Departamenti i Shtetit nuk konfirmon nëse Hoyt Yee do të vijë si ambasador në Ballkan

  • 09 January 2018 - 23:16
Departamenti i Shtetit nuk konfirmon nëse Hoyt Yee do të vijë si ambasador në Ballkan

Hoyt Yee është në përfundim të detyrës si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore, një post që e ka mbajtur që në shtator të vitit 2013. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit konfirmoi këtë por nuk tregoi nëse Hoyt Yee do të emërohet ambasador në Ballkan.

Komentet e Departamentit të Shtetit erdhën në përgjigje të pyetjes nëse Yee kishte dhënë dorëheqjen, siç kishin njoftuar mediat sot, për të marrë një detyrë të re në Ballkan.

Yee ishte përmend për emërim si ambasador fillimisht në Maqedoni, e pastaj në Sarajevë.

"Në këtë moment, nuk kemi ndonjë njoftim për detyrën e ardhshme të zotit Yee”, tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

"Siç e dini, thotë zëdhënësi, diplomatët amerikanë lëvizin nga postet çdo dy vjet, në kuadrin e një procesi normal të emërimit në poste të reja."

Yee ka shërbyer në postin aktual prej katër vjetësh.

“Ne i jemi mirënjohës zotit Yee, për vitet e tij të shërbimit dhe përkushtimit në këtë pozicion dhe i urojmë më të mirën në detyrën e tij të ardhshme”, tha zëdhënësi me anë të një deklarate.

(Kosova Sot)