohësh thuhet, se Devollët e kanë kapur shtetin. Përmes bizneseve të paligjshme dhe me para të pista, Devollët kanë korruptuar politikën dhe drejtësinë, duke i hapur vetes rrugët drejt përfitimit të parave të pista. Derisa nuk kemi drejtësi të pavarur, nuk mund të shkë- puten lidhjet e politikës me Devollët", u shpreh ai. Ai thotë se lidhjet e Devollëve me PDK-në, Ramushin dhe disa nga VV-ja janë ato që u mundësojnë Devollëve të operojnë të papenguar nga askush. " Devollët përmes Edi Ramës kanë arritur edhe në Shqipëri të shtrijnë veprimtarinë e grurit, duke dërguar grurë rus dhe serb. Pra, janë shndërruar në rrezik kombëtar, e gjithë kjo falë lidhjeve të tyre me politikanët. Andaj, duhet bërë diçka derisa nuk është vonë", potencoi Mehmeti. Analisti Florim Zeqa tha për "Kosova Sot", se për ata që i përcjellin zhvillimet politike dhe rrjedhat e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, ajo që ka deklaruar ditë më parë z. Pandeli Majko, se bizneset po bllokojnë tregtinë e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, jo vetëm që është e vërtetë, nuk paraqet ndonjë risi, është një argument më tepër dhe rikonfirmim i pushtimit ekonomik të Kosovës nga Serbia. "Bazuar nga parimi logjik; 'shteti i cili e ushtron monopolin ekonomik mbi një shtet tjetër, drejtpërdrejt e kontrollon edhe sistemin politik të atij vendi', atëherë kjo i bie që liderët tanë shtetërorë ka kohë që janë dorëzuar përballë invazionit ekonomik të Serbisë në Kosovë nëpërmjet bizneseve të inkriminuara dhe jo vetëm kaq", theksoi ai. "Përderisa në të kaluarën jo shumë të largët, Vojvodina konsiderohej hambar i grurit në ish-federatën jugosllave, sot Republika e Kosovës është shndërruar në hambar të produkteve të shtetit të Serbisë, prodhime këto të ricikluara nga 'mullinxhinjtë' kosovarë, këtyre importuesve më të mëdhenj që mbulojnë tregun në Kosovë dhe Shqipëri me mallra të dyshimta nga Serbia. Ky invazion i produkteve serbe në dy shtetet shqiptare është bërë pengesa kryesore e zhvillimit ekonomik dhe barriera më e madhe e integrimeve tona kombëtare", vijoi më tej analisti Zeqa.

GURAZIU: KUSH PO E UDHËHEQ SHTETIN E KOSOVËS, A JANË ATA RAMUSH HARADINAJ, KRYEMINISTËR, DHE HASHIM THAÇI, PRESIDENT, APO JANË VËLLEZËRIT SHKËLQIM DHE BLERIM DEVOLLI?!!!

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot", se vërtet duhet shtruar pyetjen se kush po e udhëheq shtetin e Kosovës, a janë ata Ramush Haradinaj, kryeministër, dhe Hashim Thaçi, president, apo janë vëllezërit Shkëlqim dhe Blerim Devolli."E themi këtë kur kemi parasysh se bizneset e të dy anëve të kufirit po e bllokojnë tregtinë e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe kjo u dëshmua edhe me dështimin e radhës në mes dy qeverive shqiptare, kur nuk u bë marrëveshja për heqjen e pengesave", theksoi ai.Sipas Guraziut, marrëveshja, e cila do të firmosej në takimin e përbashkët të dy qeverive në Korçë, nuk u firmos nga Qeveria e Kosovës, për shkak të ndikimit në këtë vendim, të së paku dy- tre biznesmenëve të mëdhenj të Kosovës që importojnë rreth 60 për qind të mallrave të tyre nga Serbia."Pushtetarët e Kosovës, ata që janë të dorëzuar përballë 'mullinxhinjve' të Serbisë në Kosovë, siç janë vëllezërit Devolli, por edhe dy-tre biznese të tjera, të cilat importojnë rreth 60 për qind të mallrave serbe në Kosovë, e së fundi edhe në Shqipëri", ka thënë ai." Mosnënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Shqipëri edhe tregoi se kush po ndikon mbi vendimmarrjen e Qeverisë në Kosovë, duke e bërë të qartë se janë vëllezërit Devolli, e në këtë rast Shkëlqim Devolli me miell dhe grurë është shefi e financuesi i Ramushit dhe Hashim Thaçit, dhe jo vetëm.Ato veprime që po i bëjnë politikanët në Kosovë, shumë "trima" përballë amerikanëve, dhe përballë "mullinxhinjve" Devolli të Serbisë, në Kosovë janë për keqardhje dhe pra kjo po i bie se shefat e shtetit serb në Kosovë janë vëllezërit Devolli dhe çdo vendim, qoftë në nivelin qendror apo komunal, bëhet detyrimisht në të mirë të tyre, duke shkelur ligje, Kushtetutë e gjithçka tjetër për ta në Republikën e Kosovës vetëm formale ". 

