Fillon kompensimi i viktimave të krimit seksual

  • 10 January 2018 - 11:46
Fillon kompensimi i viktimave të krimit seksual

Komisioni për kompensimin e viktimave të krimit i themeluar nga Ministria e Drejtësisë, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar kërkesat për kompensimin e viktimave të krimit të parashtruara nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Komisioni e ka aprovuar kërkesën për kompensim të viktimës së krimit të iniciuar nga Zyra e mbrojtësve të viktimave të rajonit të Prishtinës. Kërkesa është paraqitur për çrregullime të rënda të shëndetit mendor, shpenzime mjekësore dhe të hospitalizimit, si pasojë e veprave penale “trafikimi me njerëz”, nga neni 171 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 33 të Kodit Penal të Kosovës, dhe veprave penale “shërbime seksuale” të viktimës së trafikimit nga neni 231 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës, për të cilat janë shpallur fajtor dhe janë gjykuar të dënuarit që kanë kryer veprat penale të lartcekura”, thuhet në komunikatë.

Komisioni për kompensimin e viktimave të krimit, ka shqyrtuar kërkesën dhe ka gjetur se janë plotësuar kushtet ligjore për paraqitjen e saj, siç janë lloji i veprës penale që është kryer ndaj viktimës, mos realizimi i kërkesës pronësore juridike nga i dënuari në procedurën penale dhe kushtet tjera formale e materiale të parapara me dispozitat e neneve 7 dhe 8 të Ligjit për kompensimin viktimave të krimit, si dhe dispozitat e neneve 4 paragrafi 2 dhe 15 të Udhëzimit Administrativ, për mënyrën e kompensimit përfshirë edhe llogaritjet e kompensimit për dëmtimet e shumëfishta.

(Kosova Sot)