Haradinaj i butë në mediat ndërkombëtare: Shfuqizimi i Speciales nuk do të kalojë

  • 01 February 2018 - 13:07
Haradinaj i butë në mediat ndërkombëtare: Shfuqizimi i Speciales nuk do të kalojë

Kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për “Conflict Zone” të DW me gazetarin Tim Sebastian. Gazetari britanik në mënyrë të rreptë ka trajtuar qëndrimet e shefit të ekzekutivit për çështjet që do të mund të rrezikonin raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe SHBA’në. Në këtë intervistë Haradinaj po ashtu për herë të parë është zmbrapsur nga qëndrimi i fortë pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

“Perëndimi i ka thënë Ramush Haradinajt që nëse Gjykata Speciale shfuqizohet, Kosova duhet ta harrojë anëtarësimin në NATO dhe Bashkim Evropian. Çfarë do të bëjë ai?” - Ky ishte paralajmërimi i Tim Sebastian, njëri prej gazetarëve më të njohur në botë për konfrontime të rrepta me politikanë, në intervistën që ka zhvilluar me Ramush Haradinajn.

Kryeministri Haradinaj që nga dhjetori i vitit të kaluar është numëruar si një nga tre ideatorët e shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Ai publikisht as nuk deklarohej ndaj kësaj nisme, duke ripërsëritur qëndrimin se kjo gjykatë është e dëmshme.

Por, Kryeministri i Kosovës, që filloi të identifikohet si lider që nuk po i bindej BE’së, duke rrezikuar kështu interesat e shtetit dhe miqësinë e Kosovës me aleatët e saj, siç duket ka reflektuar rreth qëndrimeve të tij.

Para gazetarit Sebastian, Haradinaj ka folur për legjitimitetin e Gjykatës Speciale, marrë parasysh që krijimi i saj është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se Gjykata Speciale ekziston, është krijuar me ndryshime kushtetuese dhe është votuar nga shumica parlamentare, dhe se nuk vihet në pikëpyetje.

Kryeministri derisa po fliste për përpjekjet që po bëhen në Kosovë për t’i plotësuar kushtet e vëna nga BE, u pyet nga se si po bëhet kjo, kur po tentohet të shfuqizohet Gjykata Speciale, që bie ndesh me marrëveshjet e Kosovës me ndërkombëtarët.

 “Iniciativa që po qëndron në Kuvend, sikurse deklarova, nuk është vendim i marrë, është vetëm një nismë e disa deputetëve”, është përgjigjur Haradinaj.

“E di që është iniciativë por dua ta di nëse kalon ose jo”, pyeti gazetari Haradinajn.

Në përgjigje të kësaj,  kryeministri ka thënë se nuk beson se do të votohet shfuqizimi i saj. “Duket se jo”, potencoi ai në emisionin “Zona e Konfliktit”

Kjo është edhe befasia që vije nga i pari i Qeverisë, teksa tri partitë e koalicionit ishin pro shfuqizimit, madje deputetet e tyre ishin nënshkruesit e nismës.

Pasi tërheqjes së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, me këto deklarata të Haradinajt,  Hashim Thaçi mbetet i vetëm në mbështetje të shfuqizimit të Speciales.

Gazetari i Deutsche Welle e ka pyetur shefin e ekzekutivit kosovar edhe se a i frikësohet Gjykatës Speciale.

“Ekziston një shqetësim në lidhje me Gjykatën tek një numër njerëzish këtu”, ka thënë Haradinaj.

“Ata e konsiderojnë atë të padrejtë, si institucion të drejtësisë, që merret vetëm me raste të caktuara, dhe jo gjithçka çfarë ka ndodhur këtu në të kaluarën”, ka deklaruar kryeministri kosovar.

“Unë personalisht nuk kam frikë”, është shprehur Haradinaj, duke treguar gatishmëri për t’iu dorëzuar kësaj gjykate, nëse ngrihen aktakuzë ndaj tij.

Haradinaj nuk u shpëtoi pyetjeve për çështjet e tjera, që në një mënyrë ose tjetrën bllokojnë Kosovën në raport me BE’në.

 “Po luani lojëra me Gjykatën, kërcënoni se do t’ia ktheni shpinën demarkacionit, dhe prapë doni që BE’ja t’ju ndihmojë. Ankoheni që s’njiheni nga pesë vende të BE’së, e quani hendikep. Si mund t’ju besojnë në të ardhmen, s’i mund t’ju ndihmojë BE’ja, kur s’i respektoni obligimet ndërkombëtare?”, e ka pyetur Sebastian, Haradinajn.

I pari i qeverisë kosovare ka thënë se Kosova po e pret që disa vite njohjen nga disa shtete të BE’së, që ende s’e kanë bërë një gjë të tillë.

“Po i presim që disa vite të na njohin. Sfidat tona po bëhen më të mëdha për shkak të kësaj situate”, është përgjigjur Haradinaj.

(Z.V. Kosova Sot)