BADALLAJ: KOSOVA ËSHTË NË DUART E MAFIO-OLIGARKËVE TË KANALEVE TË NËNTOKËS

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për gazetën "Kosova Sot", se Kosova është në duart e mafio-oligarkëve të kanaleve të nëntokës dhe është e shitur dhe udhëhiqet nga bandat kriminale që po e shkatërrojnë ekonominë e vendit dhe duke e trashur fukarallëkun. "Në grupin e kësaj bande bëjnë pjesë banda famëkeqe e klanit 'Pronto', por pazarin kryesor e kanë banda e zezë antikombëtare Devolli dhe "ETC-ja". Këto dy banda serbiane me direktivat e 'Francuska 7', një çerdhe antishqiptare në Beograd, veprojnë në Kosovë përmes kanaleve të posaçme të mallrave diku rreth 60 për qind të mallit që fusin në Kosovë dhe llogarite se sa fiton Serbia në Kosovë dhe anasjelltas", u shpreh ai. "Shi për këtë, në Korçë, banditët dhe hajnat e Qeverisë së Kosovës nuk vunë gisht se këtyre nuk iu intereson problemi kombëtar, se këtyre u intereson vetëm hajnia. Këta banditë e dinë se çfarë mallrash fusin në Kosovë nga Serbia. Ndaj janë gjetur mallra me afat të skaduar, mallra të stallave të qenve dhe derrave, mallra si mishi i mykur dhe mallra të tjera, kurse banditët nuk kanë fare dert për shëndetin e qytetarëve ", vijoi më tej ai.

Liderët na lanë në geto!

Analisti Ardian Nokaj,për gazetën "Kosova Sot", tha se pohimet e Mero Bazes po tregojnë se kush komandon pushtetarët në Kosovë dhe në Shqipëri dhe se ata janë korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe për fatin tonë të keq po të njëjtët liderë politikë të Kosovës edhe po kanë guximin që të fusin Kosovën në geto të Bashkimit Evropian, duke futur Kosovën në një rrugë pa krye dhe duke rrezikuar që atë ta kthejnë në një provincë të Serbisë, dhe pa asnjë fije turpi duke rrezikuar drejt zhbërjes si shtet i pavarur, me përpjekjen për të refuzuar Gjykatën Speciale, edhe pse po i kërcënojnë pesë shtete kryesore të Perëndimit. "Vërtet është për t'u çuditur se si liderët tanë nuk po kanë guxim të refuzojnë kërkesat e grupeve të kriminalizuara të biznesit dhe klanit 'Pronto', që bëjnë e përfaqësojnë politikën tregtare të Beogradit në Kosovë, për t'i hapur rrugën një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Shqipërinë", potencoi ai. Afaristi Ramadan Maloku tha për "Kosova Sot", se vërtet është shqetë- suese ajo që ka deklaruar një personalitet politik me nam ndër shqiptarët, si është Pandeli Majko, për ndikimin e bizneseve kriminale në të dyja anët e shteteve shqiptare . "Kjo ndryshe nuk mund të quhet veçse një krimi i organizuar dhe korrupsion që bëhet në të dyja shtete shqipfolëse", theksoi ai. Ndërsa, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për " Kosova Sot", se Pandeli Majko nuk ka zbuluar as nuk ka thënë asgjë të re dhe asgjë që nuk është ditur. "Ky lobi i pandershëm interesgjinjsh, i ngjeshur e regjur me faktin e pengimit të nënshkrimit të marrëveshjes tregtare ndërshtetërore Kosovë - Shqipëri, ka dëshmuar kaq publikisht, pa drojë e pa turp, gjithë fuqinë e 'nëntokës' ekonomike-politike-juridike. Edhe pengimi i interesave kombëtare me abuzimin me 'Kontratën e parë bilaterale të tregtisë së Kosovës' dëshmon se kush në realitet po e udhëheq shtetin apo shtetet. Gjendje e njëjtë pretendoj se është edhe në Shqipëri", ka vlerësuar ai. Sipas Kaçanikut, ne nuk dimë, nuk duam dhe nuk kemi vullnet të bëjmë shtet të mirëfilltë - shtet në plot kuptimin e fjalës, të cilit i nënshtrohen të gjithë.

(Kosova Sot)